Ekonomia

Skaneri i Financave: Mblidhen taksa, paguhen borxhe

Ulen shpenzimet kapitale, harxhohet vetëm 25% e fondit të planifikuar. Borxhet e kthyera, 31 miliardë lekë

Deficiti – Deficiti buxhetor në qershor 2014 arriti -22,195 milionë lekë, ku financimi i brendshëm ishte 16,474 milionë lekë

TVSH – Në qershor, TVSH-ja ishte 61 177 milionë lekë, shuma e arkëtuar 62 857 milionë lekë, u rimbursuan 1 680 milionë lekë

Nga Zamir Alushi

Edi-Rama-mbledhje-qeverie-KM-565x376Rekord në mbledhje taksash, por paratë e mbledhura shkuan për borxhet. Kjo është ajo që duket nga shifrat e Buletinit Fiskal të Ministrisë së Financave për 6-mujorin e parë të vitit 2014.

Qershori, muaji i taksave

Në pasqyrën e shifrave është fiksuar një rendje e ekonomisë me start të ngathët, por me finish të fuqishëm. Të ardhura tatimore dhe doganore nga muaji janar në qershor, sipas buxhetit të konsoliduar, tregojnë përmirësim të shënjestrës nga administrata dhe përputhje të plotë me planin e të ardhurave. Kështu, totali i të ardhurave ka nisur me 27 774 milionë lekë dhe ka arritur në qershor në 175 206 milionë lekë. Këtë trend ndjekin sidomos të ardhurat tatimore dhe doganore. Tatimet e kanë mbyllur janarin me 24 326 milionë lekë, por në qershor janë rritur në shifrën 157 502 milionë lekë. Me shumë interes është shifra e të ardhurave nga TVSH-ja, që tregon një gjallërim të aktivitetit të biznesit. Kurba në rritje kuptohet nga këto shifra: 9 472 milionë lekë ishte shuma e TVSH-së së mbledhur në janar, 19 155 milionë lekë në shkurt, 30 197 milionë lekë në mars, 40 594 milionë lekë në prill, 50 361 milionë lekë në maj dhe 61 177 në fund të muajit qershor 2014.

Zërat e dobët

Edhe me akcizat, puna e tatimorëve ka ardhur në ngritje, por shumë larg pritshmërive dhe më poshtë se viti i kaluar. Kështu, të ardhurat e mbledhura nga taksa për mallrat e akcizës ishte 1 616 milionë lekë, ndërsa në qershor u rritën në 16 274 milionë lekë. Ndërsa plani është realizuar vetëm në masën 33.65%. Një vlerë mjaft e ulët vjen edhe nga mbledhja e fondeve për llogari të kompensimit financiar të ish-pronarëve, që është vetëm 3.92% e shifrës së planifikuar. Ndërsa Banka e Shqipërisë, e kritikuar në fund të vitit dhe në muajt e parë të vitit 2014, ka kaluar në arkën e shtetit për 6-mujorin e parë 2014, fitimet në masën 130% mbi kuotën e planifikuar.

Shlyerja e borxheve të prapambetura

Rreth 31 miliardë lekë janë kaluar nga qeveria deri më 11 korrik 2014. Sipas sektorëve, këto para ndahen për investimet publike, ku janë alokuar 9.5 miliardë lekë, shpenzimet korrente për mallra dhe shërbime e kategori të tjera janë alokuar rreth 6.4 miliardë lekë, për rimbursimin e TVSH-së janë alokuar rreth 10.5 miliardë lekë dhe në sektorin energjetik rreth 4.4 miliardë lekë. Në buxhetin e vitit 2014, në kuadër të kësaj strategjie, është parashikuar të shlyhen 35 miliardë lekë fatura të prapambetura. Në lidhje me rimbursimin e TVSH-së, pas rakordimit me Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, Ministria e Financave ka shpallur listën e subjekteve për detyrime që i takojnë periudhës deri më 31 dhjetor 2013, subjekte për të cilat ka alokuar rreth 10.5 miliardë lekë. Për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura për “investimet publike”, është proceduar deri në vitin 2012 dhe po vazhdohet me shlyerjen e detyrimeve të prapambetura të vitit 2013. Ndërsa për shlyerjen e detyrimeve për “shpenzimet korrente”, aktualisht janë proceduar ato në sektorin e shëndetësisë dhe është në proces shlyerja e detyrimeve për sektorët e tjerë. Në kategorinë “të tjera” janë proceduar detyrimet e prapambetura për vendimet gjyqësore dhe shpronësimet.

TVSH-ja e re

Në raportin e fundit të FMN-së i tërhiqej vëmendja qeverisë që të mos lejohej krijimi i borxheve të reja. Dhe, me sa duket, nga shifrat e buxhetit të konsoliduar për 6-mujorin e parë, kjo dukuri po shmanget. Nuk ka të dhëna për muajt janar dhe shkurt, por nga marsi deri në qershor, duket qartë se administrata tatimore e ka rimbursuar biznesin në masën e plotë të diferencës së TVSH-së së llogaritur me vlerën e TVSH-së së mbledhur në fakt.

Shpenzimet

Shpenzimet kapitale, ku hyjnë edhe investimet për ndërtimet publike, janë ulur së tepërmi krahasuar me një vit më parë, me një zbritje mbi 50%. Madje, qeveria është treguar aq e “kursyer”, sa edhe planin e shpenzimeve nuk e ka realizuar, por ka harxhuar vetëm 25.52% të parave të planifikuara. Vetëm 7.109 milionë lekë të investuara në muajin qershor 2014, që ishte më i miri edhe për zërin e shpenzimeve kapitale.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button