Rrëfimet e të pastrehëve mes qirave, bonusit, sëmundjeve dhe kredive
Shkatërrimi që la pas tërmeti i vitit 2019 nuk është harruar. Pasojat janë të dukshme, teksa ky fundviti i gjen sërish jashtë shtëpive të tyre shumë banorë të pallateve të dëmtuara në Durrës.
Një tjetër vit me ecejake të shumta. Pas largimit nga pallati, i destinuar për shembje, Ramizi bashkë me familjen u strehuan në Mal të Robit, në Kavajë, aty ku qiraja ishte më e ulët. Nuk është i vetmi, ndaj teksa përshkon kilometra të tëra për të ardhur çdo ditë në Durrës, kërkon të drejtën e strehimit dhe pronës.
“Po luhet me 2 standarde. Unë jam ende me kredinë që mora për shtëpinë. Jam rrugëve. Atje ku rri duan të më nxjerrin jashtë se janë rritur qiratë, ndërsa bonusi herë jepet, herë jo. Jemi shumë të shqetësuar dhe duam që pallati të ndërtohet këtu. Para disa muajsh kryetarja e bashkisë i raportoi kryeministrit se janë bërë 90% e punimeve të tërmetit, po nëse kryeministri do të vijë ta shikojë gjendjen skandaloze në lagjen 5. Nuk lëvizim nga kërkesa jonë kushdo që të na kërcënojë”, thotë Ramiz Çobaj.
Banorët akuzojnë mosveprimin e shtetit për pasojat që la pas tërmeti i 26 nëntorit.
“Ky është dëmtuar nga dora e njeriut. Ka qenë projektuar për 7 kate dhe u bë 11 dhe kur ra tërmeti nuk e përballoi ngarkesën.
Përgjegjësi për këtë nuk mban askush. E vuajmë ne qytetarët e thjeshtë. Ne morëm banesë këtu se patëm garancinë e shtetit, zyrës së urbanistikës e tapisë. Ky pallat tani është për t’u shembur. Na thanë ikni largohuni dhe na nxorën në rrugë të madhe. Bonusin e qirasë herë na e japin dhe herë jo. Tani na thotë kryetarja e bashkisë do të ikni në kënetë”, shprehet Kastriot Zotaj.
Banorët e pallateve që nuk janë shembur ende janë të shqetësuar për strehimin e tyre në lagjen e re në Spitallë që po ndërtohet nga Fondi për Zhvillim i Abu Dhabit.
“Unë mezi ika nga fshati në kohën e diktaturës. Kam 60 vjet në Durrës. Sot me 4 sëmundje kronike dhe 7 unaza në zemër të shkojë të rrijë atje. Është internim, po dhe ai kishte kufi kohor”, thotë Zotaj.
Janë të shumta familjet durrsake që kundërshtojnë strehimin e tyre në periferi, ku kostot rriten dhe cilësia e shërbimeve bie. Ndërkohë mungesa e transparencës dhe komunikimit me qeverisjen vendore po e rrit më tej tensionin mes tyre.
Top Channel