Ekonomia

Si të siguroni dokumentet e detyrueshme për pensionin social

Pensioni social është një përfitim që i jepet çdo shtetasi shqiptar, i cili ka mbushur moshën 70 vjeç, është me qëndrim të përhershëm në Shqipëri të paktën për pesë vitet e fundit, nuk plotëson kushtet për asnjë lloj pensioni nga skema e detyrueshme e sigurimeve shoqërore dhe nuk ka të ardhura, ose të ardhurat që përfiton nga çdo burim tjetër, janë më të ulëta se të ardhurat që jep pensioni social.

Masa e pensionit social është e barabartë me të ardhurat minimale që sigurohen nga pensioni i pjesshëm i pleqërisë me 15 vite të siguruara me pagë minimale, i llogaritur në datën 31.12.2014. Ndërsa për personat që mund të kenë të ardhura të caktuara nga burime të tjera, masa e pensionit social do të jetë sa diferenca e pensionit social me të ardhurat e tjera që ai siguron.

Aktualisht si masë, pensioni social llogaritet në shumën 6.860 lekëve, duke përfshirë këtu edhe vlerën e shtuar nga indeksimi i fundit i bërë në skemën e pensioneve gjatë vitit të shkuar. Kriteret, procedurat dhe dokumentacioni për pensionin social janë përcaktuar tashmë në vendimin e Këshillit të Ministrave. Personat që kanë përfituar këtë pension gjatë vitit të shkuar duhet të rideklarojnë nivelin e të ardhurave nëpërmjet dokumenteve përkatëse.

Në të kundërt do të përjashtohen nga skema e përfitimit. Ndërsa personat që plotësojnë katër kushtet e mësipërme dhe që nuk janë trajtuar më parë, duhet të dorëzojnë pranë organeve të sigurimeve shoqërore dosjen e dokumenteve të detyrueshme së bashku me kërkesën për përfitim.

Sipas përcaktimeve të bëra në ligjin e ndryshuar të sigurimeve shoqërore, dokumentacioni i detyrueshëm për të përfituar pension social duhet të përfshijë fotokopjen e Kartës së Identitetit, certifikatë familjare të lëshuar nga zyra e gjendjes civile, deklaratë për gjendjen social-ekonomike që e plotëson vetë personi. Në dosje duhet të jenë edhe vërtetimi nga zyra e gjendjes civile, që tregon se aplikuesi për këtë pension është banor në Shqipëri për të paktën 5 vite, nga koha që paraqet kërkesën për përfitim.

Ky dokument tërhiqet pranë zyrave të gjendjes civile në njësinë bashkiake dhe administrative ku banon aplikuesi. Vërtetimi duhet të jetë i kohëve të fundit. Gjithashtu në listën e dokumenteve të detyrueshme duhet të jetë edhe vërtetimi i marrë nga organet tatimore, që tregon nëse personi ushtron, ose jo veprimtari ekonomike.

Bashkë me kërkesën për përfitim duhet të paraqisni edhe një certifikatë pronësie, ose akt të marrjes në pronësi apo përdorim të tokës, e cili lëshohet nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Nëse trajtoheni me ndihmë ekonomike, ose jeni trajtuar më parë duhet të dorëzoni edhe vërtetimin e posaçëm të lëshuar nga Shërbimi Social Shtetëror.

Pjesë e dosjes duhet të jetë edhe një deklaratë që tregon nëse jeni aksioner, apo bashkëpronar në aktivitete të caktuara ekonomike, apo pasuri të patundshme, që nxjerrin të ardhura. Për të mos rrezikuar humbjen e këtij pensioni, përfituesit e skemës aktuale, duhet të plotësojë edhe një sërë kushtesh të tjera, që kanë të bëjnë me verifikimin e gjendjes ekonomike pas vitit të parë të trajtimit me këtë pension. Konkretisht, kjo kategori përfituesish duhet të paraqesin një herë në vit deklaratën për gjendjen social- ekonomike. Pensioni social duhet të tërhiqet çdo muaj.

