Opinion

Rrugë pa krye me gënjeshtra e Berishës dhe Rithemelimit

Nga PETRO DHIMITRI

Arrestimi i Sali Berishës dhe, po të ndodhë, dënimi i tij si për privatizimin e Kompleksit ”Partizani”, ka gjasa më vonë edhe për humbjet e jetëve të njerëzve të pafajshëm të 21 Janarit dhe Gërdecit, nuk do të thotë se Berishizmi mori fund. Nuk do të thotë se erdhi koha  që Shqipëria të shpëtojë nga një e keqe e madhe. Janë idhujt e tij të grupit të Rithemelimit  që kanë marrë stafetën për të çuar deri në fund mosbindjen civile të iniciuar prej tij. Në fillim doktori përdori fjalën revolucion, po, me që mund të kishte pasoja nga dhuna që do të shkaktonin turmat e drejtuara prej tij, e zëvendësoi fjalën revolucionin me mosbindje civile. Në asnjë nen të Kodit Penal nuk  flitet për mosbindjen civile?! Doktori i lan duart si Pillati?!

        Në thirrjet e tij patetike për demonstrata ”masive” ai dështoi me turp. Pjesëmarrja ishte shumë e vogël.  Demokratët  e ndershëm nuk donin të bëheshin mish për top për interesat e tij në përballjen me SHBA-në dhe Anglinë që e kanë shpallur NON  GRATA. Kjo e bëri që të vinte në funksionim planin B:  Bllokimin e punimeve të Parlamentit. Kësaj ia doli me sukses. Tymuese, flakë, bilbila, zhurmues, bllokim telefonash, përmbysje karrigesh para foltores, hyrje nga dritaret e deri hedhje vezësh ishin mjetet efikase të tij para arrestimit. Ato vazhdojnë edhe sot e kësaj dite nga ithtarët e sëmurë që e pasojnë. Një nga shfaqjet më të turpshme të kësaj histerie politike ishte kur deputeti Flamur Noka u hodhi miell gardistëve. Portretet e tyre të zbardhura dukeshin si statuja të palëvizshme. Nuk iu tremb fare syri .Ata po kryenin vetëm detyrën.
         Lind pyetja: pse kjo anomali ekstreme? Përgjigja:  Ajo filloi sapo SPAKU ( që e drejtokërka Edi Rama) nisi të vepronte edhe për të djathtën, duke vënë  në shënjestër vetë ish liderin e tyre.
          GRUPIM KUNDËR SHBA-së, BRITANISË SË MADHE DHE PERËNDIMIT
         Kjo situatë nuk kishte për të ndodhur, në rast se Berisha nuk kishte për të filluar hapur luftën e tij kundër SHBA-së. E pati nisur me kohë kundër ish shtatë ambasadorëve të cilët çuditërisht informonin gabimisht Washingtonin për situatën në Shqipëri?! Kulmi arriti me Sekretarin e Shtetit, zotin Anthoni Blinken, që guxoi të firmoste shkresën për shpalljen e Berishës si njeri që nuk duhet të shkeli në tokën amerikane. Motivacioni: korrupsion i lartë i tij dhe familjes së tij, shpërdorim detyre dhe kapje për gryke e drejtësisë. Kaq mirë e kanë shoshitur veprimtarinë e doktorit amerikanët sa edhe fëmijët e tij të korruptuar nuk janë të denjë për të shkuar në SHBA. Siç dihet, atje ka jetuar vajza e Stalinit, vajza e Hrushovit dhe jetojnë fëmijët e Osama Bin Ladenit. Jo vetëm kaq po nga përtej oqeanit erdhi  dhe një dërgesë speciale te PD për t’i thënë hapur zotit Lulzim Basha: OSE ME NE OSE ME BERISHËN!
 Kështu nisi lufta e Berishës kundër personaliteteve të Washingtonit, doemos edhe kundër vetë SHBA-së. Tani ajo nuk është vetëm lufta e një individi kundër Amerikës. Është lufta e tërë grupit të Rithemelimit që kanë për kryetar Sali Berishën. Le të gënjejnë sa të duan  duke thënë se jemi me SHBA-në dhe Perëndimin. Nuk mendoj se i beson njeri. SHBA-ja është ndarë një herë e mirë me Sali Berishën dhe ithtarët e tij. Disa prej tyre presin ,duke lutur zotin, të fitojë Trampi zgjedhjet e pritshme Presidenciale, sepse, sipas tyre, ai ka për t’ia hequr nofkën NON GRATA Berishës?! Harrojnë se procesi Berishë në Washington filloi kur vetë Trampi ishte President?!
