☀️
Tiranë 19°C · Kthjellët 24 April 2026
S&P 500 7,115 ▲0.09%
DOW 49,129 ▼0.37%
NASDAQ 24,545 ▲0.44%
NAFTA 95.30 ▼0.57%
ARI 4,726 ▲0.04%
💱 VALUTAT
EUR/USD 1.1691 EUR/GBP 0.8672 EUR/CHF 0.9186 EUR/ALL 95.4911 EUR/MKD 61.6950 EUR/RSD 117.3855 EUR/TRY 52.5424 EUR/JPY 186.64 EUR/CAD 1.5998 EUR/USD 1.1691 EUR/GBP 0.8672 EUR/CHF 0.9186 EUR/ALL 95.4911 EUR/MKD 61.6950 EUR/RSD 117.3855 EUR/TRY 52.5424 EUR/JPY 186.64 EUR/CAD 1.5998
₿ CRYPTO
BTC $77,930 ▲ +0.66% ETH $2,311 ▼ -0.23% XRP $1.4345 ▲ +1.39% SOL $85.9300 ▲ +0.32%
S&P 500 7,115 ▲0.09 % DOW 49,129 ▼0.37 % NASDAQ 24,545 ▲0.44 % NAFTA 95.30 ▼0.57 % ARI 4,726 ▲0.04 % S&P 500 7,115 ▲0.09 % DOW 49,129 ▼0.37 % NASDAQ 24,545 ▲0.44 % NAFTA 95.30 ▼0.57 % ARI 4,726 ▲0.04 %
EUR/USD 1.1691 EUR/GBP 0.8672 EUR/CHF 0.9186 EUR/ALL 95.4911 EUR/MKD 61.6950 EUR/RSD 117.3855 EUR/TRY 52.5424 EUR/JPY 186.64 EUR/CAD 1.5998 EUR/USD 1.1691 EUR/GBP 0.8672 EUR/CHF 0.9186 EUR/ALL 95.4911 EUR/MKD 61.6950 EUR/RSD 117.3855 EUR/TRY 52.5424 EUR/JPY 186.64 EUR/CAD 1.5998
24 Apr 2026
Breaking
Opinion

Roli i ri i Gjirit Persik në rendin e ri monetar

Akademik.Prof.Anastas Angjeli

Shumë shkruajnë se sot Ngushtica e Hormuzit po transformohet nga “një fushë luftimi”, në një “urë monetare të tregtisë” botërore. Për dekada me radhë, Ngushtica e Hormuzit ka shërbyer si “termometri” më i ndjeshëm i tensionit global. Ky rrip i ngushtë uji, që lidh Gjirin Persik me Detin e Omanit, nuk është thjesht një korridor gjeografik, ai është arteria kryesore e ekonomisë botërore. Përmes saj kalon çdo ditë rreth një e pesta e konsumit global të naftës dhe një pjesë masive e gazit të lëngshëm natyror (LNG). Megjithatë, për një kohë të gjatë, ky rajon është cilësuar si “gryka e shishes së tregut energjetik”, një pikë bllokimi strategjike ku kërcënimet e Iranit për mbyllje dhe prania masive e Flotës së Pestë amerikane krijonin një ekuilibër të brishtë të bazuar mbi frikën.

Sot, në vitin 2026, me përpjekjen për vendosjen e një armëpushimi historik midis Iranit dhe SHBA-së, kjo narrativë po ndryshon rrënjësisht. Normalizimi i marrëdhënieve nuk do të sjellë vetëm heshtjen e armëve, por po rishkruan rregullat e tregtisë globale. Nga një zonë e militarizuar ku çdo lëvizje e pasigurt mund të çonte në rritjen e menjëhershme të çmimeve të naftës, Hormuzi po shndërrohet në një “urë tregtare” që mund të shërbejë si katalizator për një rend të ri financiar. Në këtë kontekst të ri, roli i petrodollari, sistemit ku nafta tregtohet ekskluzivisht në monedhën amerikane po vihet në pikëpyetje si asnjëherë më parë. Për gati gjysmë shekulli, petrodollari ishte produkt i pasigurisë në rajon. Vendet e Gjirit pranonin dollarin si këmbim për mbrojtjen ushtarake amerikane kundër kërcënimeve rajonale, kryesisht Iranit. Me zhdukjen e këtij kërcënimi përmes diplomacisë, “kontrata e sigurimit” që mbante gjallë hegjemoninë e dollarit, me konfliktin aktual ndoshta po lëkundet disi.

