Bota

Refugjatët, Hungaria dërgon 2106 oficerë policie në kufi. Mund të përdorë edhe ushtrinë

Qeveria hungareze ka diskutuar së fundi mbi mënyrën sesi mund të përdoret ushtria në ndihmë të sigurisë së kufirit jugor të vendit, nga ku po tentojnë të hyjnë një valë e gjerë emigrantësh për në Bashkimin Europian.

Lajmi është bërë i ditur nga zëdhënësi i qeverisë hungareze, Zoltan Kovacs, këtë të mërkurë, i cili ka shtuar se çdo vendim për të përdorur ushtrinë do të bazohet mbi një vendim parlamentar, teksa Kuvendi do ta shqyrtojë këtë çështje javën e ardhshme.

“Qeveria e Hungarisë dhe kabineti i Sigurisë Kombëtare kanë diskutuar mbi çështjen sesi ushtria mund të përdoret për të ndihmuar në mbrojtjen e kufirit jugor të Hungarisë, i cili është edhe kufi fundor i Bashkimit Europian me vendet e Ballkanit, veçanërisht me Serbinë”, tha Kovacs.

Vetëm pak çaste pasi Hungaria bëri të ditur planin për të dërguar ushtrinë, forca të policisë dhe qentë në kufirin jugor për të përballuar fluksin rekord të emigrantëve që vijnë nga Serbia me destinacion Bashkimin Europian, një valë trazirash u shkaktua në një prej qendrave të pritjes së refugjatëve, e mbipopulluar, në rajonin kufitar të Roszkes, ku një zëdhënës i policisë tha se është përdorur edhe gazi lotsjellës.

Sipas policisë, një numër rekord prej 2533 emigrantësh, shumica e të cilëve nga Siria, Afganistani dhe Pakistani, u kapën teksa hynin në Hungari nga Serbia mbrëmjen e së martës. Rreth 1300 të tjerë u ndaluan në orën 9 e 30 të mëngjesit të së mërkurës.

Hungaria, e cila është pjesë e zonës së udhëtimit të lirë e pa viza të Schengenit, ka ndërtuar një rrjet telash me gjëmba përgjatë 175 kilometrave të kufirit me Serbinë, me synimin për t’i mbajtur larg emigrantët.

Autoritetet thonë se mbi 140 mijë emigrantë kanë hyrë në Hungari nga Serbia gjatë këtij viti.

Shefi i policisë hungareze, Karoly Papp tha se, policia ka bërë gati 6 njësi speciale patrulluese kufitare me një sasi fillestare prej 2106 oficerësh, të pajisur me helikopterë, kuaj dhe qen, të cilët do të dërgohen në zonat ku situata është më e trazuar në kufi me Serbinë. Por, ata nuk kanë dhe nuk do të marrin kurrë urdhër për të qëlluar”, tha Papp në një konferencë për shtyp.

Europa është në kërkim të përgjigjeve të domosdoshme ndaj krizës më të rëndë të refugjatëve që prej Luftës së Dytë Botërore.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button