         Kjo është një nga arsyet që thirrjet e Berishës për pjesëmarrje masive në demonstrata deri tani kanë dështuar për të mos thënë kanë rënë në vesh të shurdhët. Demokratët e vërtetë nuk mund të jenë kundër aleatit tonë shpëtimtar.
         KUNDËR DIKTATURËS SË EDI RAMËS
         Duke marrë fjalën në foltore zoti Paloka krahasoi diktatorin Enver Hoxha me Edi Ramën. Ashtu si populli hodhi poshtë monumentin e diktatorit, e coptoi dhe e përmori atë, atë fund ka për të patur dhe Edi Rama.
         Po të ishte Shqipëria në diktaturë, siç pretendojnë Berisha dhe idhtarët e tij, a do të kishte guxuar Paloka të shprehte ato mendime? A do të kishin guxuar rithemeluesit të  bllokonin punimet e Parlamentit duke përmbysur karriget duke i vënë edhe flakën! A do të lejoheshin të hidhnin tymuese , të poshtëronin gardistët dhe përfaqësuesit e qeverisë? Të gjithë këta trima të ”diktaturës” sonë kishin për të përfunduar  në qelira. Familjet e tyre menjëherë kishin për t’u larguar nga Tirana për kushedi se ku në ndonjë fshat të humbur.
         Me qëllim dashakeqas Berishjanët nuk duan të pranojnë verdiktin e popullit që u dha të majtëve votën për të pasur shumicën në Parlament. Kjo do të thotë se ata kanë të drejtë të caktojnë kryeministrin dhe Presidentin. Të majtët kanë për detyrë të hartojnë ligjet si i mendojnë  dhe  i duan ata. Jo si do opozita, sepse atyre populli ua ka dhënë këtë të drejtë. Kur opozita të jetë në pushtet  ajo do të hartojë ligjet që dëshiron. Le të durojnë pak. Vetëm një vit na ndan nga zgjedhjet e reja! Në këtë palo diktaturë të Ramës janë të regjistruara në Gjykatë mbi 125 parti, nga të cilat 50 janë pak si më aktive. Në këtë diktaturë njerëzit jetojnë dhe punojnë ku të duan, besojnë ç’të duan, kritikojnë kë të duan, madje dhe shpifin pa u dënuar…Nuk duhet harruar se , sot për sot, Shqipëria, sikur më të aftin kryeministër të botës të ketë, nuk mund të jetë si Italia, Greqia, Spanja, Franca, Gjermania, Anglia…Sado të punojë çdo qeveri, pakënaqësi ka për të pasur. Mirqënia e humbur ndër shekuj nuk mund të zbresë aq shpejt si një balonë nga qielli.
          Edhe për çështjen e shumë përfolur të komisioneve hetimore të Parlamentit, që ka bërë propozimet grupi i deputetëve të Rithemelimit, e majta qeverisëse ka të drejtë që nuk i merr parasysh ato. Si mundet Rama, aleat i ngushtë i SHBA-së, Anglisë dhe kryeministër i një shteti kandidat për t’u pranuar në BE, të miratojë kërkesat e një grupi deputetësh të Rithemelimit që janë antiamerikanë sikundër prijësi i tyre legjendar?! Ai e ka shpallur me kohë që me NON GRATËN ne nuk duam të kemi asnjë lidhje. Do të ishte ndryshe, po të qe se nuk kishin për t’u marrë parasysh kërkesat e drejta të deputetëve të PD-së zyrtare. Me ata, edhe për kodin zgjedhor, e majta është duke bashkëpunuar. Dikush mund të thotë se PD zyrtare ka vetëm 7 deputetë, ndërsa Rithemelimi 45. Dakord. Në këtë rast nuk ka rëndësi numri i tyre. Kryesore është qëndrimi  që kanë grupet ndaj korrupsionit , SPAK-ut dhe aleatëve tanë.  