Kosova

Shkarkohet nga detyra drejtori i Teatrit Kombëtar Valdet Avdiu

Drejtori i Teatrit Kombëtar të Kosovës, Valdet Avdiu, është shkarkuar nga ky post, bën të ditur përmes një komunikate për media Këshilli Drejtues i TKK-së.
valdet-avdiu-foto-xhemail-sllovinja
Mësohet se ky këshill ka shkarkuar edhe Emin Eminin, nga posti i Udhëheqësit Artistik të Teatrit Kombëtar të Kosovës.
“Në mbledhjen e mbajtur me datën 20 shkurt 2015, konform kompetencave ligjore, Këshilli Drejtues (KD) i TKK-së, bazuar në nenin 10, pika 1.8 të Ligjit për Teatrot (Ligji Nr. 04/L- 106), ka iniciuar procedurat dhe ka marrë vendimin për shkarkimin z. Valdet Avdiu, nga pozita e Drejtorit të Përgjithshëm të Teatrit Kombëtar të Kosovës. Këshilli Drejtues, në të njëjtën mbledhje dhe duke ushtruar kompetencat ligjore të ligjit të lartpërmendur, gjithashtu ka iniciuar procedurat dhe ka marrë vendimin për shkarkimin z. Emin Z. Emini, nga posti i Udhëheqësit Artistik të Teatrit Kombëtar të Kosovës”, thuhet në komunikatën e Këshillit Drejtues të TKK-së.
Këto dy vendime të Keshillit Drejtues thuhet se janë marrë me shumicën absolute të votave të të gjithë anëtarëve dhe ato kanë ardhur pas një procesi të kujdesshëm të ekzaminimit të gjendjes konfuze në Teatrin Kombëtar të Kosovës dhe mbasi është bërë vlerësimi i performancës së të dy drejtorëve në fjalë.
Për këto vendime, këshilli ka hartuar dy raporte me shkrim në të cilat argumentohet dhe sqarohet baza profesionale, administrative e ligjore e këtyre vendimeve.
Të dy këto raporte, bashkë me vendimin e Këshillit Drejtues i janë dërguar Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) të Republikës së Kosovës.
Çështjet e procedurat e mëtejshme juridike e administrative në lidhje me këto dy vendime sqarohen dhe zbatohen në pajtueshmëri me MKRS-në dhe në harmoni me ligjet ekzistuese të Republikës së Kosovës.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button