Shitja e shtëpive luksoze në Los Anxheles
Çmimi i një vile të madhe luksoze në Beverly Hills është reduktuar me 46 milionë dollarë, nga çmimi fillestar për 195 milionë dollarë. Megjithëse është ndërtuar me materiale të cilësisë së lartë, kjo shtëpi luksoze, e cila ka 25 banjo, ullishte dhe një kinema të madhe, nuk po shitet me lehtësi. Vitin e kaluar në Los Anxheles kjo shtëpi kushtonte 195 milionë dollarë. Por mungesa e interesit nga blerësit i ka detyruar shitësit ta ulin çmimin e saj në 149 milionë dollarë. Vila e stilit mesdhetar është ndërtuar në një truall 10 hektarësh në qytezën Beverli Hills në Kaliforni.
Palazzo Di Amore sot është vila me çmimin më të lartë në tregun amerikan të shtëpive. Ajo është në pronësi të miliarderit Jeff Greene, i cili ka prona edhe në Hampton të Floridës dhe qytete të tjera në Kaliforni. Prona ka 3252 metra katrorë hapësirë banimi. Ekspertët thonë se në Beverly Hills dhe zonat përreth, 50 përqind e shitjeve të banesave realizohen me para në dorë.
Palazzo ka një hyrje dykatëshe të mrekullueshme me shkallë prej mermeri. Joyce Rey është drejtuese e divizionit të pasurive të patundshme në kompaninë Coldwell Banker Previews International. Ajo thotë se kjo shtëpi është spektakolare. “Ka pak shtëpi si kjo. Është shumë e bukur, ka zbukurime fantastike, banjo e kopshte shumë të bukura. Është pothuajse e papërshkrueshme”.
Pavarësisht nga elementet e bukura të saj, vila Palazzo ende nuk është shitur. Ajo është vënë në treg që në dhjetor të vitit të kaluar (2014). Megjithatë, Jacqueline Maddison, redaktore e revistës Beverly Hills, thotë se ka kërkesa për këto shtëpi ultra luksoze dhe blerësit e dinë saktësisht se çfarë duan:
“Sot blerësit janë gjithnjë e më të shkathët. Ata duan shtëpi të pajisura me teknologji inteligjente, përmirësime të shumta dhe prona me më shumë hapësirë. Hapësirat e mëdha për një klientelë ekskluzive në Beverly Hills, Hollywood Hills dhe Belair janë tërheqëse për blerësit e huaj,” thotë ajo.
Vila Palazzo Di Amore ka 12 dhoma gjumi me pamje të qytetit të Los Anxhelesit, 25 banjo, duke përfshirë një banjo turke. Ajo është e pajisur me një dhomë argëtimi 1394 metra katrorëshe, një kinema me 50 sedilje, një sallë të përshtatshme për organizimin e konferencave ose shtrimin e darkave për deri në 250 vetë dhe një pishinë për 150 vetë. Vila gjithashtu ka vreshtin e saj dhe një qilar vere.
Dianne Manns, Presidente e Shoqatës së Shitësve të Shtëpive në Beverly Hills dhe Los Anxheles, shpjegon gjendjen aktuale të tregut: “Ne kemi një numër të madh blerësish me para të gatshme, të cilët konkurrojnë për prona dhe janë më agresivë, pasi ata nuk kanë nevojë të marrin kredi për blerjen e një shtëpie. Ne ende kemi oferta të shumta për çdo shtëpi për shkak të numrit të tyre të kufizuar në treg” thotë ajo. Ajo thotë se për shkak të luhatjeve të mëdha në çmimet e aksioneve në bursë, shumë njerëz të moshës 35 deri 45 vjeç po investojnë në tregun pasurive të patundshme. Por, mbetet të shihet nëse kjo vilë do të shitet për çmimin e saj aktual.