Kur Ngushtica e Hormuzit pushon së qeni një zonë konflikti, ajo pushon së qeni edhe një monopol i interesave amerikane. Një Hormuz i hapur, i sigurt dhe i bashkërenduar mes fuqive rajonale (Iranit dhe Arabisë Saudite), u jep vendeve të Gjirit lirinë e paprecedentë për të eksploruar alternativa monetare. Nëse siguria e transportit të naftës nuk varet më ekskluzivisht nga patrullat amerikane, atëherë dhe pagesat për këtë naftë lënë shteg e pretendim për t’u bërë jo vetëm në dollar amerikan. Mos vallë ky tranzicion shënon fundin e epokës ku energjia përdorej si armë gjeopolitike dhe fillimin e një epoke ku ajo trajtohet si një aset thjesht ekonomik? Në këtë “urë të re” tregtare, Yuan-i kinez, Euro, apo edhe monedhat digjitale të bankave qendrore po fillojnë të qarkullojnë krahas dollarit. Pra, Normalizimi i Hormuzit nuk është vetëm një fitore për diplomacinë, por është hapi i parë drejt një bote multipolare, ku dollari duhet të konkurrojë në treg të hapur, e jo më si më parë. Sipas shumë analistëve, ky është momenti kur “fusha e luftës” po kthehet në portën e parë të një sistemi të ri financiar botëror.

PETRODOLLARI – PAK HISTORI

Në arkitekturën e ekonomisë globale të pas Luftës së Dytë Botërore, pak mekanizma kanë ushtruar ndikim kaq të thellë sa sistemi i njohur si “petrodollar”. I lindur në mënyrë joformale pas marrëveshjeve strategjike të viteve 1970 midis Shtetet e Bashkuara dhe Arabia Saudite. Por si dollari dhe nafta u bënë “binjakë siamezë” të pandashëm? Le të kthehemi pas, më konkretisht në vitin 1974, në një botë që po dridhej nga pasiguria ekonomike dhe fantazmat e Luftës së Ftohtë. Ishte një kohë kur SHBA-ja po përjetonte një nga krizat më të rënda të saj, sepse heqja e standardit të arit më 1971 e kishte lënë dollarin “të zhveshur”, ndërsa embargoja e naftës arabe e vitit 1973 i kishte boshatisur nga makinat rrugët e Amerikës, Japonisë dhe të Europës.

