Shkruan Berat Buzhala: A ka diçka të re?
Nga Berat Buzhala
Jo diçka të veçantë. Përgjimet janë shumë argëtuese, megjithatë dëshirojmë të mësojmë diçka për milionat e vjedhura, për terminalët, për doganat, për homologimet etj. Deri më tash, prej çfarë kemi dëgjuar, Adem Grabovci po del djali më i miri në PDK. Ata që po e urrejnë pas përgjimeve, të njëjtën simpati ndaj e tij e kanë pasur edhe para tyre.
Nuk më pritet ta dëgjoj përgjimin e radhës të ‘shefit të shefave’ të PDK’së me ‘shefin e shefit t’shefave’.
Janë intriguese përgjimet. Vazhdimisht na intereson mendimi i tjetrit për tjetrin, ose edhe për ty. Kur politikanët janë protagonistë vetëm bëhet edhe më zbavitëse.
Nuk paguhet me para ta dëgjosh të parin e shtetit duke sharë me nanë, duke përdorur fjalor të pistë sikur të ishte gjimnazist, duke u ngazëllyer me takimet e radhës për inati të kundërshtarëve, duke torturuar tjetrin me telefonata e më pyetje, sikur të ishte me alzhaimer – brenda një bisede telefonike mbi 10 here e pyet Grabovcin “A ka diçka të re?”. Nuk e pranon “Jo’në për përgjigje…
Sigurisht se deri sa e dëgjojmë të parin e shtetit në gjendje gjysmëhuliganeske, na bien ndërmend intervistat e tij plot delikatesë te Ngadhënjimi ose te Batoni. Plot manire, sofistikime e fjalë të zgjedhura. I kujdesshëm deri në neveri. Duke shkelur vetëm në akull të trashë. Duke mos e thënë asnjë fjalë të keqe për askënd. Dhe befas nxjerr ndytësira nga goja. Unë do të kisha kurrështjen të dëgjoja përgjime telefonike të politikanëve të vendit në çfarëdo rrethane. Sigurisht që nuk do të isha unë ai që do t’i përgjoja, me asnjë kusht. Por kur të më jepet shansa për t’i dëgjuar, këtë do ta bëja pa asnjë dyshim. Dhe do ta këshilloja secilin qytetar të vendit ta bënte të njëjtën gjë. Nuk ka lidhje a flasin për kapje të shtetit, a për ndonjë perverzitet personal. Është mirë t’i dëgjojmë, sepse demitizohen. Dalin cullak para nesh. Flasin sikur ne. Merren me thashetheme prej më të ulëtave. Ngazëllehen me sukseset e tyre. Dëshirojnë të dinë nëse armiqtë po plasin nga marazi kur i shohin këta duke u përqafuar me Klintonkën ose Azhdaunin (Baroneza Catherine Ashton). Dhe plot gjëra të tjera. Për këto arsye ia vlen t’i botosh, e t’i dëgjosh, përgjimet, në grackën e të cilave kishte rënë Adem Grabovci, kur ai bashkë me Fatmir Limajn kishin qenë nën hetimet e EULEX’it për korrupsion. Shumica dërmuese e jona i hapim sytë sa grushti kur një shok ose një shoqe na fton në kafe për të na treguar se çfarë ka thënë për ne, ose për të, ose për këndo, një tjetër shok ose një tjetër shoqe.
Kurse kjo me liderët e vendit është superliga.
Ose ndoshta më mirë do të ishte po të pyesnim në një formë tjetër: A ka diçka që nuk kemi ditur?
Çfarë ne nuk kemi ditur është biseda konkrete, koha kur është zhvilluar ajo, sa ka zgjatur ajo, çfarë dite ka ndodhur etj. Mirëpo ne e kemi ditur që të gjitha bordet janë të mbushura me njerëz të politikës. Ne e kemi ditur që Bordi i PTK’së është kryekëput me njerëz të PDK’së. Çfarë nuk e kemi ditur është se në çfarë rrethanash, kush e ka thirr kënd, për të intervenuar që Rexhë Gjonabalaj të caktohej aty. Ose edhe ata tjerët, emrat e të cilëve nuk po më kujtohen. Pastaj shefi i ART’se, Ekrem Hoxha. Pastaj ky i fundit ne Agjencinë e Privatizimit të Kosovës, që thuhet se është i LDK’së. Edhe për ketë ne nuk e dimë deri në detaje se cili zyrtar i LDK’së e ka kontaktuar, çfarë i ka thënë, me çfarë kushtesh ka pranuar, por e dimë që është aty pas bisedave. Kjo ndodh në çdo bord(el) të secilës kompani publike. Praktika të tilla abuzive ndodhin anekënd Kosovës, në secilën komunë, në secilin institucion. Sikur kjo të ndalej vetëm në nivel bordesh ne edhe do të pajtoheshim disi. Do të jesh naiv të mendosh se në pozita për të cilat votohet në Kuvendin e Kosovës, nga deputet, të pritet profesionalizëm. Për të qenë votimi i tillë, të tillë fillimisht duhet të janë ata që votojnë. Kolegët e Insajderit kanë bërë punë të mirë kur kanë vendosur t’i lëshojnë në internet këto incizime, siç e thash edhe më sipër. Dhe ne të tjerët duhet t’i gjykojmë ato. T’i analizojmë dhe të nxjerrim konkluzione.
