Kronika

Situata me zjarret në vend, ministria e Mbrojtjes publikon zonat më problematike

Situata me zjarret është kthyer në qendër të vëmendjes së institucioneve shqiptare, duke marrë shkas edhe nga zhvillimet në vendet fqinje me Shqipërinë. Ministria e Mbrojtjes bëri të martën në mbrëmje një pasqyrë, lidhur me situatën e zjarreve në vend, zonat problematike, si dhe për masat e marra.

Sipas saj, Forcat e Armatosura dhe helikopteri Cougar, nën koordinimin e Agjencisë së Mbrojtjes Civile janë angazhuar gjatë ditës së sotme në aksionin e shuarjes së vatrave të zjarrit në Peshtan, Qafa e Shkozës dhe fshatin Kreshpan, në njësinë administrative Cakran, të bashkisë Fier.

“Efektivë të Forcave të Armatosura dhe 7 mjete u angazhuan krah forcave zjarrfikëse të bashkisë Vlorë për shuarjen e zjarrit në vendgrumbullimin e mbetjeve urbane. Aktualisht nuk ka flakë, por vijon të ketë tym për shkak të djegieve të brendëshme, pa probleme për qytetin.”- thuhet në njpoftimin për shtyp.

Sipas ministrisë së Mbrojtjes, po punohet ndërkohë në disa zona të tjera të vendit: në fshatin Çeprat, njësia administrative Shushicë, ku era e fortë favorizon përhapjen e flakëve.

Kurse në fshatin Kus pranë Liqenit të Thatë në Tiranë po punohet me 20 forca e 4 mjete për izolimin total të flakëve.

“Situatë problematike ka edhe në fshatin Buz të bashkisë Memaliaj, ku era vështirëson punën. 13 efektivë dhe një mjet janë angazhuar në shuarjen e zjarrit në fshatin Skrevan në bashkinë Dimal, vatër e cila u riaktivizua.”- përfundon njoftimi për shtyp.

Peleshi: Banorët t’u binden autoriteteve në rast nevoje për evakuuim

Nga ana tjetër edhe ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, ka komentuar situatën e zjarreve në vend. Në faqen e tij në Facebook, Peleshi shkruan se 45 efektivë, mjete dhe helikopteri Cougar, janë angazhuar për të shuar vatrat e zjarrit në zonat e Plykut, Krapsit dhe Cakranit në Fier.

“45 efektivë, mjete dhe helikopteri Cougar të angazhuar për të shuar vatrat e zjarrit në zonat e Plykut, Krapsit dhe Cakranit në Fier. Trupa të tjerë dhe mjete po vijojnë punën edhe në Vlorë. Në gatishmëri të plotë për të siguruar jetën e qytetarëve tanë! Ju lutemi banorëve, t’u binden autoriteteve në rast nevoje për evakuuim. Njoftoni sa më shpejt çdo vatër sado e vogël qoftë, pranë autoriteteve vendore! Marrja e masave në kohë, parandalon ngjarje me përmasa të mëdha”,- shkruan Peleshi në Facebook.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button