Ekonomia

Shqiptarët “zbulojnë” Shqipërinë…

Nuk është më vetëm Tirana e Durrësi, apo një drekë në fundjavë. Shqipëria ka shumë më tepër për të ofruar dhe shumëkush po e zbulon këtë. Fundjavat po bëhen më të larmishme.
Ka diçka për çdo lloj turisti që kërkon aventurën, si udhëtime epike, ku shpenzon shumë kalori dhe përshkon kilometra të tërë.
Më pas ke mundësinë të pushosh në një hotel me 4 yje. Mund të vizitosh një anije të mbytur nga koha e Luftës së Dytë Botërore dhe histori, shumë histori. Por sërish të huajt mbeten më të interesuarit për turizmin ndryshe…

 

Nga Elona Bedalli

“Kur të tjerët e përshkruanin rrugën drejt Thethit si ekstreme dhe të vështirë nuk e ekzagjeronin aspak. Destinacioni im ishte një plazh i bukur dhe tradicional në Bjeshkët e Namuna dhe që vizitohet vetëm nga më të guximshmit në stinën e dimrit, por në verë, numri i të huajve shkon deri në 5,000 apo 10 mijë. Vetë emri, Thethi, më bëri që ta vendosja në listën e atyre vendeve që duhej patjetër të vizitoja dhe ashtu bëra”. Kështu shkruan Matt Baron (Travelgeekuk), një turist i pasionuar britanik që vetëm pak ditë më parë e vizitoi Shqipërinë nga Veriu në Jug. Sipas tij, Shqipëria është një ndër vendet që e ka tërhequr më shumë në Europë, jo vetëm për peizazhet, por edhe për mikpritjen dhe traditat.

Endrit Shima, menaxher destinacioni tek Zbulo!-Discover Albania, është një i ri me përvojë në fushën e turizmit, veçanërisht atij të aventurës. Paketat e tyre ‘incoming’ janë tërësisht të ideuara për turistët e huaj. Ai tregon sesi të huajt, që më së shumti janë nga Europa Perëndimore, por edhe Amerika e Australia e largët, vijnë me një imazh krejt në ndryshëm në mendje për Shqipërinë dhe befasohen kur ajo çka gjejnë është e një natyre tërësisht tjetër, ku gërshetohet mali dhe deti, kultura dhe tradita, ku nuk mungon akomodimi dhe as shërbimi.

“Në udhëtimet tona, ne arrijmë të kombinojmë kulturën, natyrën dhe aktivitetin, duke vepruar sipas parimeve të turizmit të përgjegjshëm. Si udhëtarë me përvojë, ne kujdesemi për të siguruar standarde dhe siguri”, thotë z. Shima. Ai vë re se falë përvojës, standardeve të krijuara dhe sigurisë, numri i turistëve të huaj është në rritje. Zbulo! ofron ture ngjitjeje në zona si në Përmet, Razmë – Theth – Kelmend, por edhe në Parkun Kombëtar të Prespës. Një nga turet më të veçanta dhe që po promovohet fort është pikërisht ai që njihet si “Peaks of Balkans” e ku natyrshëm bën pjesë edhe Shqipëria.

“Në promovim na ka ndihmuar shumë edhe marketingu, që vetë të huajt i bëjnë Shqipërisë si destinacion turistik përmes blogjeve të tyre po ashtu edhe mediat e huaja prestigjioze. Në fillim të vitit të kaluar, si pjesë e një projekti të përbashkët me GIZ, u bë realizimi i një turi njohës me gazetarë gjermanë. Një përvojë e cila na dha fryte e që shërbeu për të tërhequr më shumë turistë, jo vetëm në Veri, por edhe në Jug ku gjithashtu kemi organizuar ture familjarizuese”, thotë z. Shima.

Sipas tij, turistët të cilët vijnë në Shqipëri për të bërë hiking, trekking, udhëtime me biçikletë apo edhe për të parë sesi jetohet në një vend ku civilizimi nuk e ka nënshtruar tërësisht, joshen nga ajo çfarë gjejnë. “Zakonisht marrin ture që llogariten deri në 10 ditë e që kushtojnë mesatarisht nga 1,000 deri në 1,300 euro. Të huajt kanë kërkesa bazike dhe iu pëlqen ajo që gjejnë këtu. Fshatra me autenticitet, shpesh me rrugë të pashtruara e që janë larg urbanizimit. Kjo është ajo që ata duan”, thotë menaxheri i destinacionit. Shqipëria, për këtë lloj turizmi, është konkurruese me vendet e tjera të rajonit dhe ka çmime deri diku të ngjashme. Maqedonia vlerësohet si më konkurruese, duke qenë se ka TVSH-në më të ulët, por ofron edhe subvencionime për agjencitë dhe tur-operatorët që sjellin turistë të huaj. Kjo i nxit ata që të kenë paketa më të favorshme.
Të rinjtë, ata deri në moshën 40 vjeç, parapëlqejnë kryesisht ture individuale, pasi kushtojnë edhe më lirë, ndërsa mbi këtë moshë zgjedhin turet e organizuara dhe me shoqërues. Por është e vështirë që të bësh një ndarje mes femrave dhe meshkujve që preferojnë turizmin e aventurës, pasi shifrat janë deri diku të ngjashme.

