Shqipëri e re me zakone të vjetra?
Teksa protesta po bën muajin me njerëzit që marshojnë çdo mbrëmje në rrugët e Tiranës, të krijohet gjithnjë e më shpesh përshtypja se organizatorët e saj po përpiqen të zgjidhin probleme që ia krijojnë vetë vetes dhe lëvizjes. Më e keqja, në përpjekjen e tyre për t’i zgjidhur këto probleme, prodhojnë të tjera rrugës.
Kjo ishte disi e qartë qysh në fillim të lëvizjes sepse një nga dobësitë e para të protestës ishte edhe kompleksimi i menjëhershëm nga sulmet e qeverisë dhe përpjekja për t’u justifikuar të nesërmen. Sa herë që Kryeministri apo zëra qeveritarë e etikonin protestën si të manipuluar nga fqinjët, segmente të saj nguteshin ditën tjetër të nxirrnin slogane kundër Fredi Belerit apo Serbisë. Kur protesta etiketohej si marksiste nga qeveria, të nesërmen vinin thirrjet “Poshtë Komunizmi!”. E njëjta gjë pamë të ndodhte edhe kur protesta u cilësua nga mazhoranca si një lëvizje e ndikuar nga regjimi iranian i ajatollahëve. Pra, në përpjekje për t’u vetëmbrojtur, organizatorët e protestës praktikisht pranuan në njëfarë mënyre të “vallëzojnë” brenda kornizës së vendosur nga qeveria dhe kryeministri, kur një protestë serioze nuk mund të lejojë që sloganet t’ia shkruajë, qoftë edhe në mënyrë indirekte, ai që e kanë shpallur si armikun kryesor të tyre. Ajo do të duhej tanimë të niste të tregonte se çfarë është dhe në fakt në momentin e saj më të fortë, ishte disi më e qartë se bëhej fjalë për një protestë kundër kapjes së pasurisë publike nga interesat private.
Ishte pikërisht ky moment që na dha të gjithëve arsye, si rrallëherë, të ndiheshim krenarë që jemi shqiptarë për gjërat e duhura, në vend të miteve të zakonshme nacionaliste të gjakut, qelesheve dhe flamujve. Për herë të parë pas shumë kohësh pamë se shoqëria ishte ende e aftë të ngrihej për të mbrojtur kauza universale si drejtësia mjedisore, kontrolli demokratik mbi të mirat publike dhe për të kundërshtuar pabarazitë e thella ekonomike.
Por, sa më shumë që protesta zgjatet, aq më shumë duket se i largohet atij themeli të parë mbi të cilin u ngrit. Shembulli i fundit, i letrës së grupit koordinues të protestës drejtuar ambasadorëve dhe krerëve të misioneve të shteteve Perëndimore është një tjetër provë e kësaj. E kuptoj se zyrtarisht, letra është thjesht një njoftim i kërkesave të protestuesve tek diplomatët perëndimorë në Shqipëri, por ajo shfaq nga ana tjetër një refleks të vjetër të politikës shqiptare që, sa herë ndien se i mungon legjitimiteti brenda vendit, e kërkon atë nga një autoritet më i lartë dhe mundësisht jashtë kufijve. Është një refleks që dy partitë mainstream e kanë shfaqur vazhdimisht sa herë kanë qenë në opozitë. Në pamundësi për të prodhuar legjitimitetin e nevojshëm mes qytetarëve, ato trokasin në dyert e ambasadave, duke shpresuar se vëmendja nga jashtë do të kompensojë dobësitë e tyre të brendshme.
Natyrisht nuk ka asgjë të keqe që organizatorët e protestës të duan të informojnë ambasadorët e huaj, por duket problematike që letra i drejtohet specifikisht vetëm diplomatëve Perëndimorë, ndërkohë asnjë akt i ngjashëm formal nuk është ndërmarrë drejt institucioneve të vendit. Sigurisht, përgjigja do të jetë se nuk i njohin këto të fundit sepse janë të kapura dhe të paafta për të korrigjuar një problem që e kanë krijuar vetë. Është një argument i drejtë, por nëse institucionet e kapura refuzohen plotësisht, atëherë lind një lloj përgjegjësie se çfarë njeh atëherë protesta? Nëse përgjigjia është se njeh popullin (qytetarët, për këdo që fjala “popull” i bie rëndë), atëherë duhet që t’i shfaqë ata në veprime më të qarta politike. Fjala vjen, duhet të tregojë si merren vendimet brenda lëvizjes dhe si hartohen kërkesat, kush i aprovon ato dhe si mund të kundërshtohen nga vetë protestuesit nëse nuk bien dakort me to?
Fakti që protesta vazhdon ende të “vallëzojë” brenda kornizës së vendosur nga qeveria, bën që të lindin dyshime se, ose asaj i mungon realisht kapaciteti organizativ për të dalë jashtë kësaj kornize, ose organizatorët u frikësuan nga energjia që u mblodh fillimisht rreth thirrjes së tyre dhe nuk dinë ç’të bëjnë me të, ose (nëse do donim të bëshim pak më konspiracionistë) atyre që “lëvizin fijet” e protestës nuk iu intereson në të vërtetë asnjë nga ndryshimet e forta që kërkohen për ndërtimin e “Shqipërisë së re.” Ndoshta dyshimi i fundit është i padrejtë, por në një shoqëri ku antenat e konspiracionit janë gjithmonë të ngrehura, ambiguiteti dhe paqartësia të ftojnë të zhytesh më thellë në teori konspirative. Nëse nuk e dimë se kush i merr vendimet dhe kush flet në emër të sheshit, boshllëku natyrisht do të mbushet me teori të shumëllojshme. E vetmja mënyrë për t’i ‘vrarë’ ato është qartësia.
Paradoksalisht, një lëvizje që nisi kundër shitjes së vendit dhe kundër oligarkisë globale, rrezikon tashmë të riprodhojë idenë e vjetër se në Shqipëri, kërkesat politike quhen serioze vetëm nëse konsakrohen nga diplomatët Perëndimorë. Të vjen në mendje kështu anekdota e vjetër e minjve që vendosën se problemi i tyre me macen mund të zgjidhej po t’i varnin një zile në qafë. Të gjithë ishin dakort, por asnjë prej tyre nuk i përgjigjej dot pyetjes se kush do t’ia vendoste zilen maces?
Protesta ka shpallur kërkesa të mëdha, por duhet që për publikun t’i përgjigjet të njëjtës pyetje: Kush do t’ia varë maces zilen në qafë? Thënë më qartë, kush e përcakton strategjinë e lëvizjes? Kush flet në emër të sheshit? Kush e mban përgjegjësinë? Vërtetë vendi nuk duhet të jetë në shitje, por as legjitimiteti politik nuk mund të kërkohet nga ambasadat, aq më tepër nga një lëvizje që thotë se është anti sistem.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.