Kronika

Shqiptarët, poshtë mesatares europiane për përdorimin e drogës, transit për trafik

Raporti 

Qendra Europiane e Monitorimit për Drogat dhe Varësinë publikon raportin 2006-2014, situata e përdoruesve shqiptarë në Ballkanin Perëndimor

Nga Mariglen Mullai

tranziti i drograve ne europePërdoruesit shqiptarë të drogës renditen në shifra më të ulëta se mesatarja europiane. Mes vendeve të Ballkanit Perëndimor, nxënësit e shkollave kanë eksperimentuar me kanabisin më shumë se moshatarët e tyre në rajon. Në Shqipëri ka 1 mijë e 300 persona me hepatitin C, të cilin e kanë marrë përmes përdorimit të heroinës. Ndërkaq, rreth 8 mijë persona përllogariten si përdorues heroine me injeksion në Shqipëri. Të dhënat janë publikuar dje nga Qendra Europiane e Monitorimit për Drogat dhe Varësinë (EMCDDA) në bashkëpunim me Institutin e Shëndetit Publik të Shqipërisë dhe të vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor. Ky raport është produkt i ekspertizës kolektive të individëve dhe agjencive për të kontribuar në raportet rreth situatës së drogës. Raporti bën fjalë për të dhënat nga viti 2006 deri në 2014-n.

Raporti

Përdorimi i drogës në mesin e nxënësve të shkollave të moshës

15-16 vjeç në rajon është në rënie, midis 4 dhe 8 për qind, ose 2.5 herë më e ulët se mesatarja europiane. Droga më e përdorur zakonisht është kanabisi, me 2 dhe 8 për qind. Përdorimi i kanabisit është 17 për qind më i ulët se mesatarja europiane. Ka dëshmi të përdorimit më të madh të qetësuesve pa recetë në mesin e grave të reja sesa te meshkujt. Të gjitha vendet në Ballkanin Perëndimor, me përjashtim të