Washingtoni nuk do t’u dëgjojë as emrin Berishës dhe idhtarëve të tij. Amerikanët janë të vendosur në përpjekjet që kanë  ndërmarrë për të luftuar korrupsionin në Ballkanin Perëndimor. Qeveria Rama po bashkëpunon ngushtë me ta. Nuk po përpiqet të ndihmojë asnjë nga hajdutët, qofshin ata midis radhëve të njerëzve të tij të preferuar. Dy-tre ministra dhe një ish zëvendëskryeministër  i majtë që u bënë pre e SPAK-ut nuk janë pak?! Nuk është se ata i lëshon Rama. Ata kanë lëshuar veten që kur janë përfshirë në afera zhvatëse.. Edhe ata njësoj si Berisha. Po nëse nga socialistët nuk as dhe një lëvizje sado e vogël të jetë kundër drejtësisë së re, tërë Rithemelimi është vënë në mbrojtje të një të korruptuari me damkë ndërkombëtare si Sali Berisha. Në mbrojtje të tij ata janë gati të djegin dhe Shqipërinë. SPAK-u për ata është vetëm një vegël qorre e Ramës, etj., etj…
                GËNJE TË GËNJEJMË…
           Që Berisha njihet si një kampion i gënjeshtrës, kjo dihet. Tani po e mësojmë saktë që edhe pasuesit e tij kanë po atë sifat, siç shprehet populli. Nuk mund t’i themi  ndryshe, veçse GËNJESHTËR faktit që deputetët e Rithemelimit arrestimin e zotit Sali Ram Berisha quajnë  akt politik ,kur ai akuzohet për një veprim konkret që bie erë një kilometër larg për korrupsion. E para, iu vodh toka shtetit. E dyta nga 135 metër katror që i takonin dhëndrit të tij, ai u bë pronar në 35-40 për qind i 19 pallateve shumëkatëshe?! Pa na u ndryshua enkas dhe ligji që blerja të bëhej me bono?! I ra që shteti të kishte goxha humbje. Ku hyn politika në këtë mes, kur kemi të bëjmë me një vjedhje  të pastër?! Po vendimin e Gjykatës së Strasburgut të të Drejtave të Njeriut që e quajti 21 Janarin KRIM SHTETËROR akt politik kemi për ta quajtur?!
          Gënjeshtër e radhës për ta është edhe akuza që i bëjnë zonjës Nikolla e cila ka përjashtuar padrejtësisht nga 10 deri në 20 ditë alabakët e Rithemelimit për aktet e tyre të rrugaçërisë brenda dhe jashtë Parlamentit?! Përmes transmetimeve televizive populli i ka parë ato veprime të shëmtuara. 10 deri 20 ditë përjashtim për rrugaçët me kollaro dhe diploma universitare është shumë pak.
           Tjetër gënjeshtër e freskët e tyre: kur u dha lajmi se zoti Anthoni Blinken do të vijë në Tiranë në 16 shkurt, menjëherë një gazetar zëdhënës i familjes Berisha, botoi një shkrim që thoshte se lajmi nuk është i vërtetë. Blinkeni nuk do të vijë, po qeveria e bën për të fituar pikë. U detyrua Washingtoni ta përgënjeshtronte këtë gënjeshtër, duke pohuar vizitën e Sekretarit të Shtetit duke cilësuar datat përkatëse. Heshtën si pa  të keq. Nuk u skuqet faqja as për gënjeshtrat që lidhen me veprimet diplomatike. Ec e kuptoje zotin Flamur Noka kur thotë se ky Parlament nuk do të gjejë paqe. Ka kaluar çdo kufi, në një kohë që parlamenti është brenda parametrave normalë, ndërsa veprimet e grupit të Rithemelimit kanë kaluar çdo kufi të durimit si të qeverisë, po edhe të popullit që kurrsesi nuk dëshiron që ligjet të miratohen pa  diskutime midis pozitës dhe opozitës, si kudo në botën e qytetëruar. Edhe në këtë rast kemi vetëm gënjeshtër.