Në këtë skenë kaosi, pasigurie dhe frike, lindi një nga marrëveshjet më gjeniale dhe më jetëgjata të historisë moderne. Në qershor të vitit 1974, Sekretari i sapoemëruar i Thesarit i SHBAsë, William Simon, u nis drejt Arabisë Saudite me një mision që dukej i pamundur. Ai nuk po shkonte thjesht për të blerë naftë, por për të shitur një ide. Uashingtoni kishte nevojë që dollari të mbetej monedha rezervë e botës, ndonëse nuk ishte më i lidhur me arin. Nga ana tjetër, Arabia Saudite ishte e tmerruar nga destabilizimi rajonal, kërcënimi sovjetik dhe mundësia e një pushtimi nga fqinjët. Marrëveshja që u arrit ishte e thjeshtë në dukje, por monumentale në efektet e saj ekonomike. Arabia Saudite do të shiste naftën e saj ekskluzivisht në dollarë amerikanë. Në këmbim, SHBA do të ofronte mbrojtje ushtarake të palëkundur për mbretërinë dhe pajisje luftarake të teknologjisë së lartë. Jo vetëm kaq, sepse kishte edhe një kusht tjetër “të padukshëm”. Sauditët do t’i riinvestonin fitimet e tyre të majme (tepricën e dollarëve) përsëri në SHBA, duke blerë Tituj të Thesarit (Treasury Bonds). Kjo marrëveshje krijoi një cikël të përjetshëm. Çdo vend në botë që donte të blinte naftë nga Arabia Saudite (e më vonë nga i gjithë OPEC-u, që ndoqi shembullin e saj), duhej fillimisht të blinte dollarë. Kjo krijoi një kërkesë të pafundme për monedhën amerikane. Edhe nëse ekonomia e SHBA-së kishte probleme, dollari mbetej i fortë sepse bota ishte “e etur” për energji dhe rruga drejt energjisë kalonte vetëm përmes dollarit. Ky ishte momenti kur dollari u bë “ari i zi” i ekonomisë moderne. Ai nuk mbështetej më në një metal të verdhë të groposur në Fort Knox, por në fluksin e vazhdueshëm të naftës që rridhte nëpër tubacionet e Lindjes së Mesme. Për SHBA-në, ky ishte “privilegji ekzorbitant” siç e quante Valery Giscard d’Estaing, sepse ajo mund të printonin para për të blerë naftë dhe pastaj ato para ktheheshin sërish në Uashington si investime në borxhin e tyre shtetëror.

Ky sistem funksionoi si një sahat zviceran për 50 vjet. Por, në vitin 2026, narrativi po ndryshon. Kur flitet sot për armëpushimin me Iranin dhe normalizimin e Ngushticës së Hormuzit, a nuk do të thotë kjo edhe për goditjen e shtyllës kryesore të kësaj marrëveshjeje: Mbrojtjen Ushtarake? Nëse Arabia Saudite dhe fqinjët e saj nuk ndihen më të kërcënuar nga Irani dhe nuk kanë nevojë për mbrojtjen “ekskluzive” amerikane si në vitin 1974, ata nuk kanë më asnjë arsye ekzistenciale për të mbajtur naftën të lidhur vetëm me dollarin. Sot, kur Kina është blerësi më i madh i naftës saudite, pyetja që shtrohet në tryezat e Jeddah-ut nuk është më “si të mbrohemi”, por “pse të mos paguhemi në Yuan?”

Binjakëzimi i vitit 1974 ishte një martesë interesi e lindur nga frika dhe nevoja për stabilitet. Sot, nëse Ngushtica e Hormuzit (pas raundeve të bisedimeve) kthehet në një urë paqeje dhe kjo martesë duket se po shkon drejt një divorci miqësor, ku nafta po fillon të “takohet” edhe me monedha të tjera, duke e cenuar epokën monolitike të petrodollarit.

ANALIZA E AKTIT TË PAQES DHE DIVERSIFIKIMI I MONEDHËS

Që nga viti 1974, roli i ushtrisë amerikane në Gji ka qenë ai i një “kompanie sigurimi” globale. Vendet e Gjirit (GÇ) pranonin dollarin si monedhë të vetme sepse vetëm SHBA-ja mund të garantonte që nafta e tyre do të kalonte e sigurt nëpër Hormuz, pavarësisht kërcënimeve iraniane. Një marrëveshje e pritshme me Iranin (përmbajtja përfundimtare e secilës ende nuk dihet) a do ta lëjë praninë masive ushtarake (si Flota e Pestë në Bahrein) njësoj si më parë apo do ta bëjë të duket e tepërt ose “jashtë mode”. Në se ndodh kjo e dyta dhe rreziku i bllokimit të ngushticës zhduket përmes diplomacisë, “çmimi” që vendet e Gjirit duhet të paguajnë (besnikëria ndaj dollarit) nuk ka më të njëjtën vlerë strategjike. Forcat e armatosura pushojnë së qeni mjeti i vetëm që mbron rrjedhën e parave. Nga Patrullimi Luftarak në Monitorim Multilateral. Deri dje, siguria e Hormuzit ishte një operacion i drejtuar nga SHBA-ja dhe çdo tension rriste vlerën e dollarit si monedhë duke e quajtur një “port i sigurt”. Me një armëpushim, (që mendohet të arrihet) pritet që siguria e kalimit detar të kalojë në duart e një koalicioni rajonal ku Irani dhe Arabia Saudite të bashkëpunojnë. Atëherë, pasoja është e qartë. Nëse siguria detare bëhet “multilaterale”, edhe monedha e transaksioneve do të shkojë drejt një rruge të tillë. Ushtria amerikane humbet rolin e saj si “portier” i vetëm i naftës, duke u hapur rrugën vendeve si Kina që të kërkojnë që blerjet e tyre të bëhen në Yuan, meqenëse rreziku ushtarak është minimizuar. Vendet e Gjirit kanë qenë blerësit më të mëdhenj të armatimeve amerikane, duke i paguar ato me petrodollarë. Ky ka qenë një cikël i mbyllur. Shesim naftë në dollar dhe blejmë armë amerikane me ato dollar dhe në këtë mënyrë sigurojmë mbretëritë tona. Prandaj dhe marrëveshja nuk është shumë e lehtë.

