S’ka draft të përbashkët, Basha: Rama s’do reformën, por kapjen e drejtësisë
Ndasitë mes ekspertëve të maxhorancës dhe atyre të opozitës sa i takon shumicës së cilësuar për reformën në drejtësi, janë më të thella nga sa është parë deri më tani.
Këtë e konfirmoi edhe kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha gjatë një daljeje për mediat, fajësoi kryeministrin Edi Rama se po pengon këtë reformë.
“Të shtunën në darkë me këmbënguljen tonë pati një rakordim për të reflektuar rekomandimin e Venecias, përkatësisht rekomandimin numër 55 që dikton qartë që vendimet për institucionet e ardhshme nuk mund të merren nga një shumicë e cilësuar që disponohet nga shumica aktuale politike. Në bazë të kësaj, ekspertët tanë bënë propozimet përkatëse. Pas kësaj ekspertët e Edi Ramës u tërhoqën për t’u konsultuar me Edi Ramën dhe të nesërmen u pa që Edi Rama nuk do reformën në drejtësi. U prish kompromisi i të shtunës dhe me kokëfortësi u këmbëngul në shumicën e cilësuar prej 3/5”, deklaroi Lulzim Basha.
Zhvillimet e fundit, kreu i opozitës i interpreton si heqje e maskës prej kryeministrit Edi Rama.
“Është ai që nuk do reformën në drejtësi, që nuk do institucione të formuara që luftojnë korrupsionin sepse ka plan kapjen e drejtësisë dhe të diktojë si prokuror dhe gjyqtar vendimet e së nesërmes. Të diktojë çdo vendim duke fituar imunitet mbi ligjin dhe duke përdorur ligjin si shkop për qëllimet e tij politike. Për më shumë se 1 vit, Edi Rama ka qenë de facto pengesa kryesore për reformën në drejtësi”, shtoi Basha.
Opozita mbetet e vendosur në qëndrimin, sipas saj, për të mos lejuar Edi Ramën që të kapë drejtësinë, por Lulzim Basha nuk saktësoi se si do t’ja arrijë këtij qëllimi.
“Ne i qëndrojmë vullnetit se së pari rekomandimet e Venecias, së dyti kërkojmë që asnjë qeveri të mos u diktojë prokurorëve dhe gjyqtarëve për vendimet që duhet të marrin. Ky është vullneti! Vullneti ynë është të mos lejojmë kapjen politike të Edi Ramës kryprokuror dhe kryegjyqtar dhe për këtë jemi gati të nisim një betejë pa kthim”, u shpreh Basha.
Kreu i demokratëve la të kuptohej se opozita nuk do të dorëzojë asnjë draft në Komisionin e Posaçëm Parlamentar për Reformën në Drejtësi.
“Nuk ka më drafte paralele. Ka një përpjekje të hapur të Edi Ramës për të diktuar drejtësinë. Njeriu që sot hoqi maskën dhe që tregoi fytyrën e vërtetë që nuk do reformën, por kapjen e drejtësisë. Problemi është Edi Rama”, u shpreh Basha.
Ne historine mbi 100-vjecare te shtetit Shqiptar kane dale fatkeqesisht shume kriminele te “nderuar, te dashur e dashuruar me popullin e varfer e injorant shqiptar”. Ata kane folur e kane persekutuar, kane vjedhur, perdhunuar e vrare ne emer te ketij populli. ESHTE KJO ARSYEJA qe asnje force politike as e majte e as e djathte e asnje ngjyre nuk duhet te kete qofte edhe 1 chance sado te vogel te fusi nen Kthetrat e saj drejtesin shqiptare. Si nje njeri qe vjen nga nje familie e persekutuar shqiptare i lutem ketu te gjitha forcave progresive ane e mbane Globit:
Shikoni me kujdes zhvillimet ne arenen aktuale shqiptare perpara se te jete vone.
Shqiptaret nuk duhet te lihen vetem ne keto momente kaq te rendesishme te historise se tyre.
Drejtesia ne Shqiperi duhet te jet vija me e shkurter qe bashkon popullin me Shtetin Shqiptar.