Ekonomia

Shoqata e Bankave: Kredia për bizneset është në rënie

aShoqata e Bankave ka publikuar të dhënat financiare të paaudituara të bankave tregtare për tremujorin e tretë të vitit 2015 si dhe të dhënat e agreguara mbi sistemin për muajin shtator 2015, sipas të cilave totali i aktiveve të bankave tregtare arriti në rreth 1,325 miliardë lekë në fund të muajit shtator, me rritje vjetore prej 4.1%. Raporti i mjaftueshmërisë së kapitalit arriti në nivelin 15.8%, ndërkohë që sistemi bankar mbetet likuid dhe i qëndrueshëm.
Totali i depozitave të vendosura pranë bankave arriti në fund të shtatorit në 1,090.3 miliardë lekë, duke vijuar tendencën rritëse si në terma tremujor ashtu edhe krahasuar me një vit më parë, respektivisht me një rritje prej 1% dhe 3.8%. Në rritje paraqiten si depozitat e individëve edhe ato të bizneseve. Në fund të muajit shtator depozitat e individëve janë rreth 17 miliardë lekë më të larta se fundi i vitit 2014, dhe 1% më të larta se niveli i qershorit 2015. Paralelisht, zhvillime pozitive kanë shfaqur edhe depozitat e bizneseve, të cilat në dy vitet e fundit janë shfaqur vazhdimisht me rritje çka mund të reflektojë futjen në sistem të një pjese të pagesave të shlyerjes së detyrimeve të vonuara nga Qeveria. Depozitat e bizneseve në fund të shtatorit ishin 10.7% ose 14.9 miliardë lekë më të larta se një vit më parë.
Teprica e kredisë së pashlyer në fund të tremujorit të tretë paraqitet në rënie prej 1%, megjithatë po të konsiderohet efekti i provigjionimit të kredive me probleme portofoli ka mbetur lehtësisht i pandryshuar nga niveli i qershorit. Kjo ecuri e aktivitetit kreditues është ndikuar nga kreditimi i dobët i bizneseve, portofoli i të cilëve gjatë kësaj periudhë ka qenë përgjithësisht në rënie. Kredia për individë vazhdon të shfaqë ritme të qëndrueshme rritjeje vjetore prej 2.5%. Kjo rritje është mbështetur kryesisht tek kreditimi për nevoja për konsum, ndërsa kreditimi për shtëpi edhe pse vijon të promovohet nëpërmjet produkteve bankare, ka konfirmuar një kërkesë të dobët. Kredia e re e disbursuar gjatë tremujorit të tretë 2015 ishte në total rreth 55.7 miliardë lekë dhe në pjesën më të madhe (rreth 78 për qind) e dhënë për bizneset.
Cilësia e portofolit të kredisë është përmirësuar lehtë nga tremujori në tremujor, me një nivel prej 20.6% të kredive me probleme ndaj totalit të kredive në fund të muajit shtator në krahasim me 20.9% në qershor 2015, por ndjeshëm më ulët se 25% që ishte ky nivel në fund të të njëjtit tremujor një vit më parë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button