SARAJEVË – Soreca: Ballkani Perëndimor duhet të kalojë nga përfitues në kontribues të sigurisë
– Ambasadori i Bashkimit Evropian dhe përfaqësuesi special i BE-së në Bosnje-Hercegovinë, Luigi Soreca, deklaroi se siguria e Ballkanit Perëndimor është e lidhur ngushtë me sigurinë kolektive të Evropës dhe se vendet e rajonit duhet të luajnë një rol më të madh si kontribuues në sigurinë evropiane, sipas EEAS.
Duke folur në hapje të Konferencës së Sigurisë në Sarajevë 2026, më 4 shtator në Sarajevë, Soreca prezantoi vizionin e BE-së për arkitekturën e sigurisë në Evropë dhe rolin që zgjerimi i Unionit mund të luajë në këtë proces.
Soreca vlerësoi se lufta që po zhvillohet prej katër vitesh pranë kufijve të Evropës, ka ndryshuar në mënyrë thelbësore arkitekturën e sigurisë evropiane dhe përbën ndryshimin më të rëndësishëm në këtë fushë, që nga përfundimi i Luftës së Ftohtë.
Sipas tij, paqëndrueshmëria në Lindjen e Mesme dhe ndryshimi i qasjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me kërkesën për një vetëbesim më të madh evropian në çështjet e sigurisë, po e shtyjnë Evropën drejt një përgjegjësie më të madhe strategjike për mbrojtjen e saj.
Ambasadori përmendi disa zhvillime që, sipas tij, dëshmojnë këtë ndryshim.
Ai tha se pothuajse të gjithë aleatët evropianë të NATO-s kanë tejkaluar tashmë pragun prej 2% të PBB-së për shpenzimet e mbrojtjes, ndërsa që prej shkurtit 2026 forcat evropiane po marrin gjithnjë e më shumë rol drejtues në strukturat komanduese të NATO-s.
Sipas Soreca-s, tregjet evropiane të mbrojtjes po unifikohen për të mundësuar prodhim me kapacitet të lartë, ndërsa në agjendën e BE-së është edhe prokurimi i përbashkët dhe objektivi që të paktën 50% e pajisjeve të mbrojtjes, të sigurohen nga furnizues evropianë.
Ai theksoi gjithashtu se kapaciteti vjetor i Evropës për prodhimin e municioneve është rritur gjashtëfish krahasuar me tre vite më parë.
Në këtë kontekst, Soreca vlerësoi se kërcënimet ndaj sigurisë nuk kufizohen vetëm në kufijtë e jashtëm të Evropës, duke paralajmëruar për rritjen e ndërhyrjeve të huaja në vendet e BE-së dhe në Ballkanin Perëndimor.
Ai nënvizoi se siguria e Bosnje-Hercegovinës është e lidhur drejtpërdrejt me sigurinë kolektive evropiane dhe se misioni “EUFOR Althea”, vazhdon të ketë një rol të rëndësishëm në mbështetjen e autoriteteve vendase për ruajtjen e një mjedisi të sigurt për qytetarët.
Soreca tha se BE-ja dëshiron që vendet e Ballkanit Perëndimor të kalojnë nga përfitues të sigurisë në kontribues të sigurisë, si në rajon ashtu edhe përtej tij.
Në këtë kuadër, ai bëri të ditur se përmes “Instrumentit Evropian të Paqes” janë alokuar gjithsej 98 milionë euro për Ballkanin Perëndimor, ndërsa 35 milionë euro, ose rreth një e treta e shumës, i janë dhënë Bosnje-Hercegovinës.
Ambasadori theksoi se, përveç përafrimit me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë dhe Politikën e Përbashkët të Sigurisë dhe Mbrojtjes të BE-së, vendet e Ballkanit Perëndimor, mund të kontribuojnë edhe me ekspertizë dhe partneritete.
Sipas tij, katër vende të rajonit kanë kontribuar me trupa dhe ekspertë në misionet e BE-së në kuadër të Politikës së Përbashkët të Sigurisë dhe Mbrojtjes.
Soreca shtoi se rajoni ka mbi 200 kompani të industrisë së mbrojtjes, të afta të prodhojnë municione në përputhje me standardet e NATO-s, veçanërisht në Serbi dhe Bosnje-Hercegovinë.
Ai përmendi gjithashtu partneritetet e sigurisë dhe mbrojtjes që BE-ja ka nënshkruar me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në nëntor dhe dhjetor 2024, ndërsa tha se Mali i Zi është në proces për një marrëveshje të tillë.
Në fjalën e tij, Soreca e cilësoi zgjerimin e BE-së si një element thelbësor të qasjes së re evropiane ndaj sigurisë dhe mbrojtjes.
Sipas tij, zgjerimi nuk nënkupton vetëm zgjerimin gjeografik të Unionit, por edhe forcimin e tij si një faktor stabilizues gjeopolitik në Evropë.
Përsa i përket procesit të zgjerimit, ambasadori tha se viti 2026 pritet të jetë një vit rekord për progresin.
Ai vuri në dukje se Mali i Zi ka mbyllur më shumë se gjysmën e kapitujve të negociatave dhe se shtetet anëtare të BE-së kanë nisur përgatitjet për Traktatin e Anëtarësimit.
Për Shqipërinë, Soreca tha se vendi ka nisur zyrtarisht mbylljen e kapitujve dhe se, potencialisht, mund t’i përfundojë negociatat deri në fund të vitit 2027.
Ai theksoi se integrimi gradual i vendeve të Ballkanit Perëndimor në strukturën ekonomike të BE-së është gjithashtu thelbësor për sigurinë dhe mbrojtjen.
Për këtë qëllim, sipas tij, BE-ja po e mbështet rajonin përmes investimeve, programeve të reformave dhe hapave gradualë drejt integrimit.
Soreca përmendi në veçanti Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor, të lançuar në vitin 2024, si një nga instrumentet e BE-së për të nxitur reformat dhe integrimin ekonomik të rajonit.
Ai vlerësoi se integrimi i Ballkanit Perëndimor në strukturat evropiane të sigurisë, mbrojtjes dhe ekonomisë është pjesë e një qasjeje më të gjerë, për forcimin e qëndrueshmërisë së Evropës përballë kërcënimeve të reja.
Ambasadori theksoi gjithashtu rëndësinë e shtetit të së drejtës, duke argumentuar se siguria nuk mund të ekzistojë pa respektimin e tij.
Sipas tij, në një periudhë pasigurie, konkurrencë globale dhe rritje të politikës së presionit, BE-ja synon të mbetet një partner i qëndrueshëm dhe i bazuar në parime për rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Në përfundim, Soreca nënvizoi se oferta e BE-së për sigurinë dhe mbrojtjen e rajonit përfshin integrimin e zinxhirëve të furnizimit të industrisë së mbrojtjes, lidhjen me rrjetet e avancuara të sigurisë kibernetike dhe financimin e infrastrukturës me përdorim të dyfishtë.
Ai rikujtoi se në rajon janë të dislokuara dy prej misioneve më të mëdha ushtarake dhe civile të BE-së, EUFOR dhe EULEX Kosovo, duke theksuar se zgjedhja e paqes, stabilitetit dhe sigurisë mbetet në themel të drejtimit strategjik të Evropës. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.