Kronika

Rrihet personi që “arrestoi” Xhuvanin pas masakrës

Dërgohet në spital Enver Basha. Policia arrestoi dy dhunuesit në Qytetin Studenti

Kostandin XhuvaniPasditen e djeshme është dhunuar me shkelma, grushte dhe sende të forta personi kyç në vrasjen e 4-fishtë, me autor Kostandin Xhuvanin, i cili gjithashtu ndihmoi policët ta arrestonin këtë të fundit. Nga burime të policisë mësohet se dje është dhunuar Enver Basha, djali që ndihmoi policinë të arrestonte Kostandin Xhuvanin. Ndërkaq, efektivët e Komisariatit Nr.1 në Policinë e Tiranës kanë arrestuar mbrëmjen e djeshme shtetasit Flamur Bulica, 27 vjeç dhe Ardit Sula, 19 vjeç. Sipas burimeve policore, të dy janë arrestuar nga patrulla e parë, pasi kanë rrahur dhe plagosur në mënyrë të dhunshme Enver Bashën. Ngjarja ka ndodhur në orët e pasdites së djeshme, pranë Qytetit Studenti. Arrestimi i tyre është bërë pasi ata akuzohen për plagosje të rëndë me dashje. Ndërkohë, Basha ndodhet në Spitalin e Traumës për shkak të plagëve të rënda që ka marrë. Burime nga ky spital thanë se Basha ka marrë fraktura në rënda në trup. Në fillim të nëntorit të vitit 2014, Enver Basha la punën në picerinë ku punonte dhe rrugës për në shtëpi ai kishte parë skenën e largimeve të personave, pasi ishin kryer vrasjet në lokalin “Ante Grand”. Fillimisht ai kishte parë Arbër Demirin dhe më pas kishte mësuar edhe 3 të tjerë ishin vrarë në lokal nga Kostandin Xhuvani. Më pas, Basha e kishte parë Aleksandër Xhuvanin teksa vraponte rrugës drejt Fakultetit të Gjuhë-Letërsisë. Enver Basha, i është vënë mbrapa me motor dhe e parakaloi te fakulteti. Basha  e kishte çarmatosur dhe ndaluar Kostandinin, teksa policia, me ndihmën e Bashës e futi në makinë. Që prej asaj dite Enver Basha ndihej i kërcënuar, pasi e gjithë shoqëria e Xhuvanit banon në Qytetin Studenti, ku banon edhe Basha. Ndërkaq, ai vetë dhe familjarët e kishin denoncuar disa herë presionin dhe kërcënimet nga persona të ndryshëm, derisa mbrëmë ai u dhunua nga dy personat. Për sa i përket shkakut të dhunimit të Bashës, ende nuk është dhënë ndonjë version, teksa paraprakisht i dhunuari i ka thënë policisë se nuk kishte ndonjë konflikt të mëparshëm me këta 2 persona. Momentalisht, të dy, Bulica dhe Sula ndodhen të ndaluar për dhunën e ushtruar ndaj Bashës dhe në deklarimet e tyre paraprake mësohet të jenë shprehur se e kishin rrahur pas një sherri. Në ditët në vijim pritet të sqarohen rrethanat e kësaj ngjarjeje, për të parë nëse ka lidhje me vrasjet te lokali “Ante Grand”, apo është e shkëputur prej saj.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button