Kronika

Reforma në Drejtësi-Zgjedhja e anëtarëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor

Këshilli i Lartë Gjyqësor(KLGJ) konsiderohet nga ekspertët si qeveria e gjyqësorit, pasi i emëron gjyqtarët, i promovon, i ngre në detyrë, i transferon dhe i disiplinon ata.

Neni 147 i ndryshuar i Kushtetutës, i propozuar në draftin e ekspertëve të lartë për reformën në drejtësi, përcakton mes të tjerash zgjedhjen e anëtarëve të KLGJ-së, i emërtuar deri më sot Këshilli i Lartë i Drejtësisë.

Sipas ndryshimit kushtetues, KLGJ siguron pavarësinë, përgjegjshmërinë dhe mbarëvajtjen e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë. Ai ka një përbërje prej 11 anëtarësh, 6 prej të cilëve zgjidhen nga gjyqtarët e të gjitha niveleve të pushtetit gjyqësor dhe 5 nga Kuvendi, nga radhët e juristëve jo gjyqtarë.

Anëtarët jo gjyqtarë përzgjidhen nga radhët e juristëve të spikatur, me jo më pak se 15 vjet përvojë pune në profesion dhe me integritet të lartë profesional. Ata nuk duhet të kenë mbajtur funksione politike në administratën publike dhe pozicione drejtuese në parti politike gjatë 10 vjetëve të fundit përpara kandidimit.

Anëtarët jo gjyqtarë zgjidhen me 3/5 e të gjithë anëtarëve të Kuvendit mbi propozimet e ardhura nga radhët e avokatëve, (1 anëtar), nga radhët e noterëve, (1 anëtar), nga trupa e pedagogëve të drejtësisë, (1 anëtar), nga trupa e pedagogëve jo gjyqtarë ose prokurorë të Shkollës së Magjistraturës, (1 anëtar) dhe nga shoqëria civile, (1 anëtar).

Për çdo vend vakant organizmat propozues i paraqesin Këshillit të Emërimeve në Drejtësi tre kandidatë të përzgjedhur, i cili më pas bën renditjen e kandidatëve dhe ia dërgon Kuvendit. Ky i fundit voton veçmas për secilin grup kandidatësh. Kur në votimin e parë nuk arrihet shumica e 3/5-ve, organizmi propozues bën një propozim të ri brenda 15 ditëve.

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi vlerëson dhe rendit kandidatët brenda 7 ditëve nga dorëzimi i propozimeve të reja. Kuvendi voton për kandidaturat e reja brenda 7 ditëve nga dorëzimi i vlerësimit dhe renditjes. Në rast se kjo shumicë nuk arrihet as në votimin e dytë, kandidatët nga të dyja raundet që renditen të parët për secilin grup konsiderohen të emëruar.

Kryetari i KLGJ-së zgjidhet në mbledhjen e parë të Këshillit nga radhët e anëtarëve jo gjyqtarë, me shumicën e të gjithë anëtarëve. Në rast se kryetari nuk zgjidhet në mbledhjen e parë, anëtari më i vjetër në moshë nga radhët e gjyqësorit organizon zgjedhjen e kryetarit me short në mbledhjen e radhës, e cila zhvillohet e hapur.
Kryetari qëndron në detyrë deri në përfundim të mandatit si anëtar i KLGJ-së.

Anëtarët e KLGJ-së e ushtrojnë detyrën me kohë të plotë për një periudhë prej pesë vjetësh, pa të drejtë rizgjedhje të njëpasnjëshme.
Në përfundim të mandatit anëtarët gjyqtarë rikthehen në vendet e mëparshme të punës. Anëtarët jo gjyqtarë që përpara emërimit punonin me kohë të plotë në sektorin publik, rikthehen në vendet e mëparshme të punës ose në pamundësi, në detyra të barazvlefshme me to.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button