SHBA: Nuk ka asnjë plan të fshehtë për shkëmbim territoresh Kosovë – Serbi
Këto komente u bënë në një deklaratë të përbashkët të ambasadorit Richard Grenell i dërguar i posaçëm i presidentit Donald Trump për bisedimet e paqes Kosovës – Serbi, ambasadori amerikanë në Kosovë, Philip Kosnett dhe përfaqësuesit të posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer.
Në deklaratë thuhet se Shtetet e Bashkuara qëndrojnë përkrah qytetarëve të Kosovës. “Ne i vlerësojmë përpjekjet e vazhdueshme të profesionistëve të shëndetësisë dhe të tjerëve që janë duke punuar shumë, ndonëse nën rrezik, për të penguar zgjerimin e COVID-19 në Kosovë. Në këtë kohë të pasigurisë, ne i nxisim udhëheqësit e Kosovës që të veprojnë në pajtim me Kushtetutën e Kosovës dhe sundimin e ligjit. Ne jemi të përkushtuar që të punojmë me çdo qeveri të formuar përmes procesit kushtetues”.
Për më tepër, thuhet në deklaratë, “vazhdojmë t’u bëjmë thirrje udhëheqësve të Kosovës që të heqin tarifat tërësisht. Besojmë se tarifat po dëmtojnë qytetarët e Kosovës duke penguar bashkëpunimin rajonal kundër COVID-19 – përfshirë edhe pengimin e hyrjes në Kosovë të furnizimeve të nevojshme, dhe duke penguar rritjen ekonomike”.
“Duam ta bëjmë të qartë, se nuk ka asnjë plan të fshehtë për shkëmbim territoresh ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, siç kanë spekuluar disa. I dërguari i posaçëm presidencial, Richard Grenell, nuk e ka parë dhe as diskutuar kurrë një plan të tillë” thuhet në deklaratë në të cilën nënvizohet se “përqendrimi i qeverisë amerikane në mbështetjen e marrëveshjeve të fundit për të rivendosur lidhjet ajrore, hekurudhore dhe autostradën midis Kosovës dhe Serbisë synon të përmirësojë ekonominë dhe të krijojë një vrull ekonomik. Ne besojmë se ky vrull do t’i japë energji të re një procesi dialogu që do të çonte në njohje të ndërsjellë”, thuhet në deklaratë.
Deklarata e diplomatëve amerikanë u bë një ditë pasi që parlamenti i Kosovës miratoi mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë së Kosovës, që u hodh nga Lidhja Demokratike.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha të enjten se “qëllimi i mosbesimit nuk ishte rrëzimi i qeverisë sa dobësimi i qeverisjes. Ndërkaq kuptimi i mosbesimit ishte porosia ambasadorit Grenell: në Kosovë janë mbi 80 deputetë të gatshëm të rrezikojnë edhe jetët e qytetarëve vetëm që të kalojë shkëmbimi presidencial”.
Kurti: Qëllimi i mosbesimit nuk ishte rrëzimi i qeverisë sa dobësimi i qeverisjes
Gjatë debatit të së mërkurës në parlamentin e Kosovës, kryeministri Kurti u shpreh i bindur se “ka marrëveshje të gatshme”, ndërmjet presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë, Aleksandër Vuçiç për shkëmbim territoresh.
“Faktikisht këtë ma ka konfirmuar edhe presidenti (Hashim Thaçi) në takimin me të. Për dy orë e takova, dhe a e dini çka më tha: ‘Hiqe kryeministër taksën dhe shkojmë në Shtëpinë e Bardhë dhe e heqim qafe Serbinë. Këta kryeministrat tjerë janë kryeministra të emëruar, unë e ti jemi të zgjedhur nga populli’. Pra nuk është ideja me heq këtë qeveri për taksën, por me heq qeverinë e me i hap rrugë marrëveshjes. Këto pazare nuk mund të me kenë mua si bashkëpunëtor”, tha ai.
Të enjten mbrëma, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, falënderoi diplomatët amerikanë për deklaratën.
“Në duhet ta shfrytëzojmë mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për rifillimin e bisedimeve dhe për të arritur marrëveshjen përfundimtare për njohjen e ndërsjellë (Kosovë – Serbi) dhe anëtarësimin në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Lajmet e rreme dhe spekulimet janë kërcënim i vazhdueshëm për këtë synim”, shkroi ai.
Në një postim në rrjetin facebook ai shkroi se duhet nënvizuar që “Grenell dhe Palmer pohojnë se SHBA do të bashkëpunojnë me secilën qeveri te Kosovës që del nga proceset kushtetuese. Pra, nuk kanë qëndrim kundër një subjekti, siç kanë bërë propagandë disa persona në Kosovë. Diplomatët kërkojnë respektim të kushtetutës dhe jo individë që e vendosin veten mbi kushtetutën dhe mbi institucionet. Proceset kushtetuese për qeverinë ofrojnë këto opsione: zgjedhje të reja, mandatim i LV nga presidenti, e deri atëherë, vazhdim me qeverinë në detyrë. Dhe proceset kushtetuese për dialogun thonë se e udhëheq kryeministri. Ata thonë se nuk kanë parë plan me shkëmbim. territorial. Kjo konfirmon edhe një herë se Thaçi të gjithë diskutimin publik dhe planin për shkëmbim territoresh e ka bërë pa u konsultuar me amerikanët, po vetëm me Vuçiqin”, shkroi zoti Bislimi.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj shkroi ndërkaq se deklarata e diplomatëve të lartë amerikanë “se nuk ekziston një plan sekret për shkëmbime territoresh, është siguria më e madhe dhe garancia më e duhur që i nevojitet Kosovës sot për të ecur përpara”.