Siria, BE dënon ashpër sulmet ruse ndaj opozitës
Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Europian kanë dënuar këtë të hënë sulmet ajrore të ndërmarra nga Rusia ndaj rebelëve të mbështetur nga Perëndimi në Siri, si dhe paralajmërojnë se ato rrezikojnë ta zgjasin edhe më tej konfliktin.
Ky është thelbi i një deklarate të përbashkët të hartuar prej kryediplomatëve të BE-së, i cili është ende në formë drafti dhe që është siguruar nga agjencia e lajmeve “Reuters”.
Duke kërkuar krijimin e një fronti të përbashkët në kritikat e tyre ndaj përfshirjes dramatike të Rusisë në luftën civile siriane, ministrat e Jashtëm të BE-së do të shprehin shqetësimet e qeverive të vendeve perëndimore, se sulmet ajrore të Moskës synojnë të mbështesin Presidentin sirian, Bashar al-Assad, dhe nuk po shënjestrojnë militantët e Shtetit Islamik.
“Sulmet e fundit ushtarake ruse, të cilat shkojnë përtej objektivave të Daesh dhe grupeve të tjera terroriste të konsideruara të tilla prej OKB-së, duke goditur edhe opozitën e moderuar siriane, janë tepër shqetësuese dhe duhen ndalur urgjentisht”, lexohet në draftin e përgatitur prej ambasadorëve të BE-së për takimin e ministrave të Jashtëm të unionit në Luksemburg.
“Ky përshkallëzim ushtarak rrezikon ta zgjasë edhe më tej konfliktin, duke minuar kështu procesin politik, duke rënduar situatën humanitare dhe duke rritur së tepërmi radikalizimin”, thuhet më tej në draft.
Por, deklarata me fjalë kaq të ashpra maskon gjithashtu përçarjet në lidhje me mënyrën sesi duhet të ndihmojë blloku në forcimin e diplomacisë dhe rolin, që Assad duhet të luajë në zgjidhjen e krizës siriane.
Ministri i Jashtëm spanjoll theksoi sërish pikëpamjen e Madridit se, Perëndimi do të duhet të negociojë me Assadin për të arritur një armëpushim dhe për të dakordësuar një tranzicion politik. Franca, e cila është duke e hetuar Assadin për krime lufte, këmbëngul se Presidenti sirian duhet të largohet sa më shpejt të jetë e mundur.
“Në mënyrë që të arrihet paqja në Siri, ne duhet të arrijmë në një tranzicion politik. Ky duhet bërë pa Assadin”, tha ministri i Marrëdhënieve Europiane, Harlem Desir, për reporterët.
Ndërkaq, Britania thotë se Assad nuk mund të lejohet të qëndrojë si President i Sirisë, gjithsesi dëshiron që të diskutohet mbi mënyrën dhe kohën se kur duhet të largohet ai, tha Sekretari i Jashtëm britanik, Philip Hammond.