Politika

Shengeni Ballkanik/ Liderët e Ballkanit Perëndimor: Nisma gjithëpërfshirëse, bashkëpunim për treg unik dhe lëvizje e lirë e qytetarëve

“Ne jemi këtu për të ndërtuar urën mes së shkuarës dhe të ardhmes, mes një të shkuare që na ndan dhe një të ardhme që na bashkon”.

Kështu deklaroi dje kryeministri Edi Rama, në një konferencë të përbashkët për shtyp në përfundim të takimit të 3-të rajonal për Ballkanin Perëndimor, ku u diskutua mbi axhendat e përbashkëta dhe nxitjen e bashkëpunimit rajonal.

Kryeministri Rama shprehu bindjen e thellë se i gjithë ky proces është në koherencë të plotë me ambicien e shprehur nga të gjitha vendet dhe angazhimin e çdo vendi për t’u bërë pjesë e familjes europiane, duke bashkuar forcat për të përshpejtuar procesin e integrimit në BE dhe për të krijuar në hapësirën tonë standardet që i përgjigjen 4 lirive në BE, liria e lëvizjes së njerëzve, mallrave, kapitaleve dhe shërbimeve.

Në fillim të fjalës së tij, Rama shprehu mirënjohjen për solidaritetin e shprehur nga Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia, në përballimin e situatës së krijuar nga tërmeti i 26 nëntorit.

“Më lejoni në çelje të kësaj konference, në mbyllje të takimit të tretë të nismës së Ballkanit Perëndimor për të çuar përpara proceset e nisura prej vitesh dhe për të zbatuar marrëveshje të bëra prej vitesh, në radhë të parë të shpreh falënderimin tim më të thellë për të gjithë solidaritetin e shprehur nga të tre miqtë e nderuar, që ndajnë bashkë me mua tryezën këtu, dhe nga vendet e tyre, menjëherë pas tragjedisë së 26 nëntorit”, tha Rama.

Kryeministri tha se “u jemi shumë mirënjohës të gjithë trupave të kërkim-shpëtimit apo edhe të gjithë individëve dhe grupeve që erdhën nga Mali i Zi, Serbia, Maqedonia e Veriut, për të asistuar Shqipërinë dhe shqiptarët, popullin e prekur në zonën ku goditi fort tërmeti dhe për të shpëtuar bashkë me të tjerët jetë njerëzish”.

“Është gjithçka që do të mbetet e mbresuar përgjithmonë në kujtesën tonë dhe nga ana tjetër shembull kuptimplotë i faktit se ndajmë së bashku fatet tona, në një territor, në një hapësirë, ku jemi të gjithë të detyruar të kapërcejmë të shkuarën dhe të ndërtojmë një të ardhme të denjë në paqe dhe prosperitet për të gjithë fëmijët tanë”, tha Rama.

Kryeministri falënderoi nga zemra, Bashkimin Europian, përfaqësuesit e BE-së, Departamentin e Shtetit, përfaqësuesit e DASH, si dhe të gjithë përfaqësuesit e organizatave të rëndësishme financiare ndërkombëtare, Bankën Botërore, Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Bankën Europiane të Investimeve, që ishin të pranishëm në këtë takim dhe e mbështesin me gjithsej këtë proces.

Kryeministri Edi Rama deklaroi se “nuk do të lodhem së përsërituri se kjo nismë nuk është përjashtuese për askënd, por është gjithëpërfshirëse, është e hapur, nuk ka kushte, nuk i imponohet dhe nuk imponohet nga askush”.

“I kemi ftuar edhe në Tiranë, si edhe në takimet e mëparshme të gjithë. Për mua refuzimi i përsëritur i autoriteteve të Kosovës për të marrë pjesë në këtë tryezë është i pakuptueshëm dhe është i dëmshëm për vetë Kosovën”, tha Rama.

Sipas tij, “plagët e së shkuarës nuk kurohen me helm edhe me acid, por me ilaçe dhe ilaçet nuk jemi të ftuar t’i shpikim, mjafton të shohin se si kanë funksionuar në realitete të ngjashme dhe se si dialogu, bashkëbisedimi, dakordësia për të punuar së bashku për atë që biem dakord i kanë çuar vendet para”.