Kosovës, kanë prodhuar studime empirike për vlerësimin e popullatave që injektojnë drogë. Vlerësimet kanë sugjeruar se ka 3.500 njerëz të cilët injektojnë drogë në Kosovë (me shiringë), më shumë se 8.000 në Shqipëri, rreth 10.000 në Maqedoni, rreth 12.000 në Bosnjë-Hercegovinë dhe më shumë se 30.000 në Serbi. Përdorimi i drogës ekziston mes popullsisë të moshës 15 deri në 64 vjeç. Mesatarja europiane për përdorimin e kanabisit në 16 vitet e fundit është 17 për qind, ndërsa në Kosovë shkon në 2 për qind dhe në Shqipëri 4 për qind. Në vitin 2011 pati një rritje, ku Shqipëria u rendit në 8 për qind. Në Serbi, përdorimi i drogës në 2014-n është vlerësuar në 12.8 për qind në mesin e të rinjve të moshës mes 18 dhe 34 vjeç. Në Shqipëri, në vitet 2005 dhe 2009, midis moshave 15 dhe 19 vjeç pati rritje në përdorimin e kanabisit (nga 5.4 për qind deri në 7.4 për qind) dhe kokainës (nga 1.6 për qind në 3.2 për qind). Nga një studim mes 392 fëmijëve në nevojë të moshës 12 dhe 20 vjeç në Bosnjë-Hercegovinë u vlerësua se 5 për qind kishin përdorur kanabis. Nga një studim i vitit 2009, i Institutit të Shëndetit Publik të Shqipërisë, kur janë bërë krahasime mes djemve dhe vajzave për përdorimin e kanabisit, rezulton se djemtë ishin në shifrën e 15.6 për qind, ndërsa vajzat 1.8 për qind. Për përdorimin e ekstazisë, djemtë rezultonin në 8.5 për qind, krahasuar me 1.7 për qind në rastin e vajzave. Në Shqipëri, përdorimi i drogës te të rinjtë e moshës midis 15 dhe 19 vjeç është më e lartë në kryeqytetin Tiranë, sesa diku tjetër. Në Tiranë rezultojnë 10,4 për qind përdorues, në krahasim me 7,5 për qind në qytete të tjera, ekstazia 6,6 për qind në krahasim me 4,5 për qind, heroina 3,5 për qind, krahasuar me 1,9 për qind dhe kokaina 4.6 për qind, në krahasim me 3,2 për qind. Sondazhet mes nxënësve të shkollave sugjerojnë se më pak se 1 për qind kanë eksperimentuar me injektimin e drogës, ku në rajon rezulton se përdoruesit më të shumtë të kësaj shtrese janë në Shqipëri. Në fundin e 2012-s në Shqipëri, Bosnjë- Hercegovinë, Maqedoni, Malin e Zi dhe Serbi rreth një e katërta e rasteve me virusin HIV ishin të lidhura me injektimin e drogës, pothuajse të gjithë (97 për qind) në Serbi. Megjithatë, duhet të theksohet se shumica e rasteve me HIV që janë të lidhura me injektimin e drogës janë regjistruar para vitit 2006, gjë e cila tregon se situata tani është më e kontrolluar. Vlerësimet e fundit të numrit të përdoruesve të heroinës, të cilët janë me hepatit C (HCV) janë si më poshtë: 800 persona në Mal të Zi, 1.300 në Shqipëri, 2.100 në Bosnjë-Hercegovinë, dhe 9.400 në Serbi. Në këtë raport shqyrtohet prevalenca e drogës e lidhur me sëmundjet infektive, si HIV, viruset, hepatitet etj. Prevalenca e HIV në Ballkanin Perëndimor mbetet relativisht më e ulët se në Europë, ndërsa një e katërta e rasteve me HIV në rajon janë të lidhura me përdorimin e drogës së injektuar. Ka më pak se 5 për qind të rasteve të reja që nga 2006-a. Në Shqipëri, ka dy shërbime të OJQ-ve: njëra që ofron rehabilitim banimi me një kapacitet prej 20 shtretërish dhe trajton 77 persona (në 2012-n) dhe tjetri që ka siguruar metadon që nga viti 2005 dhe që ka pasur 741 persona nga viti 2005 deri në vitin 2012.

Trafiku i drogës

Pozita gjeografike e Ballkanit Perëndimor është e lidhur me rrugët e shpërndarjes së drogës, sidomos për heroinën, por edhe për kokainën dhe kanabisin. Bazuar në raporte të Europolit etj., përmendet “Rruga e Ballkanit” që lidh Afganistanin me tregjet e mëdha të Rusisë dhe Europës Perëndimore. Rruga e Ballkanit lidh Europën Juglindore me atë Perëndimore. Heroina kalon transit nga Afganistani nëpërmjet Iranit (shpesh nëpërmjet Pakistanit), Turqisë, Greqisë dhe Bullgarisë. Trafikimi i heroinës nëpërmjet Ballkanit Perëndimor për në Europën Perëndimore ndodh në dy akset kryesore: Në perëndim përmes Shqipërisë drejt Italisë. Zyra e Kombeve të Bashkuara për Drogën dhe Krimin (UNODC) vlerëson vlerën vjetore të tregut të drogës në rrugën ballkanike, në të paktën 20 miliardë USD. Rruga veriore, vlerësohet të ketë një vlerë prej rreth 13 miliardë USD në vit.

Rreth 8.000 përdorues heroine në Shqipëri

Përdorimi i kanabisit është 17 për qind më i ulët se mesatarja europiane

Për kanabisin 15.6 për qind e përdoruesve shqiptarë janë djem, 1.8 për qind janë vajza

1.300 persona me Hepatit C në Shqipëri (nga injektimi i heroinës)

20 miliardë USD fitime nga trafiku i drogës në rrugën ballkanike

2 OJF në Shqipëri ofrojnë rehabilitimin e të droguarve

Në Shqipëri ka më shumë nxënës shkollash se në Ballkan që kanë eksperimentuar kanabisin

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button