Reforma në drejtësi, 6 këshillat e SHBA-ve: Procesi të mos politizohet dhe të jetë i matur
Në një takim të thirrur nga Ministri i Drejtësisë Nasip Naço për reformën në drejtësi, përveç ekspertëve të fushës, ka qenë i pranishëm edhe ambasadori amerikan Aleksandër Arvizu.
Diplomati amerikan në Shqipëri, ka dhënë këshillat dhe recetën e tij se reforma duhet të jetë gjithëpërfshirëse me mbështetjen e të gjithë aktorëve politikë në vend.
Sipas Arvizusë, reforma nuk duhet politizuar dhe se duhet punuar ngushtë me BE-në. “I takon opozitës të mbajë një perspektivë të shëndetshme dhe retorikën nën kontroll sa i takon reformës, – u shpreh Arvizu. – SHBA-të nxisin qeverinë të bashkëpunojë ngushtë me BE-në. SHBA-të e ndërkombëtarët i japin mbështetje qeverisë për reformat gjyqësore”.
Më pas Arvizu tregoi 6 pika të rëndësishme ku duhet të përqendrohet reforma në drejtësi për të qenë e suksesshme.
1.“Merrni hapa të matur, sepse reforma është maratonë, jo vrapim shpejtësie.
2.Reforma gjyqësore duhet të jetë një proces tërësor e gjithëpërfshirës.
3.Udhërrëfyesi i BE-së të shërbejë si drejtues kyç për reformën.
4.Reforma duhet të përfitojë nga këshillat e të gjithë aktorëve.
5.Duhet të kërkohet pjesëmarrja nga Komisioni i Venecias.
6.Procesi të mos politizohet, por të jetë konsekuent për Shqipërinë”.
Sipas Arvizusë, rezultati përfundimtar i reformës duhet të jetë një Shqipëri më e mirë për të gjithë. “Reforma duhet të jetë një kërkesë për hapjen e bisedimeve me BE-në. Reforma shërben për të shëruar sistemin dhe jo për arsye politike. Procesi të jetë i matur, gjithëpërfshirës e jo politik. Pozita të vërë tonin e duhur, duke iu qasur të gjitha grupeve të interesit dhe t’i qaset edhe opozitës në mënyrë të sinqertë”.