Kryeministri theksoi se “nisma nuk ndalet dhe do të vazhdojë me bindjen se i kemi të gjitha forcat për të zbatuar marrëveshje që janë bërë më parë”. “I kemi të gjitha forcat për ta kthyer në realitetin e përditshëm të qytetarëve dhe sipërmarrjeve atë që ka qenë në mënyrë të përsëritur në Procesin e Berlinit, në kuadër të CEFTA-s, apo nismave të tryezave të tjera”, tha Rama.

Ai theksoi se “asnjëherë, në asnjë rast historia nuk tregon se vetëpërjashtimi, mbyllja dhe refuzimi të kenë sjellë ndonjë të mirë apo të kenë mbjellë një pemë me fruta të dobishme për gjeneratat e tjera”.

Kryeministri Edi Rama foli dje për përfitimet që do të ketë kjo nismë për vendet e rajonit.

Së pari, ai tha se “kemi rënë dakord bashkë me KE dhe BB për të hartuar një dokument që mund të ndahet me publikun, një hartë të zhvillimit të pritshëm nga kjo nismë, që është një nismë përforcuese e marrëveshjeve, por dhe për zbatimin e marrëveshjeve me impaktin specifik ekonomik në tërë rajonin dhe në vendet në veçanti”.

Rama tha se do të ketë një tabelë arritjesh ku çdo 6 muaj së bashku me Komisionin dhe BB do të bëjmë edhe një bilanc. “E them këtë sepse dëgjoj shumë teori konspirative dhe shumë broçkulla lidhur me faktin se kjo nismë nuk ka impakt për të gjitha vendet, se kjo nismë ka impakt ndoshta vetëm për Serbinë e me radhë. Ndërkohë që është absolutisht e kundërta. Çdo vend që përfshihet në këtë proces përfiton dhe procesi ka një përfitim progresiv për të gjitha vendet”, tha ai.

Së dyti, Kryeministri informoi se Komisioni po bëhet gati për të dedikuar vitin e ardhshëm 1.2 miliard euro për vendet e këtij rajoni në funksion të zbatimit të marrëveshjeve. “Pra, kjo nismë i shërben edhe rritjes së besueshmërisë dhe kapacitetit për të thithur fonde që nuk janë kredi, pro janë grante”.

Në këtë drejtim, Rama solli dy shembuj konkret për të ilustruar se si do të funksionojë nisma dhe përfitimet që do të sjellë ajo.

Shembull 1. “Duke hapur kufijtë për të gjithë ata që vijnë nga vende të tjera, si Kina psh, për të vizituar njërin nga vendet, dhe po marr konkretisht Serbinë, ne bëjmë të mundur që të rrisim në mënyrë eksponenciale numrin e turistëve kinezë në vendin tonë, por edhe në të gjithë rajonin.

Rama tha se “kjo nuk është fantazi por thjesht dhe vetëm një kalkulim ekonomik i bazuar në eksperienca të të tjerëve”.

“Zgjerohet paketa dhe për turistin që zbret në një vend krijohet mundësia për të shkuar në vende të tjera pa pasur nevojë për viza e procedura. Kjo është imediate”, tha rama.

Shembull 2. Kryeministri u ndal te përfitimet që do të kenë eksportuesit shqiptarë të produkteve bujqësore dhe të materialeve të ndërtimit që vijnë në rritje. Ai tha se eksportuesit do të kenë një përfitim progresiv. “Kush mund të thotë se të kundërtën, se lëvizja e lirë e njerëzve, mallrave, heqja e kaq shumë barrierave dhe procedurave, lehtësimi maksimal i dokumentacionit mund të mos sjellë zhvillim për ekonominë, biznesin, mirëqenie për vendin? Këtë mund ta thonë vetëm ata që nuk duan të shikojnë realitetin dhe jetojnë jashtë realitetit”, tha Rama.

Kryeministri tha se kemi rënë dakord që nga janari 2020 të lehtësojmë maksimalisht kalimin doganor në Qafë-Thanë. Kjo sipas tij, do të evitojë pritjen e gjatë në doganë, duke lehtësuar procedurat doganore.

“Shembujt janë pa fund dhe kush ka dëshirën e mirë mund ta gjej vetë përgjigjen  konkrete. Viti 2020 do të flasë vetë për këtë. Në fund të vitit 2020 shifrat e ekonomive tona, të vendeve që janë në tryezë dhe uroj shumë edhe të Kosovës dhe Bosnje Hercegovinës do të flasin vetë. Do të ketë pa diskutim në shifrat e ekonomisë rritje të investimeve të huaja, si shenjë të parë domethënëse se çfarë impakti ka kjo nismë te ekonomitë tona”, tha Rama.

