Kryeartikull

Sfida e “Bletës së Artë” shqiptare

MONIKA SHOSHORI STAFA 

Monika Shoshori Stafa“Ka marrë fund njëherë e mirë periudha kur sipërmarrja përdorej nga qeveria. E kam ndier në vijimësi se mungesa e besimit tuaj me shtetin është një problem i madh që duhet ta kapërcejmë së bashku. Do të mund të merrni mbështetjen që meritoni, një besim të palëkundur, ne jemi këtu që t’i përgjigjemi në kohë reale çdo sipërmarrësi. Dua t’ju kërkoj ndjesë për gjithçka që mund të mos ketë funksionuar në praktikat me shtetin. Na ndihmoni të shpëtojmë të gjithë bashkë një orë e më parë nga inspektorët që nuk mishërojnë ambicien tonë, Shqipërinë europiane të sipërmarrjes së lirë, dhe njerëzve që nuk u tremben ideve të mëdha”.

E. Rama, 21. 12. 2014, Tiranë

50 sipërmarrjet më të suksesshme në vend u vlerësuan me çmime nga qeveria shqiptare, në një ceremoni të organizuar në një mbrëmje “gala”. Në meritë të promovimit, inovacionit, cilësisë dhe përgjegjësisë sociale, 15 biznese u vlerësuan me çmimin “Bleta e Artë”. I rikthyer për të dytin vit radhazi dhe premtuar për traditë në vijim aktiviteti mori përmasat e një eventi dinjitoz për të inkurajuar lindjen e një biznesi të ri në Shqipëri dhe krijimin e një marrëdhënieje të re me sipërmarrjen private. Pak kohë më parë qeveria premtoi që për një vit do të përmirësonte 12 vende në listën e vendeve të “Doing Business”. Dhe në fjalën e tij të rastit ministri i Ekonomisë, u duk se i pohoi këto rezultate. Shifrat rezultuan një sukses. 40 vende ishte përmirësuar pozicioni i Shqipërisë në “Doing Business”.

Por çfarë është “Doing Business”?  Fjalë për fjalë natyrisht ka një kuptim më të thjeshtë, d.m.th., të ngresh një biznes e të shkosh përtej eficiencës që mund të mbajë tregu. Por ‘Doing Business’ është një botim–raport i Bankës Botërore i nisur 12 vjet më parë, ai trumbetohej si një nga sukseset më të jashtëzakonshme në marrëdhëniet me publikun në të gjithë botën. Edhe vjeshtën e fundit, asgjë nuk kishte ndryshuar që nga Mbretëria e Bashkuar në Mianmar, nga India në Kosta Rika, e deri në Sri Lanka. Media raportoi dhe krijuesit e politikave iu përgjigjën. Shpejt, “The Economist” shkroi me germa të mëdha mbi këtë çështje të vitit “Ku nuk duhet investuar në Europë”. Nuk ka asnjë studim apo raport tjetër që të mund të thithë vëmendjen e botës aq shumë sa projekti “Doing Business” i Bankës Botërore, arrin të kapë. I 12-ti në serinë e raporteve vjetore ai është cilësuar si i vetmi raport që përcakton dhe mat me shumë korrektesë rregullat që nxisin lindjen dhe aktivitetin e çfarëdo biznesi apo dhe ato që e kufizojnë atë.

Njerëzit i duan konkurset dhe media e ka shumë për zemër renditjen e suksesit në çdo fushë, megjithëse ajo vetë drejtohet nga njerëzit më të pasur në planet si “Forbes” p.sh. sepse sipas ekspertëve, listat dhe renditjet në përgjithësi e bëjnë të lehtë tejçimin e informacionit, komunikimin e tij. Ato janë të dobishme sidomos për politikëbërësit nëse duan të shtyjnë më tej reformat e një vendi. Megjithatë, konsiderohen të rrezikshme kur rezultatet janë çorientuese dhe kur “lojërat” me renditjen bëhen më të rëndësishme se fokusimi në atë, që me të vërtetë ka rëndësi për reformat e vërteta. Raporti i 2015 i “Doing Business”, si çdo vit bën të njohur nga hulumtimet soc-ekonomike-politike, treguesit sasiore mbi rregullat e biznesit dhe mbrojtjen e të drejtave të pronësisë në rreth 189 vende duke filluar nga Afganistani e deri në Zimbabve. Ky raport analitik i Bankës Botërore jep të dhëna mbi çfarë kriteresh duhet të ngrihet një biznes. Raportet e “Doing Bussines” gjithashtu kanë gjithçka brenda për t’i bërë ato të parezistueshme për mediat. Në të gjitha historitë e përshkruara aty duket se ka një fokus të qartë: ekonomia e vërtetë, me parimet joabstrakte; sipërmarrjet në veçanti dhe sipërmarrësit e vërtetë. Raportet flasin për problemet e tyre në të gjithë botën, si dhe ciklin e tyre të jetës që nga lindja (regjistrimi) e deri te falimenti, por raporti i fundit i “Doing Business” 2015 gjithashtu ka një mesazh të qartë për hartuesit e politikave që në krye të herës. Shumë sipërmarrës në mbarë botën vuajnë nga rregulloret e rënda dhe të kalbura të biznesit. Pse ndodh që merren vetëm dy procedura ligjore, dy ditë, apo më pak se 1 për qind e të ardhurave vjetore për frymë për të regjistruar një kompani private në Australi? Dhe 19 të tilla në Bjellorusi, Çad, apo dhe Kolumbi thonë kërkimet? Pse një njeri duhet të paguajë 5.531$ në Angola për të ngritur një biznes të ri, ndërsa në Zelandën e Re vetëm 28$? Së fundi, dhe ç’është më e rëndësishmja, kjo nuk është një renditje që mbetet gjithmonë e qartë, sepse gjithmonë ka surpriza të çuditshme. Historitë e papritura të suksesit përforcojnë gjithmonë e më shumë qëllimin që Banka Botërore ka ndërmarrë qëkurse nisi këtë marrëdhënie të shkëlqyer me publikun se nëse ndonjë vend i ndjek sugjerimet konkrete të saj për t’u bërë një vend i shëndetshëm do të arrijë padyshim në rezultate të mahnitshme. Gjithmonë kam besuar se ka një gjen gjeniu te të gjithë brenda nesh, si dhe libri “Genius in all of us” përshkruan  që duhet të konsiderohet nga krijuesit e politikave ambicioze, të cilët kur vijnë në pushtet duhet të mbajnë atë premtimin e tyre megjithëse elektoral në dukje, dhe ta kthejnë në një premtim të bukur: rikën e shëmtuar të përrallës ta kthejnë në një mjellmë të bardhë e të bukur, duke u dhënë shpresë të gjitha rikave të tjera të shëmtuara në këtë botë.

