Ekonomia

Reduktohen kreditë e këqija, në 2015 bankat fshinë nga lista 220 mln USD

Bankat shqiptare fshinë vitin e kaluar 26.6 miliardë lekë, ose mbi 220 milionë dollarë kredi të këqija nga bilancet e tyre. Shifra, e cila përbën rreth 20 për qind të totalit të kredive me probleme, zbulohet nga një raport i Bankës Botërore.

Nxjerrja nga bilanci nuk nënkupton se këto kredi falen. Përkundrazi, kredimarrësit vazhdojnë të kenë detyrimin për t’i shlyer ato ashtu si më parë. Por, pasi nxirren nga bilancet e bankave këto kredi nuk raportohen më në shifrën kombëtare të kredive të këqija.

Vetëm si pasojë e fshirjeve gjatë vitit të kaluar, shifra e kredive të këqija u ul me rreth 4.6 pikë përqindje. Prej vitesh bankat shqiptare nuk mund t’i fshinin huatë me probleme për shkak të pengesave ligjore dhe problemeve me tatimet që nuk pranonin t’i klasifikonin ato si shpenzime të zbritshme për efekt të paguimit të taksave.

Por vitin e kaluar, trajtimi fiskal i kredive me probleme u ndryshua dhe paralelisht Banka e Shqipërisë miratoi një rregullore, e cila i detyron bankat private që të fshijnë nga bilanci çdo kredi të keqe që nuk shlyhet prej më shumë se tre vjetësh.

Huatë me probleme arritën kulmin në shtator të vitit 2014, kur cekën nivelin 24.9 për qind. Por vitin e kaluar, për shkak të fshirjeve masive dhe ristrukturimeve të disa kredive të mëdha të ndërmjetësuara nga Banka e Shqipërisë, treguesi i kredive të këqija zbriti deri në 18.2 për qind. Por në dy muajt e parë të vitit ai u rrit sërish në 18.9 për qind.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button