Ringritja e hekurudhës, sa i duhet shtetit të investojë
Transporti në vendin tonë mbetet problematik. Si linjat urbane dhe ndërurbane sjellin pak mundësi zgjedhje për qytetarët. Një mundësi që prej vitesh nuk funksionon në Shqipëri do të ishte ringritja e hekurudhave.
Dhe sipas studimit të bërë nga Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit, ringritja e sistemit ekzistues hekurudhor kushton pak a shumë sa ndërtimi i autostradës Tiranë-Elbasan.
Për këtë qëllim është gati një projekt teknik mbi të cilin përllogaritet kostot për të rivënë në punë sistemin hekurudhor shqiptar. Sipas projektit rehabilitimi dhe vënia në funksion e linjës hekurudhore Elbasan-Pogradec kushton se paku 82 milionë euro.
Linja e transportit me tren Shkodër -Hani i Hotit kushton 33.2 milionë euro, ajo Rrogozhinë -Vlorë 83.2 milionë euro, Fier-Ballsh 24.7 milionë euro, Budull -Fushë -Krujë 8 mln euro, Vorë -Shkodër 80 milionë euro, Durrës -Tiranë 40 milionë euro, Durrës – Rrogozhinë 34 milionë euro dhe Rrogozhinë – Elbasan 39 milionë euro.
Rehabilitimi i çdo seksioni të hekurudhës është vlerësuar në mënyrë të veçantë, duke marre parasysh kontributin e secilit segment në përmirësimin e të gjithë rrjetit hekurudhor të vendit. Studimi tregon se nga pikëpamja financiare, asnjë nga skenarët e paraqitur nuk janë të përshtatshëm për të tërhequr kapitale private, përderisa SHKF (Shkalla e Kthimit Financiar) është shumë e ulët.
A do të ishte kjo një mundësi e mirë për sistemin e transportit? Patjetër që po, por nuk ka asnjë konfirmim më shumë se studimi i kostove nëse këto hekurudha do të bëhen funksionale ose jo ndonjë ditë.
Çfarë ka aktualisht sistemi ynë hekurudhor
Hekurudha shqiptare ka në inventarin e saj 66 vagonë udhëtarësh, 225 vagonë malli dhe 25 lokomotiva. Me këto mjete transportohen rreth 1,5- 2 milionë udhëtarë dhe rreth 400-500 mije tonë mallra në vit. Nuk ka një të dhëne zyrtare që të tregoje nëse ky numër është më i vogël krahasuar me disa vite më parë, por duke ju referuar deklarimeve të fatorinove, ka një rënie drastike të tyre.
Për çdo vit buxheti i shtetit, në forme subvencionesh, akordon rreth 4 milionë USD për aktivitetin e operimit dhe 3-4 milionë USD për investime kapitale. Megjithatë bilanci vjetor rezulton me humbje rreth 1 milionë USD. Hekurudhat e para në Shqipëri janë ndërtuar midis viteve 1917 dhe 1918 si linja të ngushta 760 mm për transportin e mineraleve dhe pajisjeve ushtarake.
Ky sistem u mbyll në vitin 1930 dhe një pjesë e madhe e trasesë u ripërdor me vonë. Sistemi standard hekurudhor që ekziston sot në Shqipëri është ndërtim i kohëve të fundit, i cili ka filluar në vitin 1947 dhe është ndërtuar me faza, ka përfunduar në vitin 1986 me hapjen e linjës nga Shkodra deri në Hani i Hotit në kufirin Shqipëri/Mali i Zi.
Kjo aktualisht është e vetmja linjë mallrash që lidh Shqipërinë dhe pjesën tjetër të rrjetit evropian.
Linjat hekurudhore Shpenzimet për rivënien në punë në euro
Elbasan-Pogradec 82.488.129
Shkodër -Hani i Hotit 33.282.560
Rrogozhinë –Vlorë 83.231.164
Fier-Ballsh 24.785.652
Budull Fushë –Krujë 8.161.953
Vorë-Shkodër 80.631.762
Durrës-Tirana 40.830.667
Durrës –Rrogozhinë 34.656.565
Rrogozhinë –Elbasan 39.141.715
Total 427.210.171