Përfituesi rrezikon humbjen e pagesës në rastet kur nuk tërhiqet në qendrat e përcaktuara. Po sipas kushteve të përcaktuara në ligjin e sigurimeve shoqërore të ndryshuar, pensioni social mbyllet kur konstatohet se ka të dhëna jo të vërteta, lidhur me kushtet ligjore të përfitimit. Përfituesit duhet të rrinë të qetë, pasi në rastet kur e kanë të domosdoshme trajtimin në spital nuk do të humbasin të drejtën e marrjes së këtij pensioni.

“Pensioni social nuk ndërpritet në rastet kur përfituesi është për kurim në spital”, saktësohet në skedën informative të dokumenteve të detyrueshme që duhet të dorëzojnë personat që plotësojnë kushtet për t’u trajtuar me pension social. Për të mos vonuar marrjen e kësaj pagese, personat që plotësojnë kriterin e moshës dhe nivelin e të ardhurave duhet të paraqiten pranë strukturave lokale të sigurimeve shoqërore për të paraqitur kërkesën për përfitim, të cilës duhet t’i bashkëngjisin edhe dokumentet përkatëse të përmendura.

Ndryshimi i masës së pensioneve nga indeksimet 

Pensioni social, pensionet e pleqërisë, të invaliditetit, familjare si edhe të ardhurat nga aksidentet në punë dhe sëmundjet profesionale do të indeksohen çdo vit, për të kompensuar pasojat e ndryshimit të çmimeve të mallrave dhe të shërbimeve të zgjedhura për nivelin minimal të jetesës së pensionistëve. Këshilli i Ministrave cakton listën e mallrave të zgjedhura, mbi të cilën llogaritet indeksi, metodën e llogaritjes dhe datën e indeksimit.

 4 kushtet për të fituar një pension social:

  • Mosha 70 vjeç.
  • Qëndrimi i përhershëm në Shqipëri, të paktën për 5 vitet e fundit.
  • Nuk plotësohen kushtet për asnjë pension nga skema e detyrueshme.
  • Aplikuesi nuk ka të ardhura, ose ka, por janë më të pakta se një pension social.

Institucionet ku duhet të paraqiteni për të marrë dokumentet e duhura:

Pensionet e plota dhe të reduktuara

Personat e siguruar që kanë plotësuar jo më pak se 15 vite sigurim shoqëror, kanë të drejtë për pension pleqërie, kur të arrijnë moshën e përcaktuar nga ligji i sigurimeve shoqërore për secilën kategori të grupimit të profesioneve. Nëse për arsye të ndryshme pensionisti nuk mund të presë moshën e daljes në pension, ka të drejtë që të aplikojë edhe për daljen në pension të reduktuar, i cili mbetet i tillë përgjatë gjithë jetës.

Personat e siguruar kanë të drejtë për pension pleqërie të reduktuar, deri tre vjet para mbushjes së moshës së daljes në pension, kur kanë siguruar vjetërsinë kontributive të përcaktuar nga ligji, teksa nuk duhet të kryejnë veprimtari ekonomike si të punësuar, punëdhënës ose të vetëpunësuar në momentin e paraqitjes së kërkesës për përfitim të reduktuar. Sipas ligjit, pensioni i reduktuar është pjesë e pensionit të plotë dhe mbetet i reduktuar gjatë gjithë kohës së përfitimit.

Ky pension llogaritet duke zbritur nga pensioni i plotë shumën që del nga shumëzimi i numrit të muajve të përfitimit të pensionit, para mbushjes së moshës së përcaktuar në ligjin e sigurimeve shoqërore, me koeficientin mujor të reduktimit.

Koeficienti i reduktimit të pensionit të plotë të pleqërisë, për personat që plotësojnë kushtet e parashikuara në paragrafin e parë të këtij neni, është 0.6 për qind në muaj. Ndryshe nga kategoritë e tjera përfituese, nënat që kanë lindur 6, apo më shumë fëmijë, të cilët janë rritur më shumë se 8 vjeç, kanë të drejtë të dalin në pension kur mbushin moshën 55 vjeç dhe kanë 30 vite, si vjetërsi kontributeve të konfirmuar.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button