BRUKSEL – Kallas anulon krijimin e grupit të ri evropian të mbrojtjes pas presionit nga shtetet anëtare
– Shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, ka anuluar krijimin e një grupi të ri këshillimor për mbrojtjen, vetëm pak ditë pasi e kishte prezantuar, pas kundërshtimit të fortë nga disa shtete anëtare, sipas “Euronews”.
Kallas e kishte njoftuar grupin e ri javën e kaluar, gjatë një takimi joformal të ministrave të Mbrojtjes të BE-së në Irlandë.
Grupi do të mblidhte së bashku figura politike dhe ushtarake për të ndihmuar në hartimin e një qasjeje të re ndaj mbrojtjes europiane.
“Qëllimi është që disa prej mendjeve më të afta në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, të mblidhen së bashku dhe të ofrojnë zgjidhje të reja, për mënyrën se si mund të plotësojmë më shpejt boshllëqet dhe të jemi më efektivë”, tha më herët Kallas.
Megjithatë, vetëm pak ditë më vonë, iniciativa u anulua në heshtje.
Personat e ftuar në aktivitetin e prezantimit, i cili ishte planifikuar të zhvillohej sot në Bruksel, në formën e një bisede joformale me Kallas, u anulua dje pasdite.
Vendimi i papritur erdhi pasi disa shtete anëtare kundërshtuan krijimin e grupit, duke e konsideruar atë si një qasje të gabuar për trajtimin e çështjeve të mbrojtjes europiane.
Kjo ndodhi pavarësisht faktit se grupi do të kishte vetëm rol këshillimor dhe nuk do të kishte kompetenca, për të marrë vendime në emër të shteteve anëtare.
“Vlerësimi ynë nuk ka ndryshuar, Evropa duhet të veprojë më shpejt në fushën e mbrojtjes. Evropa ende duhet t’i përgjigjet pyetjes për të cilën ishte krijuar grupi, si të forcojmë më shpejt mbrojtjen evropiane”, tha për “Euronews” një zyrtar i BE-së, i cili kërkoi të mbetej anonim.
Presion mbi Kallas
Shërbimi Europian i Veprimit të Jashtëm (EEAS), struktura diplomatike e BE-së, ndodhet tashmë nën presion politik.
Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, ka kërkuar gradualisht një rol më të madh në politikën e jashtme të BE-së, duke u përplasur me Kallas për çështje të rëndësishme, përfshirë marrëdhëniet me Izraelin.
Ndërkohë, një propozim i fundit franko-gjerman, parashikon që EEAS të vendoset nën mbikëqyrjen e drejtpërdrejtë të presidentes së Komisionit Evropian.
Në këmbim, përfaqësuesja e lartë për Politikën e Jashtme do të merrte një portofol, dukshëm më të gjerë.
Fakti që iniciativa e Kallas për grupin e ri u kundërshtua dhe u anulua pa u lançuar ende zyrtarisht dhe madje pa u bërë publike lista e pjesëmarrësve, përbën një goditje të rëndësishme politike për Kallas.
Kjo vjen vetëm pak kohë pasi ajo kishte vendosur drejtues të rinj në EEAS, me një fokus të fortë te çështjet e mbrojtjes, në përpjekje për të forcuar pozicionin e saj brenda strukturave të BE-së. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.