Shkaktoi 187 mijë euro dëme përmes skemës me Call Center-at, ekstradohet nga Gjermania 35-vjeçari
Interpol Tirana ka finalizuar një tjetër fazë të operacionit ndërkombëtar të koduar “The Wanted”, duke bërë të mundur ekstradimin nga Gjermania drejt Shqipërisë të një shtetasi të shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Bëhet fjalë për shtetasin E. L., 35 vjeç, i lindur në Tropojë, i cili dyshohet si pjesëtar i një grupi kriminal që operonte përmes mashtrimeve në Call Center.
Sipas hetimeve, ky grup u ka shkaktuar qytetarëve një dëm ekonomik prej rreth 187 mijë eurosh.
Ekstradimi u realizua falë bashkëpunimit të ngushtë mes specialistëve të Drejtorisë së Interpolit dhe homologëve të Interpol Wiesbaden, në vijim të operacionit “The Wanted”.
Në korrik të vitit 2025, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar kishte caktuar ndaj 35-vjeçarit masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Mashtrimi kompjuterik”, e kryer në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal.
Nga hetimet rezulton se E. L., së bashku me persona të tjerë, të organizuar si grup, përmes një Call Center-i të zbuluar në vitin 2024, kanë kryer 17 raste dhe tentativa mashtrimi kompjuterik.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.