Shkarkohet sekretarja britanike për Punët e Brendshme, Suella Braverman
Sekretarja britanike për Punët e Brendshme, Suella Braverman është shkarkuar sot nga posti, pas kritikave që bëri për protesta pro-palestineze, për të cilat tha se janë shqetësuese. Por Braverman, pak kohë më parë ishte kthyer në protagoniste edhe për shqiptarët, pikërisht për komentet raciste ndaj emigrantëve shqiptarë në Britaninë e Madhe.
Barverman, vajza e dy emigrantëve me origjinë nga indiane, të cilët emigruan në Britani në vitet 1960 përkatësisht, nga Kenya dhe ishujt Mauritius, u shpalli ‘luftë’ emigrantëve shqiptarë, të cilët kalonin kanalin e La Manche, në kërkim të një jetese më të mirë përtej brigjeve kontinentale.
Rreth një vit më parë, Suella Braverman tha se vendi përballet me një “pushtim” nga emigrantët shqiptarë që përshkojnë me varka kanalin e La Manshit, si dhe si pjesëtar të grupeve kriminale.
Në përgjigje të një komenti nga deputeti konservator Craig Mackinlay, i cili tha se “asnjë shqiptar i vetëm nuk duhet të pranohet si refugjat”, Braverman tha se ai ka të drejtë.
“Shqipëria nuk është një vend i shkatërruar nga lufta dhe është shumë e vështirë të argumentohet se kërkesat për azil janë legjitime”, tha ajo.
Në deklaratat e saj, Suella Braverman tha se shqiptarët gënjenin për arsyen përse largoheshin nga vendi dhe shumë prej tyre i etiketoi si persona me rekorde kriminale.