Megjithatë, tur-operatorët shqiptarë kanë fituar përvojë dhe zbatojnë standardet e sigurisë, një kusht i rëndësishëm.
“Të huajt, kur vijnë në Shqipëri, vlerësojnë gjithçka që është autentike, kulturën, traditën që ka ky vend. Ata pëlqejnë zona që nuk janë shumë të urbanizuara. Por, problemi kryesor që ata vënë në dukje janë mbeturinat. Është një aspekt shqetësues që do të duhej të zgjidhej, pasi prish peizazhet”, thotë z. Shima.

Sipas tij, ecuria e këtij lloji turizmi pritet të jetë pozitive, vetëm nëse situata politike në vend do të përshkallëzohej, atëherë do të gjendeshim përballë një shoku. “Ne i përgatisim programet tona një vit përpara, sikundër bëjmë edhe prenotime. Por, nëse kjo do të ndodhte, atëherë nuk do të kishte rezervime deri në vitin 2019, madje do të ndërpriteshin dhe turet që janë prenotuar. Ky do të ishte një shok për turizmin”.
Një tjetër lloj turizmi (veç ngjitjes dhe ecjes) që po tërheq vëmendje është edhe ecja me biçikletë.

Armand Jegeni është menaxher produkti tek “Cycle Albania”. Ai tregon se kjo është një periudhë tejet e ngarkuar për tur-operatorët, të cilët ofrojnë këto lloj shërbimesh.
Turet që ofrohen janë 8-15-ditore dhe çmimet variojnë nga 950 euro në 1,650 euro për person, me shërbim all inclusive. Ai thotë të huajt po kërkojnë të eksplorojnë Shqipërinë përmes tureve me biçikleta.
Karen Rubin, një shkrimtare udhëtimesh, është një prej turistëve që ka pasur një përvojë udhëtimi me biçikletë me “Cycle Albania”, sikundër na tregon z. Jegeni. “Ejani të vizitoni një vend, njerëzit dhe kultura e të cilëve është rrethuar me mister, pasi ka qëndruar për dekada i izoluar. Shqipëria nuk është siç ka qenë 10 vjet më parë dhe nuk do të jetë e njëjtë pas 10 vitesh”, shkruan Rubin.
“Unë eci me biçikletën time në këtë vend dhe shosh njerëz të këndshëm dhe mendjehapur. Ne mendojmë se Shqipëria është e varfër, por në SHBA ka vende edhe më të varfra, me ekstremitete më të forta. Në një nga qytetet më popullore në sezonin e plazhit është Saranda, ku njerëzit dalin dhe bëjnë shëtitje të gjata (një zakon ky në Shqipëri) përgjatë detit, si në Long Beach, Coney Island ose Jones Beach. Sheh të rinj të veshur bukur e të shkujdesur, por edhe prindër të cilët kujdesen aq shumë për fëmijët. Sheh baballarët sesi mbajnë në krah fëmijët dhe kupton se nënat kanë një status të barabartë në familje”, shkruan Rubin.

Çdo ditë, thotë ajo ka rendur pas peizazheve të ndryshme, të dallueshme për nga gjeografia e përbërja sociale. Ti kurrë nuk e di se çfarë do të shohësh përtej.
“Këtu të gjithë na shohin me habi, jo se jemi të huaj (nuk është e qartë se ne jemi amerikanë), por sepse ecim me biçikletë”.
Pennie Varvarides, një trajner personal i luftimit nga Londra, ka udhëtuar gjithashtu në Shqipëri përmes tureve që kanë organizuar Armand dhe Junid Jegeni të Cycle Albania. Ai thotë se gjatë udhëtimit në Shqipëri përjetoi përvoja të ndryshme, jo vetëm në çiklizëm, por edhe shëtitje me traget në Liqenin e Komanit, ngjitje në mal, shëtitje në pikën turistike të Syrit të Kaltër si dhe eksplorim në Shpellën e Pëllumbasit, në Tiranë. “Natyra ishte e bukur dhe mahnitëse, por kishte një problem. Gjatë ngjitjeve na u desh të mbanim me vete edhe një çantë për të hedhur aty mbeturinat që i gjenim dhe i mblidhnim. Megjithatë ajo që gjetëm në Shqipëri ishte një vend ku mund të bëje pushime aktive, me natyrë të paharrueshme. Ndaj ejani ta vizitoni përpara sesa turma të mëdha të dynden në të”, tregon Varvarides.