“Nuk do lodhem së përsërituri që kjo nismë është gjithëpërfshirëse, nuk përjashton askënd, nuk ka asnjë kusht. Ka 20-30 vjet që sa herë duhen marrë vota dhe duhet bërë politikë predikohet kufiri, hapja e kufirit Shqipëri-Kosovë. Kufiri nuk hapet se çohen në Washington dhe në Bruksel kundër kufirit. Sot me këtë nismë ne po themi të hapim të tërë kufijtë dhe nuk ka asnjë kusht”, tha Rama.

Sipas tij, “do të ishte e papranueshme nëse mungesa e Kosovës do të ishte rezultat i ndonjë kushti të vendosur nga Serbia, por nuk ka asnjë kusht dhe asnjë klauzolë përjashtuese”.

“Ne biem dakord me Serbinë, me Malin e Zi, me Maqedoninë e Veriut për të bërë liberalizim të çdo aspekte. Më thoni se çfarë përfiton Kosova duke mos ardhur? Askush nuk thotë kjo nuk duhet bërë me Kosovën, përkundrazi”, tha Rama.

Ai theksoi se “deklaratat janë për politikë të brendshme në një rrugë qorre për Kosovën”. “Kosova nuk ka nevojë për izolim, nuk ka nevojë për vetëpërjashtim një garë të brendshme se kush është më refuzues ndaj proceseve të integrimit dhe gjithëpërfshirjes dhe të bëjë të pakënaqur edhe ata që e mbështetën pa kushte në ditët e veta më të vështira”, tha Rama.

Ai theksoi se “Kosova sot ka nevojë për respekt, integrim, zhvillim ekonomik”. “Kjo është rruga. Rrugët e tjera të fantazive neomarksiste, proteksionizmit absurd, të vendosjes së pikave krahasimore me tarifat e SHBA-së apo të Kinës janë vetëvrasje në planin ekonomik e politik, pasi miqtë, mbështetësit dhe partnerët në këtë proces janë këtu, nuk mungojnë”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se “kjo nuk bëhet për pushtet apo pët vota, se po të ishte për këtë mbase nuk do të ishim këtu sot”.

“Kjo bëhet për të ardhmen, për njerëzit që i harrojnë kut flasin, kjo bëhet për sipërmarrësit që duan të punojnë, të lëvizin, duan investime. Ne jemi shumë të vegjël të ndarë. Nëse duam më shumë investime në sektorë strategjikë, në energji, në të gjitha fushat ku mund të vijnë investime të mëdha duhet t’u ofrojmë një treg të hapur, që të lëvizin lirisht forcat e punës në këtë treg. Kjo është nismë për të ardhmen, jo një oxhak për të shkuarën. Po ndërtojmë një urë mes të shkuarës dhe të ardhmes. E shkuara na ndan, e ardhma na bashkon. Nëse mbytemi në acidin e së shkaurës ne vrasim të ardhmen. Këtë nuk kam për ta lejuar kurrë sa të jem unë në këtë pozicion”, tha Rama.

Mali i Zi i bashkohet takimit rajonal për Shengenin Ballkanik në Tiranë

Mali i Zi iu bashkangjit dje në Tiranë Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë në takimin e tretë rajonal të liderëve të shteteve të Ballkanit Perëndimor për thellimin e bashkëpunimit për përshpejtimin e “Katër lirive të BE-së”.

Në konferencën e përbashkët për shtyp, pas këtij takimi me Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç dhe kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, Presidenti i i Malit të Zi, Milo Djukanoviç, deklaroi se “Kryeministri Rama gjatë pjesës së punës së takimeve që patëm sot përmendi mundësinë që Mali i Zi mund të organizojë takimin tjetër të kësaj iniciative. Konfirmoj se jemi të gatshëm të jemi mikpritësit e një iniciative të tillë, sepse besoj se duhet të nxisim dialogun për çdo temë me rëndësi për ne dhe të bëjmë përpjekje që të përfshijmë të gjithë që e gjejnë me interes këtë dialog”.

