Shqipëria kryeson rajonin me shtrëngimin e politikës fiskale
Politika fiskale e Shqipërisë në tre vitet e fundit është orientuar drejt konsolidimit, duke rritur taksat dhe duke shkurtuar shpenzimet. Duke parë zhvillimet fiskale të rajonit, shihet se edhe këtë vit Shqipëria, Serbia, dhe Bosnja pritet të ndjekin konsolidim të mëtejshëm fiskal, ndërkohë që vendet e tjera do të përjetojnë zgjerim të deficitit dhe do të aplikojnë politika më liberale fiskale, analizon Banka Botërore.
Për vitin 2017, Shqipëria, Bosnjë-Hercegovina dhe Serbia kanë parashikuar reforma strukturore me qëllim adresimin e ngurtësisë në shpenzime. Deficiti buxhetor i Shqipërisë, për këtë vit, është planifikuar 2% e PBB-së.
Në Kosovë, ndryshimet e fundit në rregullin fiskal do të bëjnë që deficiti të tejkalojë kufirin aktual prej 2% të PBB-së, me qëllim financimin e investimeve produktive.
Deficiti i planifikuar buxhetor i Maqedonisë për 2017, pritet të rritet mesatarisht në 3.2% të PBB-së, çka tregon se të ardhurat janë të qëndrueshme, por shpenzimet korrente të larta, sidomos për pensionet.
Buxheti i Malit të Zi për vitin 2017 përmban një sërë masash që synojnë rritjen e të ardhurave dhe reduktimin e shpenzimeve. Borxhi publik/PPB parashikohet që të fillojë të bjerë prej vitit 2018 në të gjitha vendet e BP6-s përveç Malit të Zi dhe Kosovës. Stoku në rritje i borxhit publik të Malit të Zi përbën kërcënim për qëndrueshmërinë fiskale afatmesme të vendit. Stabilizimi i borxhit të Malit të Zi do të jetë i vështirë për t’u arritur, por ai është vendimtar për t’ju rikthyer besimin investitorëve dhe për të mundësuar shtyrjen e suksesshme të detyrimeve aktuale të vendit, të cilat pritet të arrijnë mesatarisht në 16% të PBB-së në periudhën 2019-2021.
Ndërkohë që borxhi publik në Kosovë po rritet, madhësia e tij është ende e ulët dhe ka hapësirë për të financuar investime produktive. Rreziqet e jashtme ende anojnë nga kahu negativ.
Pasiguria dhe destabiliteti politik është rritur në disa vende të BE-së dhe te partnerë të tjerë tregtarë, si Turqia, gjë që mund të sjellë pasoja negative në tregti dhe investime, por edhe pozitive duke nxitur turizmin.
Rritja e pasigurisë së përgjithshme është një tjetër faktor që mund t’i bëjë investitorët të ngurrojnë ose që mund të ndikojë tek investitorët e mëdhenj, të cilët mbajnë peshën kryesore të rritjes ekonomike dhe punësimit në rajon. Nëse rreziku i proteksionizmit të lartë do të materializohej, ai mund të çojë në kufizim të ribalancimit drejt një modeli të rritjes ekonomike të mbështetur tek eksportet, e cila do të krijonte një barrierë për konvergjencën e të ardhurave me BE-në, analizon Banka Botërore.
Për shembull, 75% (0.6 pp) e ngadalësimit të rritjes së tregtisë botërore në vitin 2016 erdhi si rezultat i pasigurisë së lartë politike.
Dinamikat e çmimeve të lëndëve të para dhe normalizimi i politikës monetare të SHBA-së gjithashtu përbëjnë rreziqe të mundshme. Për më tepër, mbiçmimi i mundshëm i dollarit amerikan do të krijonte rrezik për shërbimin e borxhit, veçanërisht në Serbi, ku rreth një e treta e borxhit publik është në dollar amerikanë; edhe Mali i Zi është objekt i rrezikut nga luhatja e kursit të këmbimit të dollarit amerikan. Rreziqet e brendshme politike e bëjnë gjithashtu të zymtë parashikimin për rritjen e BP6-ës. Tensionet politike në disa vende ka të ngjarë të vazhdojnë në periudhë afatmesme.