Rikualifikimi urban në njësinë nr.5, Veliaj: Punimet i rritën vlerën zonës
Pas 7 muajsh nga nisja e punimeve për rehabilitimin e zonës në njësinë administrative nr.5, Bashkia e Tiranës ka përfunduar rikualifikimin urban të të gjithë hapësirës prej 5.6 hektarësh që kufizohet nga rrugët “Sulejman Delvina”, “Medar Shtylla”, “Skënder Luarasi”, “Grigor Heba” dhe “Gjik Kuqali”.
Në përurimin e punimeve mori pjesë kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, deputeti i PS-së, Pandeli Majko, si dhe shumë banorë të zonës.
Kryebashkiaku Veliaj shprehu kënaqësinë që rikthehej në një zonë tashmë totalisht të ndryshuar, me rrugë e trotuare dhe çdo element tjetër urban, të kuruar në çdo detaj, dhe me cilësi të lartë punimesh.
Ai shtoi se qytetarët duhet të kuptojnë se arsyeja pse është zgjedhur Njësia 5, ku filloi ky investim i parë para pak muajsh, është sepse kjo njësi ka pagesën më korrekte të taksave dhe faturave të ujit. Ky element, sipas tij, do të jetë faktor përcaktues në të gjitha punimet që bashkia do të kryejë në qytet, ndaj edhe qytetarët duhet ta dinë se çdo faturë e paguar i rikthehet në investim në lagje.
“Për herë të parë, këtu do të pilotojmë edhe parkimin në komunitet me 162 vende parkimi. Duke nisur nga muaji tjetër, qytetarët do të mund të marrin kartën e rezidentit, duhet të provojnë që kanë një makinë dhe apartament në këtë zonë të rikonstruktuar, çka do u mundësojë të kenë vendin e tyre të sigurt të parkimit”, tha kryetari i Bashkisë.
Ai tha se tani që kjo zonë ka marrë një pamje të re sa i përket infrastrukturës, banorët e saj mund të kërkojnë ndihmën e bashkisë edhe për të suvatuar dhe mirëmbajtur fasadat e pallateve.
“Për herë të parë do fusim konceptin e fondeve komunitare. Aty ku komuniteti kërkon të suvatojë apo lyejë pallatet, bashkia u siguron krahun e punës, skelerinë e logjistikën, në mënyrë që të kemi të njëjtën cilësi, për t’i shtuar vlerën e pronës çdo qytetari që ka zgjedhur të jetojë në Tiranë dhe të paguajë rregullisht taksat”, deklaroi Veliaj.
Ndërkohë ai ka bërë të ditur se investimet në këtë njësi sapo kanë nisur dhe ato do të vazhdojnë edhe në lagje të tjera, duke nisur nga zona e Selitës.
Deputeti i Partisë Socialiste, Pandeli Majko, e konsideroi rehabilitimin e bllokut të pallateve si një ngjarje të shënuar për gjithë komunitetin e zonës, por edhe një standard i ri të mënyrës se si bashkia po i afrohet komunitetit.
Banorët e bllokut të pallateve “Shushica” në Njësinë Administrative nr. 5 nga sot i gëzohen një lagjeje krejt ndryshe, me rrugë, trotuare, ndriçim e lulishte të reja.