“Kjo iniciativë është përfshirëse, të gjithë që e shohin të mirën e kësaj iniciative mund të bashkohen me të ose në pjesë të caktuara të saj pse me të gjithë këtë iniciativë. Në qoftë se ne mendojmë se duhet të sjellim ndonjë të mirë për të gjithë të tjerët duhet ti bashkëngjitemi. Nuk kam nevojë t’iu kujtoj se Mali i Zi është shumë i angazhuar ndaj bashkëpunimit rajonal. Ne kemi qenë anëtar i plotë në 27 iniciativa rajonale dhe 6 prej tyre i kryesojmë, gjë që tregon se iniciativat rajonale krijojnë mundësi të shkëlqyera për të rifreskuar dhe përmirësuar besimin mes vendeve të rajoneve dhe për të kontribuar për zhvillimin e vendeve tona dhe zhvillimin e rajonit përmes këtij bashkëpunimi”, – nënvizoi Djukanoviç.

Përveç kësaj, vijoi Djukanoviç, iniciativat rajonale krijojnë mundësi të mëdha që ne të forcojmë kapacitetet tona për bashkëpunim në kuadër të iniciativave më të gjera ku ne duam të jemi anëtarë, më shpesh ne përmendim integrimin në BE dhe të qenit anëtar i saj. “Mendoj se është shumë e rëndësishme që aktivitetet e iniciativës së “Minishengenit” të jenë në harmoni me iniciativa të tjera, siç e dëgjuam sot kjo do të jetë një iniciativë që do të sjellë përmirësim në fushën e zbatimit”, – theksoi Djukanoviç.

Presidenti i Malit të Zi tha se “në iniciativat e mëparshme kemi folur për përmirësimin e lirive të ndryshme, të cilat janë bazë e kësaj iniciative të Minishengenit. Tani është koha që të përpiqemi të përmirësojmë zbatimin e saj në praktikë sepse ne besojmë që kjo iniciativë do të sjellë mundësi të reja për bashkëpunim dhe zhvillim për secilin nga vendet tona. Është shumë e rëndësishme që në çdo iniciativë rajonale të shohim një mundësi për të bërë progres dinamik në drejtim të qëllimeve që kemi për integrimin europian”.

Ai shprehu besimin se “në diskutimet tona ne arritëm të shpjegojmë për veten dhe publikun se sa mundësi mund të ofrojë një iniciativë e tillë dhe do të jetë kënaqësia jonë të marrim pjesë në këto takime në të ardhmen dhe të kontribuojmë në rajon e Ballkanit Perëndimor që të arrijë integrimin në BE sa më shpejt të jetë e mundur”.

-Treg i përbashkët dhe lehtësim procedurash për leje të përhershme pune në rajon-

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, në fjalën e mbajtur dje në Tiranë gjatë takimit të liderëve të shteteve ballkanike deklaroi se Serbia do të japë kontributin e saj në ndihmë të të prekurve nga tërmeti i 26 nëntorit, me një shumë parash të konsiderueshme, çka sipas tij, do t’a rendisë ndër donatorët më të mëdhenj.

“Ajo çfarë mund t’iu them është që qeveria e Serbisë do të marrë një vendim të hënën për të ndihmuar me një vlerë domethënëse parash Shqipërinë dhe besoj do të jetë një apo nga dy, tre apo katër donatorët më të mëdhenj për vendet: Durrësin, Thumanën dhe zona të tjera. Ajo që ka rëndësi për në është që diskutimet që kemi zhvilluar ishin në funksion të intensifikimit, të përpjekjeve tona, e të të bërit të marrëveshjeve tona më konkrete. Por, çfarë do të nënkuptojë kjo për njerëzit dhe vendet tona? Dua ta kapërcej këtë kornizë filozofike. Kjo nënkupton që njësitë tona të emergjencës të shpëtimit, të bashkëpunojnë më ngushtë në të ardhmen kur një tragjedi të tillë mund të godasë Shqipërinë, Serbinë apo Maqedoninë e Veriut dhe në të njëjtën kohë të gjitha forcat e vendet e tjera do të jenë në dispozicion të vendit përkatës dhe autoritetet e vendeve respektive, që goditen ndoshta nga tërmeti, përmbytjet apo zjarret apo katastrofat e tjera do të diskutohen në Pejë. Pra, do të jenë në dispozicion të njëri-tjetrit””, tha Vuçiç.

