Së shpejti Forumi Biznesi Shqipëri–Tunizi, specialistë për të identifikuar sektorët potencial të bashkëpunimit
Ambasadori i Tunizisë për Shqipërinë, paraqet kredencialet pranë Presidentit të Republikës.
Konsulli i Nderit të Tunizisë në Shqipëri, zoti Nikolin Jaka mirëpriti më datë 8, 9 dhe 10 maj 2017, Ambasadorin e Tunizisë i cili mbulon Shqipërinë, SH .T. Dr. Lassaad M’hirsi, i cili paraqiti letrat kredenciale pranë Presidentit të Republikës së Shqipërisë. Programi i takimeve për SHTZ. Dr. Lassaad M’hirsi, ishte tejet e ngjeshur në takime me zyrtarët më të lartë të shtetit tonë si dhe me njerëz që i përkasin sipërmarrjes. Me datë 9 maj Presidenti i Republikës, zoti Bujar Nishani pranoi Letrat Kredenciale të Ambasadorit të Republikës së Tunizisë, M’hirsi, rezident në Athinë. Po në këtë datë, në takimin që zhvilloi Zv. Ministria e Punëve të Jashtme, zonja Odeta Barbullushi, u diskutuan çështjet mbi bashkëpunimin biletaral ndërmjet dy vendeve, nga ku u theksua se Tunizia dhe vendi ynë kanë interes në liberalizimin e vizave për pasaportat Diplomatike dhe ato të Shërbimit, e bazuar në një marrëveshje të përbashkët ndërmjet dy vendeve, duke mirëpritur nga pala jonë një vijim procedurash për t’u konkretizuar në një të ardhme të afërt, nga ku pritet një vizitë e Ministrit tone të Jashtëm në Tunizi për të konfirmuar dhe nënshkruar këto marrëveshje. Gjithashtu, M’hirsi theksoi se me përparësi janë dhe Marrëveshjet e Tregtisë së Lirë dhe Amendimi i Marrëveshjes për heqjen e taksimit të dyfishtë, duke shtuar një nen, që u mundëson autoriteteve fiskale të shkëmbejnë informacion. Këto marrëveshje, në tezat e Ambasadorit M’hirsi ishin edhe me prioritarë për t’u nënshkruar dhe konfirmuar nga të dy vendet. Këto dy Marrëveshje do të mundësojnë jo vetëm shkëmbimin e informacionit fiskal por do të forcojë lidhjet ekonomike mes dy vendeve dhe është në dobi të bizneseve tuniziane e atyre shqiptare.
Po në këtë datë, me 9 Maj 2017, Sh.T.Z. Lassad M’hirsi pati një takim të rëndësishëm me Kryetarin e Bashkisë së Kryeqytetit, zotin Erion Veliaj, nga ku u mirëprit dhe u konfirmua dëshira e mirë e binjakëzimit të dy kryeqyteteve, Tirane – Tunis. Në këtë takim u bisedua rreth miqësisë mes dy vendeve tona, mundësive për të intensifikuar bashkëpunimin mes Tiranës dhe Tunis, në karakteristikat e përbashkëta që të dy kryeqytetet ndajnë me njëri- tjetrën, si në rritjen e turistëve tuniziane në Tiranë, nxitjen e ardhjes së sipërmarrjeve tuniziane, shkëmbimin e eksperiencave më të mira etj.
Më datë 10 Maj 2017, Ambasadori Dr. Lassaad M’hirsi u mirëprit nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, zonja Milva Ekonomi nga ku ndanë mundësitë e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve në aspektin ekonomik-tregtar, duke i theksuar si të një rëndësie të veçantë, organizimin e një Forumi Biznesi Shqipëri – Tunizi në fund të vitit, nga ku me pas do të ndiqet dhe ngritja e një komiteti të përbashkët specialistesh për të identifikuar sektorët potencial të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve. Znj. Ekonomi ftoi Z. Ambasador, të përcjellë ftesën për Panairin Mesdhetar të Turizmit, i cili pritet të organizohet në muajin prill të vitit 2018. Zoti Lassaad M’hirsi u mirëprit gjithashtu nga Kryetari i Kuvendit, zoti Ilir Meta, nga ku u konfirmua dëshira e madhe për të bashkëpunuar dhe inicimi i përgatitjes së një vizite të Z. Meta në Tunizi në muajt Shtator- Tetor 2017.
Takimi me sipërmarrjen
Më datë 10 maj 2017, Konsullata e Tunizisë në Shqipëri dhe konsulli i saj, zoti Nikolin Jaka, nën cilësinë dhe të Kryetarit të DHTIT, zhvilluan një takim të rëndësishëm me kryetarët e shoqatave të Turizmit, të Transportit, të Materialeve dhe Prodhimit të Riciklimit, të Prodhuesve, si dhe sipërmarrës që kane shprehur interes maksimal për eksportimin e produkteve të tyre në Tunizi. Konsulli i Nderit theksoi rëndësinë e marrëveshjes për heqjen e vizave përgjatë sezonit turistik nga ku të dy vendet mund të eksplorojnë mundësitë e turizmit që ofron Shqipëria dhe Tunizia.
Gjate takimit u vu theksi në rëndësinë që ka rritja e shkëmbimeve tregtare mes dy vendeve përmes organizimeve të Forumeve te Biznesit për rritjen e shkëmbimeve tregtare me Tunizinë. Ambasadori në këtë takim theksoi rëndësinë e Ligjit të Investimeve e cila ka reduktuar barrierat dhe procedurat për investitorët e huaj në Tunizi, dhe konfirmoi të gjithë suportin e tij për të nxitur dhe vendosur kontakt me të gjitha ato kërkesa të cilat ju parashtruan për nxitjen e sipërmarrësve Shqiptare dhe Tuniziane në B2B edhe përpara organizimin të forumit. Fusha të mundshme bashkëpunimi me Tunizinë të cilat u përmendën dhe u diskutuan nga palët ishin, turizmi, bujqësia dhe produktet bujqësore, industria e lehtë, etj. Tunizia, ka mjaft të zhvilluar turizmin bregdetar dhe kulturor. Çdo vit në Tunizi shkojnë miliona turistë. Nisur nga fakti që edhe Shqipëria ka potenciale të mëdha për turizëm bregdetar, zoti Jaka cilësoi se mund të shfrytëzohet përvoja tuniziane në këtë drejtim. Shkëmbimi i përvojave të projekteve për zhvillimin rural të integruar, dhe transferimin e teknologjive bujqësore në kultivimin e ullirit dhe pemëve frutore ishin ceshtjet e diskutimit mbi potenciale e ofruara nga Tunizia. Konsulli i Nderit, zoti Jaka shprehu edhe një herë vlerësimin e tij për frymën konstruktive të bisedimeve që zhvilluan së bashku me SHTZ. Lassaad M’hirsi, të cilat besojnë se i kontribuojnë jo vetëm nivelit të shkëlqyer të marrëdhënieve mes ekonomive të të dy vendeve por dhe ofrimin e angazhimit maksimal të Konsullatës së Tunizisë në Shqipëri, në gjetjen e tregjeve te reja dhe ndikimin dhe promovimin e produkteve Tuniziane në vend dhe rajon. Gjithashtu, theksojmë se Konsullata e Tunizisë vijon të komunikojë çdo ditë me Ambasadën e Tunizisë në Athinë, jo vetëm për çështje konsullore, por edhe në informimin e sipërmarrjes së vendit tone, mbi aktivitetet, ekspozitat, panairet që organizohen në të dy vendet respektive.