Seanca në 6 prill, Haradinaj: S’e di çfarë është drithërimi, jam shqiptar
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe ish-kryeministri Ramush Haradinaj ka akuzuar sërish se procesi gjyqësor në ngarkim të tij është një lojë politike.
Kur pritet të dalë para gjykatës franceze në 6 prill, Haradinaj tha gjatë një interviste për RTK se nuk trembet.
“Jam shqiptar dhe nuk e di çka është drithërimi”, është shprehur Haradinaj. “Unë jam shtetas i Kosovës dhe Serbia nuk ka juridiksion mbi Kosovën ndërsa sa i përket luftës gjithçka është shqyrtuar rreth meje në Tribunalin e Hagës”, tha Haradinaj.
“Këto ndjekje që iu bëhen qytetarëve shqiptarë, duhet t’i shohim si përpjekje të Serbisë për të penguar rrugëtimin e shqiptarëve në Ballkan”, tha Haradinaj.
“Nuk do të ndodhë që ata t’i fusin më duart në Kosovë”, ka thënë Haradinaj. Ai tha se kjo që po bën Serbia me të do të jetë e disfavorshme për vetë Serbinë e cila po hapë tema të reja, e të cilat domosdo që do t’i humbë.
Haradinaj ka folur edhe për Epopenë e Dukagjinit, e cila do të fillojë të shënohet nesër pa prezencën e tij në Gllogjan.
“Rezistenca e familjes Jashari zgjoi shqiptarët kudo që ishin. Beteja e radhës u zhvillua në Gllogjan. Epilogu i kësaj beteje ishte i duhuri sepse ikën me turp serbët dhe u çua porosia se është e mundur me fitu luftën, nëse jemi të bashkuar”, ka thënë Haradinaj.
Ndërkohë ai e ka quajtur qeverinë “Mustafa” një fat të keq, pasi sipas tij, e ka çuar vendin në një gjendje të rëndë.
“Kosova është shpenzuar shumë dhe më vjen keq që është një gjendje e tillë”, ka thënë ai. Po ashtu, ai tha se në Kosovë ka pasur gjithnjë gatishmëri që t’iu jepen serbëve të drejta.
Kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj po qëndron i ndaluar nga 4 janari në Francë pas ekzekutimit të një urdhër arresti serb të vitit 2004 nga policia franceze.