“Natyrisht, diskutuam edhe sesi të zhvillojmë më tej tregtinë, sesi të lehtësojmë tregtinë e mallrave dhe shërbimeve. Gjithashtu, edhe fluksin e kapitalit të shërbimeve pasi ka rëndësi të jashtëzakonshme për të gjithë rajonin sepse kjo nënkupton që ne do të vijojmë të ndërtojmë jo vetëm inspektimet tona veterinare, hidro-sanitare, do të kemi në funksion 24 orë në 7 ditë të javës në pikat kufitare të doganave. Do të lehtësojmë procedurat, do të kemi më shumë korsi në këto pika kalimi kufitare, do të kemi me shumë hapësira për kamionët që mallrat të mos qëndrojnë më shumë sesa 5 apo 6 orë në pikat kufitare. Pra, do të përpiqemi më tej të zbatojmë marrëveshjen e quajtur të “operatorëve të autorizuar”. Gjithashtu, do të nënshkruajmë qoftë këtë marrëveshje dy palëshe me Shqipërinë, gjithashtu edhe me ato kompani të tjera të cilat e kanë tashmë këtë, të kenë mundësi të kalojnë më lehtësisht kamionët e tyre. Kjo do të ulë koston operative dhe do të përmirësojë standardet e qytetarëve tanë, që njerëzit ta kuptojnë më mirë. 320 mijë kamionë kalojnë në Preshevë në vit. Pra, kjo ju tregon se çfarë përfitimesh ka një gjë e tillë dhe natyrisht edhe ata që shqetësohen që e quajnë mini-shengen apo gjithçka, do të përpiqemi që të krijojmë një treg të përbashkët punë që nënkupton krahasimisht një nivel më të lartë tërheqje për investuesit e huaj. Kjo nënkupton që kur serbët, maqedonasit do të duan të punojnë në Shqipëri, ne do të duhet të kemi të njëjtat sisteme. Pra, do të jetë e mundur që ata thjeshtë të aplikojmë dhe të marrin leje të përhershme pune në Shqipëri edhe e njëjta gjë vlen edhe për qytetarët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut apo në Serbi. Është me rëndësi kryesore për të gjithë vendet tona duke qenë se kemi probleme domethënëse në tregun e punës. Këto janë probleme që vazhdojnë në të ardhmen, por duhet të përpiqemi që në tregtinë të ecim sa më mirë të jetë e mundur dhe të jetë në përfitim të gjithkujt. Kam përshtypjen se një propozim që do të çojmë në takime të tjera do të jetë përafrimi i shumë rregulloreve në mënyrë që të bëjmë sa të jetë e mundur një treg unik”.

Vuçiç u shpreh se, një klimë pozitive për biznesin favorizon tërheqjen e investitorëve të huaj.

“Investitorët nuk i tërheqim duke luftuar apo vendosur taksa, pagesa të reja doganore”, tha ai, duke shtuar se “ne po bëjmë punë që t’i shërbëjmë popujve tanë për një jetë më të mirë.

“Mënyra sesi ne e organizojmë rajonin tonë varet nga ne dhe jo nga fuqitë e mëdha. Nëse ne e kuptojmë njëri tjetrin më mirë do të kemi një jetë më të mirë dhe askush nuk do të mund të na nënvlerësojë dhe ne do të vlerësojmë njëri-tjetrin shumë më tepër”- tha Vuçiç.

Ai tha se “askush nuk mund të mbijetojë pa këtë bashkëpunim, sepse jemi kaq të vegjël, po të mos i bëjmë tregjet tona të punës dhe të ekonomisë më të mëdha, nëse nuk bashkohemi, të punojmë së bashku. Të mendojmë si ta ndihmojmë njëri- tjetrin dhe të krijojmë atmosferë bashkëpunimi për të hapur sa më shumë vende pune dhe sa më shumë mundësi për t’i kthyer dhe mbajtur njerëzit në vendet tona, duke eleminuar  atmosferën e luftës e konfliktit mes vendeve dhe zhvilluar ekonomitë e vendeve tona, sepse kështu duam të bëjmë diçka të mirë për vendet tona”.

Zaev: Bashkëpunimi rajonal përshpejton integrimin e vendeve tona në Bashkimin Europian

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev deklaroi se bashkëpunimi rajonal do të përshpejtojë integrimin e vendeve tona në Bashkimin Europian.

