Seanca në Gjykatën Administrative/ Thoma Gëllçi kërkon rikandidimin për Drejtor të Përgjithshëm të RTSH. Avokati: Atij i është shkaktuar një dëm i madh moral
Avokati i tij Dorjan Matlija është shprehur në këtë seancë gjyqësore, e cila ka filluar rreth orës 13:00 dhe që drejtohet nga gjyqtarja Afërdita Maho, se Këshilli Drejtues i Radio Televizionit Shqiptar ka shkelur statutin, duke marrë një veprim për shkarkimin e tij përkundër rregullores që përcakton ligji.
“Më datë 20 maj, është mbledhur Këshilli Drejtues i RTSH dhe vendosi që Gëllçi të mos qëndrojë më në detyrë. Statuti parashikon se kjo mbledhje duhej të kërkohej nga një e treta e Këshillit Drejtues. Është bërë një mbledhje me votim të hapur, ligji nuk e parashikon këtë gjë. Ende nuk është hapur një garë për Drejtorin e Përgjithshëm të RTSH dhe kanë kaluar pesë muaj. Ai e ka gati platformën dhe kërkon të rikandidojë përsëri”, dekslaroi avokati. Ai kerkon shpërblim dëmi dhe pagimin me rrogë mujore si drejtor i përgjithshem i TVSH derisa të emërohet drejtori i ri, por edhe dhjetë paga si dhe 100 mijë lekë dëmshpërblim moral mbasi i është cënuar reputacioni përmes njoftimit te shkarkimit nga detyra.
Sipas avokatit Matlija, Gëllçi është i paraburgosur, por ai vazhdon të kërkojë rikandidmin e tij për këtë post.
Ai tha se ish-kreut të RTSH i është shkaktuar një dëm moral, ndërsa është kërkuar një dëmshpërblim sipas pagave sikur ai të ishte në detyrë.
“Kërkojmë që pala e paditur të hapë garën dhe t’i japë mundësi Gëllçit për të rikandiduar sërish”, tha avokati i tij.
Në padinë e depozituar në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë, kërkohet anulimi i aktit administrativ për shkarkimin e tij nga detyra, i Këshillit Drejtues të RTSH, si një akt i paligjshëm, rregullimin e të gjitha pasojave që kanë të bëjnë me zgjidhjen e marrëdhënies së punës, shpërblimin e dëmit jopasuror si rrjedhojë e veprimeve të palës së paditur në cilësinë e organit mediatik, si dhe detyrimin për të shpallur të hapur garën për pozicionin e Drejtorit të Përgjithshëm të RTSH për t’i dhënë mundësinë të kandidojë.
Ish-drejtori i RTSH bashkë me tre punonjës akuzohen për pabarazi në tendera dhe abuzim me detyrën në kohë kur Gëllçi ishte në krye të RTSH.
Shkelja bën fjalë për një tender të vitit 2018 me fond prej 86 milionë lekë për blerjen e pajisjeve për kanalin RTSH Agro, ku tre anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, Alban Malaveci, Ervin Muraj dhe Julian Tapia akuzohen për shkelje të barazisë në tender.
Nga hetimet gjithashtu ka rezultuar se Thoma Gëllçi si ish-drejtori i
Përgjithshëm i Radio Televizionit Shqiptar ka kryer shkelje ligjore në këtë procedurë prokurorimi dhe akuzohet për shpërdorim detyre.
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka kërkuar arrest me burg për katër të dyshuarit, kërkesë e cila është pranuar nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.