Opinion

Si do të rritet ekonomia dhe investimet ? Po të ardhurat e mia ?

EDUART GJOKUTAJ

Eduart GjokutajKush është mënyra më e mirë për të gjallëruar ekonominë? Më shumë investime për shërbimet sociale, të alternuara me investimet e huaja në sektorë të orientuar? Më shumë para për të pasurit, apo paga më të mira për punonjësit?

Nëse nisemi nga ligji i kapitalizmit, bizneset kanë qarkullim më shumë, nëse punonjësit kanë më shumë para për konsum. Nëse bazohemi te faktet e politikës fiskale për vitin 2014 logjika e ndjekur është e njëjta. U ul tatimi mbi pagat për punonjësit dhe iu shtuan 5 deri 10 për qind më shumë lekët për konsum. Shpenzimet në shërbime e mallra konsumi dhe produkte agroindustriale u rritën me 1% të PBB në 2014. Ekonomia filloi të rrotullohet pasi mekanizmat e saj u vunë në punë.

Po xhepi i punonjësve?

Punonjësit me paga deri 30 mijë lekë edhe në 2014 zënë një peshë mbi 50% të gjithë punëmarrësve shqiptarë. Po t’u shtosh edhe numrin e punonjësve me pagë mesatare, atëherë mbi 2/3 e punëmarrësve shqiptarë përfitojnë paga deri në 60 mijë lekë në muaj dhe që konsiderohen se nuk mund të kenë efekte te shtimi i kursimeve/depozitave. Pagat e tyre janë baza më e gjerë e mundshme e konsumit në vend. Në vlerë absolute, të ardhurat vjetore që zotëron kjo kategori potenciale për konsum nuk shkon më shumë se 6-7% e konsumit të brendshëm apo sa 5-6% e Prodhimit të Brendshëm.

Po, ku do të shkojë ekonomia nëse do të vazhdojë të dominohet nga vende pune të paguara pak ose me pagë afër nivelit mesatar? A ndodh ky nivel pagese se njerëzit e pasur dhe biznesmenët nuk i përballojnë dot kostot më të larta për pagat e punonjësve?

Nuk ka për të ndodhur ndonjëherë që rishpërndarjen e të ardhurave ta bëjnë të pasurit, pasi historia tregon se në sistemin që jetojmë dhembshuria është në plan të fundit. Biznesmenët dhe të pasurit munden për të sistemuar rritjen e nivelit të pagave me të paktën 3-6% më lart për secilin vit pune. Stopimi i kësaj rritjeje mund të ndodhë vetëm kur niveli i inflacionit në 24 vite të jetë sa niveli i pagës së indeksuar dhe i krahasueshëm me nivelet e pagës minimale mujore të rajonit. Elementet e tjera të kostos së biznesit edhe në këto vende nuk janë më të ulëta se në Shqipëri (lëndë e parë dhe taksat). Përjashtohet këtu vetëm fitimi i biznesit (ai informali). Ai në Shqipëri është më i madh se në këto vende për shumë mallra dhe shërbime, pa llogaritur këtu edhe ndërhyrjen te cilësia e tyre. Në dialog me palët, politika duhet të shprehet në lidhje me strategjinë për rritjen e pagës minimale. Vizioni për pagën minimale qartëson dhe pozicionon të gjitha palët: punëmarrësit, biznesmenët, qeverinë. Rritja e pagave të ulëta do të rriste më tej xhepin e konsumatorëve, por edhe bazën e tatimpaguesve, duke rritur forcën e tyre si konsumatorë dhe komunitet aktiv.

Por, nisur nga fakti se rritja e të ardhurave individuale vjen kryesisht, si produkt i investimeve, po ashtu edhe analiza fokusohet te politika dhe modeli ekonomik. A duhet nga ana tjetër të presë qeveria dhe ekonomia për thithjen e investimeve duke parë në sy investitorët se si dhe ku do të investojnë? Mos ndoshta nevojitet edhe një përcaktim i fushave për investim nga qeveria edhe pse liria për të bërë biznes nuk mungon?

Kjo do të thotë që edhe investimet publike të orientohen drejt përgatitjes së kushteve për realizimin e investimit sipas kërkesave të investitorëve. Përgjigjet që mund të jepen nuk mund të klasifikohen në të mira dhe të këqija. Investitorët do të kryejnë ato investime që i vendosin nëse ata ndihen të sigurt se fitimet e tyre do të jenë në trende rritëse dhe se nuk do të preken nga destabiliteti i politikës dhe ajo fiskale. Investitorët do të “dynden” në Shqipëri nëse nga analizat atyre u rezulton se ka një klasë punëtore me kosto të leverdishme në raport me aftësitë. Nga ana tjetër do të duan të ketë një transport shumë më dinamik në lidhjet e nyjave në vend dhe me jashtë.

Por, një pikë tjetër që u ndikon në vendimet e tyre është shëndeti buxhetor i vendit. Pasi kanë parë se institucionet kryesore janë shprehur tashmë me pozitivitet për ekonominë dhe financat publike, atëherë nga qeveria duhet bërë gati “shtëpia”.

Pra, të rregullojmë Shqipërinë në lidhje me: treguesin e transparencës dhe korrupsionit; treguesin e lirisë ekonomike; treguesin e konkurrueshmërisë së ekonomisë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button