Ekonomia

Shqipëria synon orientimin drejt një turizmi elitar

Shqipëria synon orientimin drejt një turizmi elitar e të klasës së mesme të shoqërisë, duke u shkëputur nga turizmi sezonal patriotik, në mënyrë që të kemi një sezon turistik 365 ditësh.

Këshilltari i Kryeministrit, Fate Velaj, gjatë një takimi të zhvilluar me studentë të Universitetit të Vlorës tha se Shqipëria ka pasuri të mëdha turistike për krijimin e një turizmi të qëndrueshëm e funksional. Këto, tha ai, janë marrë parasysh edhe në hartimin e strategjisë për zhvillimin e turizmit, ku është punuar për alternimin e turizmit antik e informativ me turizmin bregdetar e malor.

“Ne synojmë të kemi një turizëm bregdetar nga marsi deri në tetor dhe jo vetëm një turizëm patriotik me qytetarë shqiptar në emigracion, qytetarë të Kosovës, apo Maqedonisë, nga data 1-31 gusht”, tha Velaj. Ai kërkoi nga autoritetet vendore në Vlorë edhe hartimin e strategjisë së zhvillimit të turizmit të këtij qyteti, e cila duhet të shërbejë si shembull e pikë orientimi për të gjithë turizmin shqiptar, ku të gjitha agjencitë e huaja ta konsiderojnë si destinacion.

Vlora, tha ai më tej, shumë shpejt do të ketë partneritet me disa qytete strategjike të Evropës së Bashkuar. Ai informoi edhe mbi një vizitë të 400 turistëve austriak, që kanë zgjedhur të pushojnë në Sarandë. Sipas tij, këta do të transmetojnë kënaqësinë e mikpritjes në vendin tonë tek të tjerë turistë, çka do të bëjë të mundur shtimin e numrit të turistëve drejt vendit tonë.

Ndërkohë, kryetari i bashkisë Vlorë, Dritan Leli u ndal tek rëndësia që ka ndërtimi i portit të ri që do të mundësojë ankorimin e anijeve të mëdha cruiser në këtë qytet. Leli informoi edhe mbi investimet që po zhvillohen në projektin e zgjatjes së rrugës transballkanike deri në afërsi të portit.

Drejtori i Agjencisë Kombëtare të Turizmit, Ardit Çollaku u shpreh se turizmi është një nga prioritetet kryesore të qeverisë shqiptare. “Po synojmë një turizëm gjithëpërfshirës e të qëndrueshëm, 365 ditë në vit, pasi nuk është më ai turizmi sezonal veror, por po flasim për një turizëm që e tejkalon këtë koncept, duke përfshirë historinë, vlerat kulturore e arkeologjike, sportet e ndryshme turistike që vendi ynë përfaqëson e nuk ka pse të mos jetë konkurrent edhe me vendet e tjera të rajonit”, tha Çollaku.

Ligji i ri “Për turizmin”, vuri në dukje Çollaku, ka sjellë një sërë risish. Është një ligj që rregullon sektorin, e hap rrugën të përfshijë edhe fusha të tjera siç janë ato të turizmit lundrues, social por edhe fusha të tjera. “Më së fundmi do të fillojmë të standardizohemi”, iu drejtua Çollaku studenteve, duke shtuar se fliste për standarde të cilat Ministria e Ekonomisë po i përpunonte përmes akteve nënligjore për këtë sektor. Shumë shpejt, informoi ai, do të ngrihet edhe Inspektoriati i Turizmit, i cili do të standardizojë e çertifikojë hotelet.

AKT konsideron të rëndësishme edhe bashkëpunimin me njësitë vendore. “Më në fund do të kemi atë qasje vendore, duke bërë të mundur organizimin e eventeve të ndryshme, por edhe promovimin e zonave e lokaliteteve të veçanta jo vetëm të zonave turistike bregdetare. Gjithëpërfshirja dhe synimi që ka pasur qeveria në hartimin e këtij ligji është ajo e turizmit të qëndrueshëm, për të cilin ne mirëpresim dhe bashkëpunimin me operatorët e huaj.

Gjatë panaireve të zhvilluara së fundmi në Vjenë e Milano, Çollaku informoi se ka pasur një kërkesë të lartë nga operatorë të huaj për të bashkëpunuar dhe për të rritur prezencën e tyre në vendin tonë. Risi, nënvizoi ai, është edhe hapësira që i krijohet bashkëpunimit me institucionet e tjera, gjë e cila do të ketë rritje të veçantë të sektorëve të ndryshëm që ndërhyjnë fuqishëm në turizëm duke e bërë atë akoma më të qëndrueshëm.

Ai ftoi studentët e Universitetit të Vlorës të bëhen pjesë e nismës së qeverisë “Endrra Ime”, një projekt ky në bashkëpunim me Cooperacionin Italian në kuadër të marrëveshjes për konvertimin e borxhit , për të cilin, tha ai, kushdo që ka një ide apo projekt për hapjen e një shoqërie në fushën e turizmit mund të aplikojë. Në fund të muajit, mbyllen aplikimet dhe shpallen edhe 10 fitues, ku secili prej tyre përfiton 500 mijë lekë.

Shqipëria është përzgjedhur së fundmi si destinacion botëror për t’u vizituar, fillimisht vitin e shkuar nga mediat ndërkombëtare si Telegraph, Lonely Planet, CNN, New York Times, BBC. Më pas, viti 2016 ka nisur me një sërë artikujsh nga të tjerë kanale të industrisë mediatike botërore, agjenci turistike dhe blogje të famshëm.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button