Te ndryshme

Restorantet më të preferuar në vendet më të bukura të botës

Të shijshme sa më s’ka! Kështu mund të përshkruhen ushqimet e dhjetë restoranteve më të mirë në botë, të kombinuara më së miri në vendet më të bukura në botë. Ne i kemi zbuluar ato gjatë udhëtimeve tona, duke i provuar konkretisht. Na u dukën vërtet shumë të mirë dhe ata janë të shpërndarë në pjesë të ndryshme të botës – në Afrikën e Jugut, Tasmani (ishull pranë Australisë) apo në Maldive, në Venecia apo në Romë e Rio De Janeiro. Më poshtë, lista e tyre!
Që kuzhina afrikanojugore u përket atyre më të mirave në botë, kjo është e njohur prej kohësh. Kuzhinierët më të mirë afrikanojugorë dhe prania e shumë yjeve, e bëjnë një udhëtim drejt Kejptaunit (Cape Town) një përjetim të paharrueshëm për këdo.

Ndër restorantet më të mirë të Kepit, renditen pa dyshim edhe “Indochine Restaurant des Delaire Graff Estates” me kuzhinën e tij fantastike dhe menynë e verërave. Godina elegante të mrekullon me artin e jashtëzakonshëm dhe koleksionin e skulpturave, rrethuar në mënyrë romantike nga vreshta.

Nuk mund të lëmë pa përmendur edhe menynë e tij të specialiteteve. Menyja e “Indocchine” është një udhëtim kulinarik në kuzhinat më interesante të botës. Veç tyre, art, skulptura dhe degustim verërash nga më të mirat e botës pranë një oxhaku. Absolutisht e rekomandueshme!

Një ndjenjë qyteti dhe plazhi njëkohësisht të ngjall edhe i famshmi “The Greenhouse”. Restoranti është pjesë e “The Cellars Hohenort Hotel” në Kejptaun dhe renditet ndër më të mirët në botë.
Një fjalë e vetme mjafton që kuzhina e kryeshefit të kuzhinës së “Relais & Chateaux”, Peter Tempelhoff, të përshkruhet si thjesht e jashtëzakonshme!

Hoteli “Le Quartier Francais” renditet ndër destinacionet kryesore të Afrikës së Jugut. Në zemër të vreshtave të Franschhoek-ut, “shtëpia” e shpërblyer disa herë me çmime ndërkombëtare për cilësinë e saj me restorantin e saj shembullor, “The Tasting Room”, ofron një kuzhinë të klasit të parë. Një copëz tjetër gjithë shkëlqim e hotelit: ambientet e Spa-së me trajtime të rralla.

Restoranti më i bukur i botës

Është koha për surpriza! Restoranti nënujor “Ithaa” u shpall nga “New York Daily News” si restoranti më i bukur i botës. E me të drejtë! Gustatorët vijnë atje në këmbim të brigjeve ujore më të rralla!

Klientët e turistët ndërkombëtarë e pëlqejnë shumë të hanë nën sipërfaqen e ujit, ndër ta edhe shumë yje botërore të sportit apo kinematografisë. Ku e gjeni këtë vend? Nën ujë, – në “Conrad Maldives” në ishujt Maldive.

“Saffire Freycinet” në Tasmani është një ndër strehëzat më të këndshme të botës, në anën tjetër të saj. Restoranti i saj “Palate” ofron artin kulinarik dhe verëra të shkëlqyeshme. Vështrimi panoramik nga dritaret i shtirë tej në det, është përrallor.

Një klasik i vërtetë

Hoteli “Bauer” në Venecia është një klasik i vërtetë. Restoranti i tij “De Pisis” ofron jo vetëm një meny të shkëlqyer, por edhe një vështrim të hatashëm mbi “Canal Grande” dhe kishën e famshme “Della Salute”.

Për ata që janë romantikë, janë në vendin e duhur! Në Romë të mrekullon “Le Jardin de Russie” në kopshtet e fshehta. Mbi tavolinë të vjen kuzhina tradicionale italiane, e të shërben shefi i famshëm kuzhinës, Fulvio Pierangelini, karkaleca sicilianë, ravioli “Cacio e Pepe“ dhe karavidhe me patëllxhana.

Kuzhina franceze plot fantazi

Kuzhinën franceze plot fantazi në një ambient luksoz, ta ofron “Mandarin Oriental Bangkok” në restorantin e tij “Le Normandie”. Shefi i saj i kuzhinës, Arnaud Dunand Sauthier, të josh me 12 tavolinat e dekoruara e rrethuara në mënyrë intime me vështrim nga lumi Chao Phraya, me elemente të forta frankofone dhe një shërbim tërësisht të klasit të parë.

Nga e gjithë bota udhëtojnë për në këtë vend klientë e të ftuar për të shijuar një meny të paharrueshme. Edhe ndër gustatorët e Bangkokut, sigurisht që ky restorant është nga më të lakuarit – e as që mund të bëhet fjalë të gjesh një vend atje pa rezervim!

“Hotel Copacabana Palace” në Rio de Janeiro të fton në Cipriani, njëra ndër pikat më të nxhehta të Rios. Shefi i tij është Luca Orini, i cili të ofron një ndërthurje të kuzhinës braziliane me atë italiane. Kuzhina është inovative, e rafinuar dhe moderne, e bazohet mbi receta tradicionale të shumë gjeneratave të familjes Orini.

Sigurisht se kjo listë mund të zgjerohej edhe me shumë të tjera e të ngjallte diskutim, por kjo ishte përzgjedhja që platforma e njohur “Huffington Post”, me filiale në shumë vende të botës, ka bërë së fundmi në një kombinacion të kulinarisë dhe natyrës, klasikes dhe romantikes, artit dhe turizmit.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button