Sipas mendimit tim, edhe më tutje, vetëm në bazë të asaj çfarë kemi dëgjuar deri më tash, nuk mund të krijohet masa kritike për të nxjerr popullin në rrugë, siç u pretendua. Posaçërisht jo, duke i pasur në prapavijë Lëvizjen Vetëvendosje, e cila me të njëjtat metoda i ka mbushur bordet e ndërmarrjeve komunale, por për më keq, edhe pozitat e administratës, që supozohet të janë të përbëra nga stafi civil. Nuk mundet Shpend Ahmeti të protestojë për mënyrën e përzgjedhjes së stafit për të udhëhequr kompanitë publike, kur ai vetë, dhe stafi i tij, kanë përdorur metoda po kaq të ulta për t’i caktuar anëtarët e Bordit në të gjitha ndërmarrjet komunale. Ata që i kishte caktuar Shpendi nuk ishin vetëm militantë partiak, por ishin edhe familjarë të zyrtarëve të lartë të Vetëvendosjes. Përndryshe pjesa tjetër e bisedave të deritashme të Grabovcit me shefat e tij, ose me udhëheqësit e PDK’së nëpër degë, vetëm do ta forcojë këtë politikan në partinë e tij. Në të gjitha këto përgjime vërehet se Grabovci është një organizator i mirë i PDK’së, një zyrtar besnik. Ai nuk po lufton për anëtarët e familjes së tij biologjike, por për anëtarët e familjes së tij politike. Madje, duhet të pranojmë këtë, Grabovci me gjuhën që e përdor tregohet shumë më i kulturuar se sa shefi i tij, Hashim Thaçi. Nuk merret me kundërshtarët politik, siç bëjnë ata me të cilët ky flet në telefon. Ky është i interesuar për të kryer punë. Për t’i punësuar sa më shumë njerëzit e PDK’së, duke mos rënë në grackën e sharjes së kundërshtarëve politik, siç bën për shembull Nijazi Kryeziu, e në disa raste edhe Hashim Thaçi. Nuk po propozoj që Grabovcin ta nderojmë me ndonjë çmim për pastërti, por shumë do të doja që t’i dëgjoja edhe bisedat e zyrtarëve të partive tjera, duke mos qenë në dijeni që janë të përgjuar. Në këso rrethanash nuk do të doja ta dëgjoja as vetën.
Për Grabovcin do të shtohet edhe më tepër urrejtja e atyre që edhe ashtu e kanë urrejtur. Nëse e kanë urrejtur, ta zëmë, në 300 nivele, tash do ta urrejnë në 500 nivele. Do të shtohet simpatia e atyre që e kanë pasur afër vetës, posaçërisht bashkëpartiakëve. Kurse ata që kanë qenë neutral ndaj tij, do ta shikojnë si një njeri kredibil dhe si një njeri që të punëson. Përgjigja e tij në Kuvend, se po punëson njerëz, sigurisht që ishte idiotike. Ai do të duhej ta pyeste Konjufcën për të gjitha ata militantë partiakë që i kanë punësuar “me kontratë mbi vepër” në komunën e Prishtinës. Kishte zgjidhje shumë më elokuente për Grabovcin, por ai e zgjodhi më te keqën për të rezistuar, siç edhe ka vepruar zakonisht.
Aktualisht kjo është analiza ime, për çfarë dëgjova javën e kaluar. Pres më shumë material në javët në vijim. Për të nxjerrë njerëz në rrugë duhet të përmenden shifrat multimilionëshe, duhet të përmenden tenderat specifik, terminalët, doganat etj. Këto të deritashmet ishin material i mirë për të ofenduar.
Sigurisht që jam i hapur të dëgjoj edhe thashetheme tjera, edhe nëse nuk ka përgjime ku përmenden milionat. Do të qeshi dhe do të zbavitëm. Do të më dalin lotët sa herë të dëgjoj mënyrën se si Presidenti thotë “alo”. E posaçërisht me pyetje e tij kriminale drejtuar Grabovcit: A ka najsen të re?