Maqedonia

Skandali i përgjimeve në Maqedoni

Lidhja Social Demokrate e opozitës në Maqedoni, në kuadër të aferës së përgjimeve, sot publikoi disa biseda telefonike midis zyrtarëve të lartë qeveritarë që dëgjohen duke folur për manipulime të politikave redaktuese në disa mjete të infromimit.zaev
Drejtuesi opozitar Zoran Zaev tha se janë mbi njëqind gazetarë të vendit të përgjuar nga shërbimi sekret, përfshirë gazetarë jo vetëm kritik ndaj qeverisë por edhe proqeveritarë.
Zoti Zaev bëri të ditur se, në bazë të regjistrimeve që i ka, ndër më të përgjuarit është gazetari veteran Nikolla Mlladenov. Ai tha se për shkaqe të arsyeshme nuk do të publikonte audio-regjistrimet ku përfshihet ai, por se materialet do t’i dërgoheshin familjes së gazetarit.
Zoti Mlladenov e humbi jetën në një aksident trafiku në rrethana të pasqaruara para dy vitesh, ndërsa rasti u shoqërua me shumë dyshime jo vetëm nga familja dhe revista të cilën e drejtonte por dhe te një pjesë e mirë e opinionit publik.
Opozita pretendon se materialet e përgjimeve i ka marrë nga njerëz brenda vetë shërbimit sekret maqedonas, ndërsa rivalët e saj politikë e akuzojnë Zoran Zaevin për spiuanzh në dobi të shërbimeve të huaja sekrete.
Kryeministri maqedonas Nikolla Gruevski thotë se opozita po përpiqet që përmes këtyre materialeve të ushtrojë trysni për formimin e një qeverie teknike. Pak minuta pas paraqitjes së opozitës, kryeministri Gruevski u tha mjeteve të informimit se pas këtyre regjistrimeve qëndron një shërbim i huaj sekret dhe bashkëpunëtori me inicialet Z.V., duke aluduar në ish-shefin e shërbimit sekret maqedonas Zoran Verushevski, i cili tashmë ndodhet në paraburgim së bashku me gruan e tij nën akuzat për spiunazh.
Skandali po thellon krizën politike në vend, ndërsa shtohen kërkesat për përfshirjen e faktorëve ndërkombëtarë në zgjidhjen e saj.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button