Janë rreth 11 fushat e betejës që çdo qeveri duhet t’i përballë si sfida për t’iu afruar listës së vendeve më afër klasifikimit në majë të listës së të bërit biznes në mënyrë të suksesshme. Dhjetë nga këto beteja janë të përfshira në renditjen e këtij viti në lehtësinë e të bërit biznes: lehtësime në nisjen e një biznesi, përmirësime në sektorin e ndërtimit që ka të bëjë me nxjerrjen e lejeve të ndërtimit, masat e aksesit dhe limitet e një biznesi të ri në pajisjen me energji elektrike, regjistrimi i pronës, matja e forcës e sistemeve të raportimit të kredive dhe efektiviteti e kolateralit, mbrojtja e investitorëve me përqindje të ulët kundrejt keqpërdorimit të aseteve nga drejtorët për përfitimet e tyre personale, pagesa e taksave, tregtia tej kufijve të vendit, zbatimi i pikave të kontratave deri në një dhe zgjidhja përfundimtare e paaftësisë së shumë kompanive për t’u dhënë paga punonjësve. “Doing Business 2015″, ky botim i Bankës Botërore gjithashtu vlerëson rregullimin e tregut të punës, i cili nuk është përfshirë në renditjen e këtij viti. Treguesit janë përdorur për të analizuar rezultatet ekonomike dhe identifikojnë se çfarë reformash mbi rregulloren e biznesit kanë funksionuar, ku dhe pse. Po ta shohësh me kujdes, raporti i këtij viti duket se paraqet një zgjerim të dukshëm të disa grupe treguesish dhe ndryshime të reja në përllogaritjen e renditjeve të vendeve. Në finale të të gjithë suksesit në “Doing Business” mbetet shpejtësia në shërbim, transparenca e shërbimit, reduktimi në shërbimet e detyruara dhe mirësjellja ndaj sipërmarrjes.

Si duhet të arrihet një rankim i lartë i Shqipërisë në raportin e përvitshëm të “Doing Business”? A është e drejtë të pohojmë se mediat dhe politikbërësit duhet të “lexojnë më shumë” mbi renditjen e “Doing Business”? Në fakt, shumica e retorikës hiperbolike mbi rëndësinë e renditjes të “Doing Business” ka ardhur nga vetë Banka Botërore. Promovimi i historive të suksesit ka qenë në qendër të pretendimeve se ky është një lloj i ndryshëm sondazhit, dhe se nëse vendet e varfra këto shifra i marrin seriozisht, ato kanë gjasa t’i shpëtojnë varfërisë brenda pak viteve. Në vitin 2012, Banka Botërore prezantoi dhjetë vendet e saj sipas të dhënave që kish nxjerrë, ku klima e biznesit ishte përmirësuar që prej vitit 2003. Ato ishin Gjeorgjia, Ruanda, Bjellorusia, Burkina Faso, Maqedonia, Egjipti, Mali, Kolumbia, Taxhikistani dhe Republika e Kirgistanit. Në fakt, ajo që kishte ndihmuar në popullaritetin global të “Doing Business” ishte se pothuajse të gjitha kandidaturat ishin fituese në një kategori apo në një tjetër. Po këtë vit ekspertë të Bankës Botërore gjetën se nuk kishte asnjë shtet anëtar në Bashkimin Europian ku të ishte aq e lehtë për të filluar një biznes apo për të regjistruar pronën ashtu siç mund të ishte në Bjellorusi. Një habi mahnit vërtet! Ose p.sh. një habi tjetër, që një investitor ishte më mirë i mbrojtur në Bjellorusi sesa në Gjermani. Por në fund fare autorët e “Doing Business” argumentojnë se kërkimi i tyre nuk e kundërshton thënien e vjetër se “një fustan nuk u bën të gjithëve”, duke sugjeruar ndershmërisht se të dyja rrugët, diagnostikimi dhe medicina e duhur mund të shërojë plagët e një blete tjetër të artë në fluturim.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button