            Pse deputetët e Rithemelimit gënjejnë sa hapin gojën? Nisen nga mendimi që ithtarët kanë për t’i besuar. Edhe për të tjerët mendojnë se diçka ka për t’ju mbetur në tru. Në qoftë  se jo 100 për qind, janë të kënaqur edhe me një 20 për qind?! Duan që njerëzit të besojnë që SPAK-un e drejton Rama, kur amerikanët thonë se e drejtojmë ne, që Shqipëria po boshatiset nga rinia prej qeverisjes së keqe, duke harruar që edhe kur Berisha e Meta ishin në pushtet, rinia gjithashtu e kishte ëndërr të shkonte në Evropë. Ngrihen kundër çdo projekti që është në të mirë të Shqipërisë. Madje edhe për tunelin e Llogorasë thanë se bëhet për të ndihmuar biznesmenët, thua se në atë rrugë populli nuk ka për të kaluar?! Me një fjalë ,janë gati ta bëjnë të bardhën të zezë vetëm për t’iu kundërvënë qeverisë së zgjedhur nga populli. Le që ata asnjëherë nuk e kanë pranuar rezultatin e zgjedhjeve. Kjo u jep të drejtë ta quajnë qeverinë ilegjitime ose bandë që ka ardhur në pushtet përmes mashtrimit.
           NË PUSHTET JO PËRMES ZGJEDHJEVE, PO VETËM ME DHUNË ?!
           Kjo nuk është një ide e re, e shpikur nga Berisha dhe ithtarët e tij. E ka zbatuar Lenini që në viitin 1917 dhe ia pa hajrin. I takon shekujve të kaluar dhe historisë. Në ditët e sotme kur Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe ka hyrë në procesin për t’u pranuar në Bashkimin Europian, kjo ide nuk është gjë tjetër veçse lajthitje Berishjane. Edhe pse dekada më parë doktori e rrëzoi Kryeministrin  Fatos Nano me tanket e Gardës, duke pushtuar edhe Radio-Televizionin Shqiptar , u detyrua nga SHBA dhe Evropa e Bashkuar të strukej te selia e PD-së, si majmun i tërhequr prej veshit. Me që nuk ka zënë mend nga ajo orvatje e shëmtuar për grusht shteti, përsëri ka injektuar vartësit e tij të verbër se në pushtet do të vijmë vetëm përmes dhunës. Ndryshe nuk kanë si ta mundin përbindëshin Rama.
             Zgjedhjet as nuk i llogarisin fare. E dinë që populli nuk i voton. Pasqyra më e saktë ishte në zgjedhjet vendore ku ballafaqimi popullor pozitë-opozitë përfundoi 53 me 6 për të majtët. Edhe këto zgjedhje nuk i njohën, se i paskan vjedhur të majtët. I mëshojnë fort fjalës vjedhje për të përligjur idenë se vetëm me revolucionin e tyre ose mosbindjen civile të dhunshme mund të fitojnë. Mirë e keni, zotërinj, po kush ka për t’ju lënë? SHBA-ja, Anglia dhe Evropa ? Jo e jo, kurrë jo! Që të nesërmen, po e morët, fjala vjen, Kryeministrinë me forcë dhe do të dëboni Ramën, do të vijnë njerëzit e duhur për t’ua vënë të dy këmbët në një këpucë. Jo vetëm kaq. Kësaj here dera e SPAK-ut ka për të qenë e hapur për ju katërkanatësh. Thirrini mendjes, o të uruar, dhe binduni se në pushtet mund të vini vetëm përmes zgjedhjeve. Ky është ligji numër 1 i demokracisë. Nguliteni mirë në mendje. Si ju duket, o trima të doktor Saliut, se Anthony Blinken vjen në Shqipëri për shëtitje dhe që të shikojë pikturat e Ramës?
              Keni edhe një vit kohë të krijoni partinë tuaj dhe të mos strehoheni si lypsarë te
strofkulla pa çati e Ilir Metës. Keni kohë të ndaheni nga  NON GRATA dhe të bëheni opozitë demokratike e vërtetë për të cilën Shqipëria ka shumë nevojë. Keni kohë t’u hapni krahun të rinjve me ide  demokratike evropiane. Vetëm atyre populli mund t’u besojë. Për sa kohë ju shqyhet zëri duke bërtitur: ”O Sali, o hero, Shqipëria ty të do!” rrugëve keni për të mbetur! Përfaqësoni një grupim që në histori ka për t’u cilësuar si mbeturinë Mesjetare në Shqipërinë moderne me turizëm shpërthyes. Të zgjuar dhe patriotë janë vetëm ata që në çaste tejet të vështira dinë të gjejnë zgjidhje demokratike në të mirë të Atdheut.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button