Në konferencën e përbashkët për shtyp pas takimit të 3-të rajonal për Ballkanin Perëndimor për të diskutuar mbi axhendat e përbashkëta dhe nxitjen e bashkëpunimit rajonal, në Tiranë, Zaev nënvizoi se ky bashkëpunim do të largojë padurimin e qytetarëve tanë për integrimin në BE.

“Ne shohim hapësira për bashkëpunim rajonal që do të përshpejtonin procesin e integrimit në BE dhe sjell rritje të standardit të jetesës për qytetarët tanë dhe zhvillim ekonomik. Shqipëria dhe Maqedonia presin vendimin pozitiv për pranverën e ardhshme. Bashkëpunimi rajonal do të ndjehet edhe nga partnerët evropian”, tha Zaev.

Ne,- vijoi ai,- presim që institucionet dhe shtetet e Be-së ta njohin këtë gjë dhe kjo tregon vetëm rritjen e aspirates sonë as më shumë e as më pak.

Zaev, po ashtu apeloi të gjithë autoritetet e rajonit e më tej të vijojnë të ndihmojnë Shqipërinë për përballimin e pasojave të tërmetit të 26 nëntorit.

“Sot në mëngjes shkuam në Durrës . Shpresoj që ndihma që erdhi menjëherë nga fqinjët e ndërkombëtarët të zbusë pak plagën. Ndihma do të vazhdoj, u bëj thirrje qytetarëve dhe vendeve tona që të vazhdojnë ndihmat se është një nga segmentet e rëndësishëm të bashkëpunimit rajonal për të cilin po flasim këtu”, – tha ai.

Lidhur me këtë, Zaev informoi se në takimin e parashikuar për t’u mbajtur në muajin shkurt në Beograd, institucionet e kërkim -shpëtimit do të nënshkruajnë protokollin e bashkëpunimit dhe procesit të aktivizimit të shpejtë që të jenë në dispozicion të të gjitha vendeve të raonit.

Sa i takon punësimit, Zaev theksoi se po punohet për lehtësimin e procedurave për pajisjen me leje punë të fuqisë punëtore brenda rajonit.

Zaev deklaroi se administratat tatimore të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut pritet të nënshkruajnë një marrëveshje për krijimin e një one stop shop çka do të lehtësonte procedurat për lëvizjen e mallrave.

“Ne synojmë që shumë shpejt të shkojmë në kalimin e mallrave pa asnjë ndalesë”, deklaroi Zaev.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut e ka konsideruar mjaft të rëndësishme edhe konferencën që pritet të organizohet nga BERZH për vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Plani i BERZH për të patur një konference në shkurt për Ballkanin Perëndimor është me rëndësi themelore dhe secili prej vendeve tona duhet të jetë pjesë e kësaj konference”.

“Kemi vendosur në shkurt që të nënshkruajmë  një memorandum për lëvizjen e lirë të njerëzve vetëm me kartat e identitetit dhe të unifikojmë procedurat për dhënien e lejeve të punës për të gjithë qytetarët e vendeve të rajonit, qoftë nga Serbia, në Maqedoninë e Veriut dhe në Shqipëri, dhe duke i harmonizuar këto procedura. Ne do të kemi mundësi që qytetarët e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut  të përfitojnë nga një sistem i tillë, pra që të ketë vetëm një procedurë të vetme të dhënies së vizave apo lejeve për punë”, tha Zaev.

Sa i takon turizmit, Zaev kërkoi hartimin e një plani për lehtësimin e lëvizjes së shtetasve të huaj brenda rajonit.

“Plani i BERZH për të patur një konferencë të veçantë në shkurt për Ballkanin Perëndimor është me rëndësi themelore dhe secili prej vendeve tona duhet të jetë pjesë e kësaj konference. Të gjithë qytetarët e botës, Azia, Evropa, Australia e të tjerë që do të vijnë në këtë rajon nga Hungaria , nga Greqia nuk do të kenë nevojë që të kenë kontrolle apo viza të veçanta për të hyrë në rajonin tonë. Për shembull, ne qoftë se një kinez vjen në aeroportin e Beogradit të ketë mundësi që të hyjë lirisht në të gjithë vendet e tjera të rajonit”, tha Zaev.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button