Ekonomia

Skanimi në dogana, mbërrijnë në Kuvend ndryshimet ligjore

Qeveria dërgoi në Parlament për shqyrtim marrëveshjen për skanimin në dogana me kompaninë “Rapiscan”, e cila synon lehtësimin e biznesit nga pagesa e tarifës së shërbimit të skanimit nëpërmjet përcaktimit të deklaratave për të cilat nuk do të paguhet kjo tarifë. Kjo lëvizje e qeverisë vjen si përgjigje ndaj kërkesave të komunitetit të biznesit dhe marrëdhënies së partneritetit qeveri – biznes në ndihmë të përmirësimit të klimës së biznesit.

Biznesi ka ngritur shqetësim në lidhje me pagesën e tarifës së shërbimit të skanimit për disa deklarata doganore, të cilat duhet të jenë të përjashtuara, pasi konstatohen raste të pagesës së tarifës së shërbimit dy ose më shumë herë për të njëjtin mall, në varësi të deklaratave doganore që shoqërojnë vendosjen e këtij malli, në procedura të ndryshme doganore.

Sipas këtij përcaktimi ligjor, për çdo veprim/formalitet që kryhet për një mall në administratën doganore, gjenerohet një deklaratë doganore. Ligji që ka miratuar kontratën e koncesionit të skanimit të mjeteve ka përcaktuar se pagesa e tarifës së skanimit kryhet për çdo deklaratë doganore. Për të lehtësuar biznesin, që të mos paguajë tarifën e shërbimit dy ose më shumë herë, në funksion të uljes së kostove të bizneseve importuese në vend, si dhe për të përshtatur e harmonizuar qëllimin e këtij ligji me procedurat doganore sipas legjislacionit doganor në fuqi, është paraqitur një shtesë në ligj, në të cilën përcaktohet se, pavarësisht nga veprimet që do të kryhen në doganë, për një mall do të paguhet vetëm një herë tarifa e skanimit.

Deklaratat doganore që do të përjashtohen nga kjo pagesë, sipas procedurave doganore specifike janë: mallrat e vendosura në regjimin e tranzitit,  kur ky regjim përfundon në një zyrë doganore shqiptare për të marrë një destinacion tjetër doganor; mallrat që dalin nga regjimi i magazinimit doganor drejt një destinacioni tjetër doganor, me përjashtim të rieksportit; mallrat që vendosen në qarkullim të lirë, pas vendosjes në regjimet doganore pezulluese; transferimet nga një regjim pezullues/ekonomik në tjetrin; importet rastësore të mallrave me natyrë jotregtare (deklarata të thjeshtuara).

Shuma e përjashtimeve nga tarifa e skanimit, si rezultat i këtij projektligji, do të ulë të ardhurat nga tarifa e shërbimit dhe do të rrisë me të njëjtën shumë, diferencën që mbulohet nga buxheti i shtetit. Kjo shumë, së bashku me atë që rezulton nga ulja e tarifës nga 39 në 22 euro, është rreth 4 milionë euro në vit, që do të thotë se buxheti duhet të përballojë rreth 4 milionë euro në vit për pagesën ndaj “Rapiscan Systems”, Inc.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button