Shqiperi Turizmi 3Shqiptarët, diversifikohet fundjava

E ndërsa të huajt rendin pas turizmit të aventurës në Shqipëri, vetë shqiptarët sipas tur-operatorëve frekuentojnë më shumë turizmin e fundjavës. Destinacionet më të pëlqyera në këtë kohë janë Korça me fshatrat e saj, Pogradeci me liqenin që tashmë është bërë gati për të pritur pushuesit, kryesisht të moshës së tretë apo edhe familjarë, të cilët duan një vend të sigurt dhe të përshtatshëm edhe për fëmijët.
Më të rinjtë zgjedhin aventurën. Dsm Tourist Gude Albania është një nga agjencitë që ofron ture të veçanta pranverore kryesisht në Bjeshkët e Namuna, por edhe në Valbonë me përvojën e veçantë të tragetit. Janë paketa që ofrojnë udhëtim njëditor dhe që llogariten deri në 60 euro për person. Por, mund të zgjidhni të përjetoni adrenalinë me turet e veçanta që ofrojnë përvojën e ‘zip line’, që kryesisht bëhet në grykën e Drinit të Bardhë dhe në grykën e Rugovës, për një çmim që llogaritet në 22 euro për person.

Edhe agjencia My Albania ofron ture në fundjavë që janë të mbushura me argëtim. Valbona, lumi i Shalës janë disa nga destinacionet që mund t’i vizitoni duke filluar nga 59 euro.
Për herë të parë, në guida është përfshirë edhe një udhëtim i veçantë në Ujëvarën e Peshturës, në krahinën e Kurveleshit, por edhe kanionin e Bënçës.
Destinacione të tjera të pëlqyera nga turistët e brendshëm janë edhe kanionet e Osumit, Mati, Puka, vendi mes maleve, liqeni i Ulzës, që është i jashtëzakonshëm. Nga agjencitë nuk lihen pa përmendur edhe plazhet e mrekullueshme të Kavajës, siç është ai i Gjeneralit apo edhe Gjiri i Lalëzit e Kepi i Rodonit.
Rihapja e ishullit të Sazanit gjithashtu është një destinacion i kërkuar që tërheq kureshtarë, i hapur për turistët shqiptarë dhe të huaj, që ofron edhe plazhe të veçanta.

 

 

Shqiperi turizmi 8Shqipëria e adrenalinës së fortë

Zhytje

Ky aktivitet është i përshtatshëm për njerëzit e pasionuar pas botës nënujore. Nëse ju keni vendosur të vizitoni Shqipërinë nuk mund të largoheni prej saj pa bërë të paktën një eksplorim nënujor. Aventura e zhytjes është një përvojë për të cilën thuhet se kush e provon një herë, nuk ndahet më kurrë prej saj.

Kayak

Është mënyra më e bukur dhe më sportive për të eksploruar detet dhe liqenet e Shqipërisë. Me kayak do të mund të eksploroni plazhe, gjire, shpella të cilat është e pamundur të arrihen në rrugë tokësore.

Kacavjerrje shkëmbore

Ky është një sport i ri në Shqipëri dhe mund të quhet ndryshe shkalla më e lartë e alpinizmit, ku me anë të litarëve dhe aksesorëve të tjerë të sigurisë kryhet kacavjerrja në shkëmbinj të thepisur. Është një vend i mrekullueshëm, i cili quhet Gjipe, ku mund të bëni kacavjerrje shkëmbore dhe njëkohësisht të shijoni panoramën spektakolare që ofron bregdeti shqiptar.
Albania Adventure, në bashkëpunim me Globo Alpin, kanë krijuar më shumë se 70 itinerare për kacavjerrje shkëmbore, të cilat sot po frekuentohen nga alpinistë nga e gjithë bota.

Trekking

Ky aktivitet konsiston në përshkimin e itinerareve të gjata nga 3-15-ditore, ku ecja fillon herët në mëngjes, shtigjeve duke shmangur në maksimum rrugën e makinave dhe mbaron pasdite vonë.
Për të shijuar maksimalisht një aventurë trekking, numri ideal i pjesëmarrësve do të ishte 8-12 persona.

Hiking

Ky aktivitet konsiston kryesisht në ndjekjen e shtigjeve, të cilat shkojnë drejt majave të alpeve dhe pushtimit të tyre. Aventura Hiking është një aktivitet që realizohet në Alpe dhe male të larta.
Hiking mund të jetë nga 1-ditor deri në 7-8-ditore. Dallimi midis hiking dhe trekking është pikërisht ky: në hiking, aventurierët çdo natë akomodohen në hotel ose shtëpi pritëse, ndërsa në trekking flihet në çadra, të cilat merren gjithnjë me vete gjatë ecjes.

Off Road

Territori shqiptar është një nga më të përkryerit në Ballkan për kryerjen e këtij aktiviteti, pasi shoqërohet gjatë gjithë kohës me panorama fantastike, të cilat për pak orë ndryshojnë krejtësisht nga njëra-tjetra.
Me mjete motorike 4×4 mund të eksploroni rrugë, të cilat shpeshherë nuk mund të quhen të tilla.
Kjo aventurë kalon nëpër fusha, lumenj dhe male të cilat ndoshta nuk janë shkelur prej dekadash. Eksplorimi i tyre bëhet me mjete motorike me katër rrota aktive, si dhe të modifikuara për të përballuar terrene të vështira, të cilat shpeshherë janë edhe ekstreme.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button