Kronika

Shau motoçiklistin se i gërvishti makinën, merr dy plumba pistolete

Vetëm një gërvishtje e makinës nga një motor mjaftoi për ta inatosur drejtuesin e mjetit, i cili shau motoçiklistin, por si përgjigje mori dy plumba. Gjithçka u zhvillua brenda pak minutave, në kryqëzimin e Porcelanit me Unazën, kur 26-vjeçari Xhevahir Shabani u qëllua me pistoletë nga një person i paidentifikuar. Gjendja shëndetësore e të plagosurit nga Miloti është tepër e rënduar, pasi një nga plumbat e ka prekur në gjoks dhe i rrezikon mushkërinë. Nga ana tjetër, nuk ka ende ndonjë të dhënë rreth personit që qëlloi me armë, teksa efektivët e Krimeve të Rënda në Policinë e Tiranës dhe ata të Komisariatit Nr. 1 në kryeqytet kanë nisur hetimet, për të arritur në identifikimin dhe arrestimin e tij.

Plagosja

Pa shkuar ora 15:00 e ditës së djeshme, në rrugën “Hoxha Tahsim”, një mjet tip “Volksvagen”, ngjyrë gri, me targa italiane DW250TH, që drejtohej nga Xhevahir Shabani, u gërvisht lehtë nga një motor i zi tip “Kawasaki”. Burimet policore nga vendi i ngjarjes dhe dëshmitarët okularë, thanë për gazetën se përplasja e lehtë ndodhi pak metra larg kryqëzimit, poshtë sheshit “Shtraus” dhe motoçiklisti ngadalësoi paksa shpejtësinë, për të parë ç’kishte ndodhur. Nga ana tjetër, sipas dëshmive nga vendi i ngjarjes, drejtuesi i mjetit ndaloi makinën dhe vuri re gërvishtjen. I acaruar nga ajo çfarë pa, 26-vjeçari i është drejtuar me fjalë fyese dhe tepër të rënda drejtuesit të motorit, duke pretenduar se ishte faji i tij. Por të njëjtën gjë pretendonte edhe motoçiklisti dhe të dy shkëmbyen sharje. Sekondat pasardhëse ishin fatale, pasi drejtuesi i motorit iu afrua shoferit të makinës dhe e qëlloi dy herë me pistoletë. Duke i dhënë gaz motorit ai u largua me shpejtësi. 26-vjeçari doli nga makina dhe për pak sekonda qëndroi në këmbë, duke kërkuar ndihmë. Më tej, ai ra në tokë, teksa kalimtarë dhe banorë të zonës e ndihmuan, duke i dhënë ndihmën e parë shëndetësore.

Dëshmitë

“Nuk i mbajtën këmbët dhe ra në tokë. Një grua i shpëtoi jetën, sepse i vuri menjëherë dorën në gjoks, ku kishte marrë plumbin. Ajo ia ndaloi gjakderdhjen.” Kjo është dëshmia e një shitëseje të lagjes, biznesi i së cilës është pak metra larg vendit të ngjarjes. “Dëgjova dy të shtëna dhe pastaj njerëz që bërtisnin me të madhe. Kur u afrova ai vetëm lëvizte kokën dhe nuk fliste. Njerëzit ndaluan një makinë në rrugë dhe e dërguan menjëherë në spital”, vijon shitësja. Ndërkaq, shitës të tjerë pohuan se i plagosuri mbante dorën në gjoks, prej nga rridhte gjaku dhe kërkoi që ta ndihmonin. Kishte ecur për pak hapa dhe më pas ra në tokë. Për motoçiklistin, asnjë nga dëshmitarët nuk kishte ndonjë ide, nëse ishte apo jo banor i zonës. Kurse për të plagosurin disa kishin dëgjuar se prej një muaji ishte kthyer nga SHBA-ja, ndërsa makina ishte e një shoku.

Hetimet

Ekspertët e policisë fillimisht kryen veprimet e para hetimore të këqyrjes së vendit të ngjarjes, fiksimit të provave, sekuestrimit të gëzhojave dhe mbledhjes së dëshmive të para. Nga të njëjtat burime policore mësohet se në momentet e para të mbërritjes në spitalin “Nënë Tereza”, ai është shprehur me pak fjalë se nuk e njihte autorin, ndërsa e përshkroi si të moshës 25 deri në 30 vjeç, me trup mesatar. Policia kreu verifikimet e para, nga të cilat i plagosuri nuk rezulton me precedentë penalë. Për të mësuar më tepër rreth skenën së ngjarjes, janë sekuestruar kamerat e bizneseve përreth. Familjarët gjithashtu kanë pohuar se Xhevahiri nuk kishte konflikte, si dhe kërkuan arrestimin e autorit të ngjarjes. Policia paraprakisht ka disa të dhëna, pasi janë identifikuar disa të rinj që përdorin këtë lloj motori, ndërsa po këqyren edhe kamerat e policisë apo bashkisë, për të mësuar lëvizjet e këtij mjeti, para dhe pas ngjarjes.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button