Politika

Shkrirja e INUK-ut, Berisha: Rama po ngre shtetin policor

Opozita

Doda: Nga “ministër Mjedisi”, Rama INUK-un e Gjermenit ia kaloi Tahirit. PD: INUK-u, aksione selektive

seliNjoftimi i Kryeministrit Edi Rama për shkrirjen e Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar dhe kalimin e tij në varësi të Ministrisë së Brendshme ka shkaktuar reagime të ashpra në radhët e deputetëve të Partisë Demokratike. Për demokratët, ky vendim është sinjal i qartë i nxitimit të Ramës për të krijuar shtetin policor. Në reagimin e tij, ish-kryeministri Sali Berisha, me shkrirjen e INUK-ut së pari dhe të policive të tjera, si tatimore e pyjore, shikon falimentimin total të Policisë së Shtetit dhe përfshirjen e vendit tërësisht nga kriminaliteti. Në komentin e tij për vendimin e qeverisë, Berisha gjykon se Policia e Partisë Socialiste do të bëhet e gjithëfuqishme dhe se Rama është duke nxituar drejt shtetit policor. “Në modelin e regjimeve diktatoriale, Edvin Kristaq Rama shpalli në programin e qeverisë së tij, platformën ‘një shtet, një polici’. Ky përbën një rikthim të plotë te regjimi hoxhist, gjatë të cilit nuk ekzistonte asnjë polici tjetër përveç Policisë së Shtetit. Në zbatim të kësaj platforme, që nuk ekziston në asnjë vend të lirë të planetit, sot Rama njoftoi se brenda një muaji INUK-u do të shkrihet dhe funksionet e tij do të kalojnë në Policinë e Shtetit. Burime afër tij bëjnë të ditur se i njëjti fat pret Tatimet, Inspektoratin e Mjedisit, Policinë Pyjore”, shkruan Berisha në faqen e tij zyrtare në “Facebook”. Po në këtë rrjet social ka reaguar edhe deputetja demokrate, Mesila Doda, e cila u shpreh dje, se konceptimi i shtetit si përzgjedhje dëshirash personale nga ana e Kryeministrit Rama, është i gabuar dhe joeficient. “Heqja e kompetencave dhe mosvlerësimi i dikastereve të ndryshme njësoj është edhe më i gabuar. Pasojat i ndiejnë vetëm qytetarët”, shkruan Doda. Ndërsa e vlerëson të një rëndësie jetike ndalimin e ndërtimeve pa leje, deputetja e PD-së u shpreh, gjithashtu, se shkrirja e strukturave apo klientelizmi në përzgjedhjen e kryerjes së detyrimeve te ministrat është ineficient. “Sigurisht që kontrolli i territorit dhe ndalimi i ndërtimeve pa leje është një objektiv me rëndësi jetike për vendin, por asgjësimi i strukturave, ndryshimi i kompetencave dhe klientelizmi në përzgjedhjen e kryerjes së detyrimeve te ministrat nuk është as i drejtë, as eficient e as pikëpamje serioze për të konceptuar shtetin. Pamë një strukturë që i hiqet Gjermenit dhe i jepet Tahirit. Dje pamë Kryeministrin që kish dalë për të lajmëruar një aksion gjelbërimi, por ministrin e Mjedisit nuk e pamë gjëkundi në këtë aksion”, përfundon reagimin e saj Mesila Doda. Ndërkohë, nga selia blu, deputeti Bedri Mihaj akuzoi dje Kryeministrin Rama se po abuzon me prishjen e ndërtimeve pa leje, pasi, sipas tij, aksioni i ndërmarrë nga INUK-u gjatë këtyre ditëve është selektiv. “Me bekimin e Edi Ramës, dhe me përkujdesin e tij të veçantë, INUK-u ka thelluar këto ditë një aksion selektiv e korruptiv të prishjes së ndërtimeve në vend. Me arbitraritet, ditën për diell, e në sytë e të gjithëve, prishet shtëpia e dikujt që nuk ka njohje e lidhje me oligarkinë dhe lejohet ndërtimi i dikujt tjetër që ka njohje, ka lidhje me oligarkinë në pushtet. Me bekimin e Edi Ramës dhe me kujdesin e tij të veçantë, po ndërtohet këto ditë pa leje. Ditën për diell dhe në sytë e të gjithëve”, u shpreh Mihaj

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button