Një paqe e qëndrueshme me Iranin ul nevojën për blerje emergjente të sistemeve raketore dhe avionëve të gjeneratës së fundit. Me më pak kontrata miliarda dollarëshe për mbrojtje, vendet e Gjirit do të kenë më pak nevojë të mbajnë rezerva masive në dollarë, duke i diversifikuar ato edhe drejt monedhave të tjera ose arit apo kriptomonedhave.

Me heqjen e sanksioneve dhe normalizimin e marrëdhënieve, Korpusi i Gardës Revolucionare Iraniane pushon së qeni “shkatërruesi i mundshëm” i petrodollarit përmes sabotimit. Në vend të kësaj, Irani integrohet në sistemin tregtar. Këtu duket paradoksi më i madh i kohës sonë. Duke sjellë paqe, SHBA-ja po “sakrifikon diçka” nga nevoja që bota ka për praninë e saj ushtarake në Gji. Pa këtë prani dominuese ushtarake, detyrimi për të përdorur dollarin si monedhë “rezerve” a do të shkrihet gradualisht? Përgjigjja e kësaj pyetjeje është sa e vështirë aq dhe e paparashikueshme. Le të bëjmë disa hipoteza. A po shkojmë drejt një bote post-Petrodollar apo thjesht drejt një “bashkëjetese” monedhash?

Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, duhet të imagjinojmë arkitekturën financiare globale jo si një godinë statike prej guri, por si një ekosistem që po pëson një ndryshim klimatik. Pyetja nëse po shkojmë drejt një bote “postpetrodollar” apo drejt një “bashkëjetese monedhash” nuk ka një përgjigje bardhë e zi, por një nuancë që po fillon të anojë disi drejt kësaj të dytës: fragmentarizimit të kontrolluar. Këndvështrimet kryesore mendoj se janë:

RËNIA E MONOPOLIT, POR JO E MBRETIT

Për pesë dekada, dollari nuk ishte thjesht një monedhë, ai ishte dhe vazhdon të jetë “gjuha amtare” e tregtisë botërore. Nëse do të blije naftë në Riad, makineri në Berlin apo grurë në Buenos Aires, duhej të kaloje përmes Uashingtonit. Ky monopol u ndërtua mbi dy shtylla dhe me konkretisht, besimi te stabiliteti amerikan dhe nevoja për siguri ushtarake në Gji. Sot, me normalizimin e pritshëm të marrëdhënieve IranSHBA dhe hapjen e Ngushticës së Hormuzit si një zonë paqeje, shtylla e dytë, ajo e sigurisë, po lëkundet. Kur frika nga një luftë rajonale zbehet, nevoja për të paguar “haraçin” e besnikërisë monetare ndaj dollarit fillon e zbehet bashkë me të. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se dominimi i dollari, do të bjerë e do të zhduket. Ai po kalon nga statusi i një “diktatori absolut” në atë të një” kryeministri në një qeveri koalicioni”. Lindja e Bashkëjetesës nuk është gjë tjetër veçse ajo që ekspertët e quajnë “Multi-currency World”. Ajo që po ndodh nuk është “vdekja e dollarit”, por lindja në rritje e alternativave që deri dje ishin të paimagjinueshme. Imagjinoni një treg nafte ku Arabia Saudite pranon Yuan-in kinez për të paguar infrastrukturën e saj gjigante, Emiratet e Bashkuara Arabe përdorin Ruplin indian për tregtinë e ushqimeve, dhe Irani tregton gazin e tij me Europën përmes një mekanizmi në euro.

