Sipërmarrjet sociale, cilat janë bizneset që aplikojnë
Zyrtarizohet mënyra se si do të organizohen dhe funksionojnë ndërmarrjet sociale në vendin tonë. Pas një kohe të gjatë diskutimi, tashmë ka marrë formë ligjore të zbatueshme, projekti për ndërmarrjet sociale. Në këtë ligj janë të përcaktuara kriteret, grupet që do të përfshihen dhe cili është statusi i sipërmarrjes që të mund të ketë një ndërmarrje të tillë. Ky ligj do të zbatohet për personat juridikë që ushtrojnë veprimtarinë si ndërmarrje sociale, duke krijuar kushte të përshtatshme për punësim të individëve të pafavorizuar në tregun e punës. Do të jetë Ministria e Çështjeve Sociale institucioni që ngarkohen për hartimin e politikave të promovimit dhe zhvillimit të ndërmarrjeve dhe njësitë e qeverisjes vendore, ato që do të mbështesin dhe zbatojnë politikat e zhvillimit të ndërmarrjeve sociale në territoret brenda juridiksionit të tyre.
Çfarë duhet për të patur një ndërmarrje sociale?
Një subjekt për të mbajtur statusin e ndërmarrjes sociale duhet të plotësojë një minimum kriteresh të natyrës ekonomike dhe sociale. Cilat janë kriteret ekonomike? Për të mbajtur këtë status ndërmarrja sociale duhet të ushtrojë në mënyrë të vazhdueshme një veprimtari në fushën e prodhimit të mallrave dhe/ose ofrimit të shërbimeve. Po kështu të paktën, 20 për qind e të ardhurave, pas vitit të dytë të aktivitetit dhe, të paktën, 30 për qind e tyre, pas vitit të tretë e në vijim të aktivitetit, duhet të realizohen nga veprimtaritë e parashikuara në nenin 10 të këtij ligji, i cili saktëson se këto sipërmarrje e ushtrojnë veprimtarinë e tyre në: shërbime shoqërore; ndërmjetësim për punësim; punësim të të rinjve; mbrojtje dhe promovim i shëndetit; shërbime në arsim; mbrojtje mjedisore; promovim i turizmit, kulturës dhe trashëgimisë kulturore; veprimtari sportive, me qëllim argëtimin dhe socializmin si dhe promovim të zhvillimit të komuniteteve lokale. Po kështu në veprimtarinë e saj ndërmarrja sociale, përveç kontributit të vullnetarëve, duhet të përfshijë domosdoshmërisht edhe, të paktën, 3 punonjës me pagesë. Të ardhurat e realizuara nga veprimtaria ekonomike e ndërmarrjeve sociale i shërbejnë zgjerimit të vazhdueshëm të veprimtarisë së tyre. Po cilat janë kriteret sociale për të patur një sipërmarrje të tillë? Sipas ligjit të ri për të mbajtur këtë status ndërmarrja sociale synon nxitjen e objektivave socialë në një fushë veprimtarie të mirëpërcaktuar. Po kështu 30 për qind e punonjësve të punësuar në ndërmarrjen sociale duhet t’i përkasin kategorisë së grupeve të pafavorizuara nga pikëpamja sociale dhe ekonomike, të parashikuara në nenin 11 të këtij ligji. Në grupet e pafavorizuara përfshihen grupet me probleme të varfërisë ekstreme, përjashtimit social për shkak të diskriminimit, papunësisë afatgjatë, vështirësive për shkak të të qenit i proceduar penalisht apo nën varësinë e drogës dhe alkoolit, dhe personat e shpërngulur.
Të drejtat e punonjësve
Çdo punonjës ka të drejtë për mbrojtje shoqërore të përshtatshme, cilido qoftë statusi i tij dhe pavarësisht nga madhësia e ndërmarrjes sociale, në të cilën ai është i punësuar. Punonjësve të ndërmarrjes sociale nuk mund t’u caktohet një trajtim ekonomik dhe ligjor më pak i favorshëm se ai i parashikuar nga kontratat e punës ose marrëveshjet kolektive të zbatueshme, në bazë të dispozitave të Kodit të Punës. Po kështu sipas ligjit të ri çdo person fizik apo juridik, vendas ose i huaj, ka të drejtë që të jetë anëtar i ndërmarrjes sociale, si dhe të marrë pjesë në organet drejtuese ose në personelin administrativ të saj. Pjesëmarrja realizohet edhe nëpërmjet dhënies së informacioneve të nevojshme, të cilat u mundësojnë punonjësve dhe përfituesve të veprimtarive të japin mendimin dhe kontributin e tyre në marrjen e vendimeve që lidhen me drejtimin e përgjithshëm, veçanërisht për çështjet që kanë të bëjnë me kushtet e punës, si edhe me sigurimin e cilësisë së mallrave e shërbimeve të ofruara nga ndërmarrja.