Kronika

Raporti i Policisë së Burgjeve: 370 të larguar për shkelje të rregullores

Nga Aurora Koromani

burg2Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve publikon raportin e realizimit të detyrave të Policisë së Burgjeve për vitin që lamë pas. Në raportin e siguruar nga “Gazeta Shqiptare” përshkruhen të gjitha kontrollet që janë bërë në burgje, shkeljet që janë bërë, si dhe masat që duhet të ndërmerren gjatë këtij viti për ndryshimin e situatës në institucionet ku të burgosurit vuajnë dënimet e tyre.

Raporti

“Në institucionet e burgjeve dhe paraburgimeve gjatë vitit 2014 janë bërë 9016 hyrje, janë liruar 5606 persona; janë trajtuar 420 të dënuar të sigurisë së lartë, 153 persona me mjekim të detyruar, 257 të sëmurë mendorë, 101 minorenë dhe 95 gra të dënuara e të paraburgosura. Janë shoqëruar në spitale 6518 persona, janë bërë 335 shtrime në spitale, janë bërë 28081 shoqërime në gjykatë, janë kryer 100 shoqërime gjatë lejeve me shoqërim, janë menaxhuar 2347 leje shpërblyese dhe 181 leje të veçanta. Janë menaxhuar 152141 takime me familjarë, 3153 takime speciale, 6888 takime me prokurorë, OPGJ dhe avokatë”, thuhet në raportin për Policinë e Burgjeve për vitin 2014. Veç kësaj, aty thuhet se në qendër të vëmendjes ka qenë parandalimi i futjes së sendeve të ndaluara dhe kapja e atyre të cilat të dënuarit dhe të paraburgosurit kanë mundur t’i fusin në regjim, duke përdorur forma të ndryshme. “Gjatë këtij viti (2014) janë kryer gjithsej 4004 kontrolle për sende të ndaluara nga institucionet; shefat e policisë 1204 dhe shefat e regjimeve 2980 kontrolle. Janë kryer 35 kontrolle të organizuara nga Drejtoria e Policisë. Gjatë vitit 2014 janë kapur 1453 sende të ndaluara, nga të cilat, thika të improvizuara dhe kaçavida 145 copë, lëndë narkotike në 35 raste, celularë 1122 copë, fishekë në 4 raste, 71 karikues telefoni, 86 karta telefoni”, vijon më tej raporti. Në këtë të fundit shpjegohet se, kontrollet nga punonjësit e policisë kryhen pa mjete kërkimi të domosdoshme, prandaj janë planifikuar për t’u blerë dy skanera portativë për drogë dhe metale, të cilat do të mundësojnë rritjen e cilësisë së kontrolleve. Megjithatë, në raport thuhet se situata me sendet e ndaluara në institucione, pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme për parandalimin e futjes në regjim dhe kapjen e tyre, nuk paraqitet e mirë, me gjithë numrin e madh të kontrolleve ndaj shërbimeve.

Shkeljet

Sipas raportit që ka përpiluar Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, për vitin që lamë pas nga institucionet janë kryer 3011 kontrolle për kryerjen e shërbimit nga trupa policore, nga të cilat, 1978 kontrolle janë kryer nga specialistët e regjimeve dhe 1033 nga shefat e policisë. “Nga drejtoria e policisë janë kryer 370 kontrolle të tilla. Gjatë këtyre kontrolleve janë evidentuar shumë shkelje të ligjit dhe rregullores për kryerjen e shërbimeve, duke dhënë 1401 masa disiplinore, nga të cilat, 371 janë largime, 68 janë ulje në gradë, 96 janë pezullime, 383 janë vërejtje me paralajmërime dhe 482 janë vërejtje me shkrim. Në 89 raste në institucione ka pasur mungesa të paarsyeshme në punë. Për të krijuar një mjedis të sigurt për jetën e punonjësve, të të dënuarve dhe paraburgosurve, për garantimin e rendit dhe sigurisë në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale janë kryer 4342 kontrolle për elemente sigurie nga vetë institucionet, nga të cilat, 2613 kontrolle nga specialistët e regjimeve dhe 1729 nga shefat e policisë.

Në parashikimet për buxhetin e vitit 2015 kemi kërkuar planifikimin për përmirësimin e elementëve të sigurisë në shumë institucione, gjë që do të përmirësonte ndjeshëm masat e sigurisë në institucione”, thuhet në raport. Por, edhe nga të dënuarit dhe të paraburgosurit gjatë vitit 2014 ka pasur shqetësime, siç citohen në raport: “Grindje në 90 raste, goditje 88 raste, ofendime në 13 raste, refuzime ushqimi në 136 raste, tentativa për vetëvrasje në 20 raste, vetëvarje 3 raste, dëmtime prone në 38 raste, kundërshtim i punonjësve në 69 raste, greva urie në 4 raste dhe 13 vdekje natyrale”. Ndërkohë, për vitin 2015 është menduar që të jenë prioritet ripunimi i rregullores së përgjithshme të burgjeve, hartimi i rregullores së brendshme të Policisë së Burgjeve, ripunimi i rregullores së Uniformës së Policisë së Burgjeve, përmirësimi i sigurisë në sistemin e burgjeve, ulja e mbipopullimit në sistemin e burgjeve dhe paraburgimeve, hapja e institucioneve të reja të burgut dhe paraburgimit, hartimi i planeve të studiuara për transferimin e të burgosurve, përmirësimi i performancës së punonjësve të sistemit të burgjeve, rikonstruksioni i disa burgjeve, ngritja e burgjeve dhe qendrave të reja të paraburgimit dhe dixhitalizimi i sistemit të mbrojtjes perimetrike dhe kamerave për disa burgje.

Të dhënat

– Janë liruar 5606 persona;

– Janë trajtuar 420 të dënuar të sigurisë së lartë;

– 153 persona me mjekim të detyruar, 257 të sëmurë mendorë, 101 minorenë dhe 95 gra të dënuara e të paraburgosura;

– Janë shoqëruar në spitale 6518 persona, janë bërë 335 shtrime në spitale, janë bërë 28081 shoqërime në gjykatë;

– Janë kapur 1453 sende të ndaluara, nga të cilat, thika të improvizuara dhe kaçavida 145 copë, lëndë narkotike në 35 raste, celularë 1122 copë, fishekë në 4 raste, 71 karikues telefoni, 86 karta telefoni;

– Janë kryer 370 kontrolle të tilla, janë dhënë 1401 masa disiplinore, nga të cilat, 371 janë largime, 68 janë ulje në gradë, 96 janë pezullime;

– Grindje në 90 raste, goditje 88 raste, ofendime në 13 raste, refuzime ushqimi në 136 raste, tentativa për vetëvrasje në 20 raste, vetëvarje 3 raste, dëmtime prone në 38 raste, kundërshtim i punonjësve në 69 raste.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button