Politika

Reforma në drejtësi, ekspertët dorëzojnë draftin të martën

Deri të martën, ekspertët teknikë të të dyja palëve duhet të kenë sheshuar të gjitha kundërshtitë në draftin që do t’i propozohet Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën në Drejtësi, në të kundërtën, për pikat që nuk do të bihet dakort do të shkohet para deputetëve me dy propozime.

Këtë deklaroi në përfundim të tryezës së ekspertëve të nivelit të lartë të zhvilluar në Kryesinë e Kuvendit, eksperti Gent Ibrahimi.

Ai tha se palët ndajnë qëndrime të kundërta për një sërë çështjes, përfshirë këtu shumicën e cilësuar.

“Aty ku jemi në qendrime të njëjta po i formulojmë, ndërsa qëndrimet e kundërta do të diskutohen dhe do të përpiqemi t’i unifikojmë dhe në rast të kundërt do të shkojmë me dy propozime. Nuk do të ketë dy drafte, do të ketë vetëm një draft, por për çështjet ku grupet nuk bien dakort do të shkohet me dy opsione në Komisionin e Posaçëm Parlamentar”, tha ai.

Kjo deklaratë e ekspertit Gent Ibrahimi lë të kuptohet se nëse nuk do të gjehet gjuha e përbashkët për pikat ku palët nuk bien dakort, do të jetë forca e kartonit ajo që do të vendosë në Komisionin e Posaçëm Parlamentar, gjithmonë nëse as atje nuk do të ketë një marrëveshje.

“Zgjidhjet teknike i japim ne, po nëse është e pamundur të biem në konsensus do e kenë ata (Komisioni i Posaçëm Parlamentar) topin në lojë”, u shpreh Ibrahimi.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button