Kjo është “bashkëjetesa”. Në këtë botë të re, dollari mbetet monedha më e lëngshme dhe më e besueshme për tregjet kapitale, por ai zbeh disi ekskluzivitetin mbi mallrat bazë (commodities). Ky proces quhet “de-dollarizim i skajeve”. Ndërsa qendra e sistemit mbetet e lidhur me dollarin për shkak të thellësisë së tregjeve financiare amerikane, “arteriet” që furnizojnë botën me energji po diversifikohen.

PSE “POST-PETRODOLLARI” ËSHTË NJË TERM I FORTË?

RREZIKU I “FRAGMENTARIZIMIT”

Megjithatë, bashkëjetesa sjell me vete edhe kaos. Një botë me shumë monedha është një botë me kosto më të larta transaksioni dhe me më shumë pasiguri kursesh. Për vendet e Gjirit, ky është një akt balancimi i rrezikshëm. Ata duan të mbajnë dollarin si rezervë vlere (për t’u mbrojtur nga inflacioni), por duan të përdorin monedha të tjera për tregti (për të kënaqur blerësit e tyre të mëdhenj si Kina dhe India vendet e BRICS etj.).

Përfundimi: Një rend i ri “hibrid”

A po hyjmë në një epokë hibride. Nuk do të ketë një ditë ku bota do të zgjohet dhe dollari do të jetë i pavlerë Harrojeni. Në vend të kësaj, ndoshta në terma afatgjatë, ne mund të shohim një zbehje graduale, ku dollari do të bashkëjetojë me Yuan-in, Euron dhe arin në një sistem ku asnjë fuqi e vetme nuk mund të “mbyllë rubinetin” e financave botërore!

Normalizimi i Ngushticës së Hormuzit është goditja simbolike që shpall këtë fillim. Kur energjia rrjedh lirshëm dhe pa frikë ushtarake, monedha që e blen atë bëhet thjesht një mjet këmbimi, jo më një mjet dominimi. Bota post-petrodollar nuk është një botë pa dollarë, por një botë ku dollari është i pari mes të barabartëve, dhe ku Ngushtica e Hormuzi (në varësi të marrëveshjes që do të arrihet) nuk është më një pikë vëzhgimi amerikane, por një treg i lirë global. Përndryshe…?!

Në këtë sfond, roli i BRICS merr rëndësi të veçantë. Përpjekjet e Kinës dhe Rusisë për të zhvilluar tregti energjetike në monedhat e tyre kombëtare nuk janë thjesht masa teknike, por pjesë e një projekti më të gjerë për një rend monetar multipolar. Edhe pse dollari mbetet dominues, këto zhvillime sinjalizojnë një përpjekje për të arritur një erozion gradual të monopolit të petrodollarit.

Në përfundim, petrodollari mbetet një shtyllë qendrore e ekonomisë globale, por jo më e pakontestuar. Ai po hyn në një fazë tranzicioni, ku forcat e globalizimit, rivalitetet gjeopolitike dhe inovacionet financiare po ndërveprojnë për të riformësuar balancat ekzistuese. Pyetja thelbësore nuk është nëse petrodollari do të zhduket, por në çfarë mase dhe me çfarë ritmi ai do të përshtatet në një botë gjithnjë e më multipolare?

Komentet

Bëhu i pari që komenton!

Lini një Koment të Ri

Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.

🔒 Komenti juaj do të publikohet pas miratimit nga moderatori.