Ekonomia

Shehi: AMF synon forcimin dhe zhvillimin e tregut të sipërmarrjeve të investimeve kolektive

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, AMF synon forcimin dhe zhvillimin e tregut të sipërmarrjeve të investimeve kolektive në vend.

Kryetare e AMF-së, Enkeleda Shehi e pranishme të hënën në Komisioni parlamentar të Ekonomisë dhe Financave deklaroi se ndryshimet e propozuara në ligjin për sipërmarrjet e investimeve kolektive kanë si qëllim zbutjen e risqeve në tregun e fondeve të investimeve dhe nevojën për të përforcuar mbrojtjen e interesave të investitorëve.

“Këto amendime hartohen edhe në kuadër të rekomandimeve të FSAP-it, në lidhje me industrinë e fondeve të investimit në Shqipëri, rekomandime, të cilat përqendrohen në trajtimin e riskut të likuiditetit dhe, në tërësi, të risqeve që lidhen me veprimtarinë e kësaj industrie, si dhe krijimin e mekanizmave për administrimin e tyre në situata normale të ecurisë së tregut dhe në situata të stresit financiar. Mekanizmat e administrimit të risqeve lidhen ngushtësisht me kompetencat e autoritetit rregullator për të vendosur rregulla e kritere për fondet e investimeve dhe shoqëritë administruese të tyre”, deklaroi Shehu.

Kriza e fundit financiare botërore nxori në pah nevojën për përmirësimin e proceseve dhe strukturave të administrimit të riskut. Ndërkohë që në vendin tonë legjislacioni në këtë fushë është relativisht i kufizuar, këto ndryshime ligjore e plotësojnë atë. Industria e fondeve të investimeve në Shqipëri filloi aktivitetin në vitin 2012, dhe në këto vite njohu zhvillim saqë është e krahasueshme me vendet e rajonit.

AMF është përgjegjëse për mbikëqyrjen e veprimtarisë së Sipërmarrjeve të Investimeve Kolektive, shoqërive administruese, depozitarëve si dhe çdo subjekti tjetër që vepron si i tillë pa miratimin e shprehur të AMF dhe të dhënë në përputhje me kërkesat e këtij ligji.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button