Ekonomia

Si ndryshojnë pensionet e lidhura në vitet 1993-1996

Qeveria ka rishikuar vendimin e rritjes së pensioneve për përfitimet e lidhura përgjatë vitit 1996, pagesat e të cilave janë në nivele të ulëta krahasuar me përfitimet e tjera të skemës së pensioneve.

Në ndryshimet e miratuara ditën e djeshme të vendimit për ngushtimin e masës së pensioneve, Këshilli i Ministrave ka vendosur që për pensionet e plota të pleqërisë të caktuara në periudhën nga 1.4.1996 deri më 31.12.1996, me masë pensioni në këtë periudhë, pas rillogaritjes sipas ligjit nr.9588, datë 25.7.2006,  që janë në vlerat 3 682 lekë deri në 5,420 lekë në muaj, do të shtohen me shuma fikse.

Me rritjen që do tu bëhen këtyre pagesave, pensionet e kësaj kategorie përfituesish do të arrijnë në masat 14,089 lekë, deri në 23,640 lekë në muaj. Një tjetër ndryshim i aprovuar nga qeveria për ngushtimin e diferencave në masat e pensioneve ka të bëjë edhe me kategoritë e punonjësve të nëntokës, si dhe përfitimet e grave të punësuara në arsim dhe kulturë.

Konkretisht, për këto kategori në vendimin e miratuar dje, saktësohet se: “Pensionet e pleqërisë të punonjësve të nëntokës dhe ato të grave që kanë punuar në punët e kategorisë së parë dhe të dytë, të caktuara sipas nenit 97, të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, kur llogariten si pensione të plota, pavarësisht kohës kur kanë kaluar si të tilla, përveç rritjeve dhe indeksimeve të zakonshme do të përfitojnë edhe rritjet e diferencuara që kanë përfituar të gjitha pensionet e plota të pleqërisë me datë fillimi në harkun kohor 1.10.1993-31.12.1996, përfshirë edhe rritjen e përmendur më lart për përfitimet e lidhura të vitit 1996, në varësi të datës së fillimit të pensionit dhe masës së rivlerësuar si të plotë të këtij pensioni”.

Efektet financiare të këtij vendimi përballohen nga buxheti i Institutit të Sigurimeve Shoqërore të vitit 2016 dhe 2017. Ndërkohë që zbatimi i këtyre ndryshimeve do të nisë nga 1 qershori i 2016-ës.

Çka do të thotë se të gjitha këto kategori, do të marrin edhe për muajt e kaluar shtesat që u takojnë në përfitime. Pensionet për vjetërsi shërbimi, të caktuara sipas ligjit të 1966, “Mbi sigurimet shoqërore shtetërore të Republikës Popullore të Shqipërisë”, dhe ligjit përkatës të 1993, kalojnë në masën 70 për qind të pagës që i është llogaritur pensioni, por jo më shumë se kufiri maksimal i pensionit të pleqërisë, të caktuar në ligj, pavarësisht kohës kur kanë kaluar me 70 për qind.

Përveç rritjeve dhe indeksimeve të zakonshme, këto pensione do të përfitojnë edhe rritjet e diferencuara që kanë përfituar të gjitha pensionet e plota të pleqërisë, të caktuara deri në datën 30.9.1993, në varësi të datës së fillimit të pensionit dhe masës së rivlerësuar këtij pensioni me 70 për qind të pagës.

Pagesat për pensionet e lidhura në 1993-1995

Pensionet e plota të pleqërisë, të caktuara në periudhën nga 1.10.1993 deri në 31.12.1993, me masë pensioni në këtë periudhë nga 1,40- 2,474 lekë në muaj, janë shtuar me shuma fikse, duke arritur në masat 14,085 lekë deri në 23 640 lekë në muaj.

  • Pensionet e plota të pleqërisë, të caktuara në periudhën 1.1.1994 deri në 30.9.1994, me masë pensioni në këtë periudhë nga 2 175 lekë deri në 3 840 lekë në muaj, janë shtuar me shuma fikse, duke arritur në masën 14 088 lekë, deri në 23 640 lekë në muaj.
  • Pensionet e plota të pleqërisë, të caktuara në periudhën nga 1.10.1994 deri në 30.4.1995, me masë pensioni në këtë periudhë nga 2 492-4 400 lekë në muaj, janë shtuar me shuma fikse, duke arritur në masën 14 087 lekë, deri në 23 640 lekë në muaj.
  • Pensionet e plota të pleqërisë, të caktuara në periudhën nga 1.5.1995 deri në 30.9.1995, me masë pensioni në këtë periudhë kanë qenë nga 2 741 lekë deri në 4 400 lekë në muaj, janë shtuar me shuma fikse duke arritur në masën 14 086 lekë deri në 23 640 lekë në muaj.
  • Pensionet e plota të pleqërisë, të caktuara në periudhën nga 1.10.1995 deri në 31.3.1996, me masë pensioni në këtë periudhë nga 3 070 lekë deri në 5 420 lekë në muaj, janë shtuar me shuma fikse, duke arritur në masën 14 088 lekë deri në 23 640 lekë në muaj.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button