Shqipëri, Instituti “Yunus Emre” vazhdon nismat për mësimin e turqishtes në shkolla
Instituti “Yunus Emre” – Tiranë ka nënshkruar një protokoll bashkëpunimi me Shkollën Jopublike “Aristoteli” në Tiranë për zhvillimin e mësimdhënies së turqishtes si lëndë zgjedhore të gjuhës së huaj në këtë gjimnaz, raporton Anadolu Agency (AA).
Të pranishëm në aktivitetin e nënshkrimit të protokollit në ambientet e shkollës ishin përfaqësuesit e Ambasadës së Turqisë në Tiranë, drejtues të Instituti “Yunus Emre” – Tiranë, si dhe drejtuesit e Shkollës Jopublike “Aristoteli”.
Gjatë fjalës së tij gjatë nënshkrimit të protokollit, drejtori i Institutit “Yunus Emre” – Tiranë, Ömer Osman Demirbaş, uroi që të vazhdojë bashkëpunimi midis dy institucioneve.
“Përgëzoj të gjithë, duke filluar nga drejtoresha dhe të gjithë stafin pedagogjik që kanë krijuar një mjedis të tillë. Jemi pafund të lumtur që na keni pranuar midis jush. Urojmë që të jemi më pranë njëri-tjetrit si institucione me zgjedhjen e turqishtes si lëndë zgjedhore dhe të vazhdojmë bashkëpunimin midis nesh”, u shpreh Demirbaş.
Ndërkohë, këshilltari për Çështjet e Arsimit pranë Ambasadës së Turqisë në Tiranë, Metin Bulut, tha se është i bindur që pas këtij hapi nxënësit e shkollës “Aristoteli” do të kenë mundësi për bursat e Turqisë, si dhe të bëhen pjesë e kompanive të ndryshme turke në të ardhmen.
“Shpreh falënderimet e mia edhe si pjesëtar i Ambasadës së Turqisë në Tiranë, veçanërisht për drejtoreshën e shkollës e cila ka bërë të mundur partneritetin midis dy institucioneve dhe që ka bërë të mundur zgjedhjen e turqishtes pranë shkollës ‘Aristoteli'”, tha Bulut.
Drejtoresha e Shkollës Jopublike “Aristoteli”, Entela Jorgji, theksoi se nënshkrimi i protokollit është një moment shumë i rëndësishëm për shkollën që ajo drejton.
“Jam shumë e lumtur dhe shumë e kënaqur për bashkëpunimin që ne do të vendosim sot. Është një moment i rëndësishëm për institucionin tonë arsimor, për dëshirën që kanë shfaqur fëmijët tanë për të mësuar krahas gjuhëve të tjera të huaja edhe gjuhën turke. Ishte zgjedhja faktikisht e fëmijëve ajo që na ka bërë ne të merrnim shkas që të kërkonim bashkëpunimin dhe të realizonim këtë bashkëpunim”, u shpreh ajo.
Instituti “Yunus Emre” – Tiranë për mësimin e turqishtes ka nënshkruar protokolle bashkëpunimi edhe me shkolla të tjera në Shqipëri.