Bota

Skocia: Në rast të një pavarësie

skociaNë 18 shtator mund të marrë fund një epokë mbi 300-vjeçare: Skocia voton për pavarësinë nga Mbretëria e Bashkuar. Por fjala nuk është vetëm për statusin politik të vendit.
A është Skocia e pavarur menjëherë pas numërimit të votave të referendumit?
Në referendumin e 18 shtatorit fillimisht do të votohet vetëm për pyetjen nëse skocezët duan të jenë të pavarur. Në rast të një vote pozitive për pavarësinë, kjo e fundit nuk vjen automatikisht. Sipas planifikimeve të deritanishme dita e caktuar është 24 marsi 2016. Më vonëta deri në fund të fazës kalimtare duhet të jenë sqaruar çështje të ndryshme politike dhe ekonomike.
A do të ishte një Skoci e pavarur edhe më tej anëtare e BE-së dhe NATO-s?
Në rast të një shkëputjeje të Skocisë nga Mbretëria e Bashkuara, pas përfundimit të periudhës kalimtare në pranverë 2016 do të lindë një shtet i ri. Këtij do t‘i duhej të anëtarësohej nga e para në BE. E njëjta gjë vlen edhe për NATO-n: si një shtet i ri Skocia pas fazës kalimtare nuk do të ishte një herë për një herë pjesë e paktit të Atlantikut Verior. Atij do t‘i duhej të bënte një kërkesë për pranim në aleancën ushtarake. Anëtar bëhet vetëm kush merr miratimin e të gjithë anëtarëve të tjerë të NATO-s.
Çfarë do të thotë pavarësia e Skocisë për Evropën?
Shumë shtete evropiane janë të shqetësuar për shkak të referendumit. Skocezët në përgjithësi konsiderohen më miqësorë ndaj Evropës se sa pjesa tjetër e britanikëve dhe kjo do të thotë që një shkëputje e vendit nga Mbretëria e Bashkuara do të forconte kampin e skeptikëve ndaj BE-së. Kur Britania e Madhe të mbajë sipas planit në 2017 referendumin për anëtarësinë në BE, mund të mungonin 4 milionë vota të skocezëve dhe ato mund të ishin vendimtare për triumfin e kundërshtarëve të BE-së.
Pavarësia e Skocisë mund të kishte edhe një efekt sinjalizues për lëvizjet për pavarësi në vende të tjera. Kombe si Spanja apo Belgjika druhen se prej kësaj mund të rrezikohen shtetet e tyre. Për Mbretërinë e Bashkuar një pavarësi e skocezëve do të thotë që në një të ardhme të afërt edhe Irlanda e Veriut katolike do të dojë të jetë e pavarur.
Cila do të jetë monedha e një Skocie të pavarur?
Deri në mars 2016 paundi do të jetë mjet pagese në Skoci. Për kohën më pas Londra kundërshton në mënyrë kategorike një union monetar. Kryeministri skocez Alex Salmond ka njoftuar se paundi do të vëzhdojë të jetë valutë orientuese, në rast nevoje madje edhe kundër vullentit të britanikëve. Skocia në këtë rast do të kishte një bankë të vetën qendrore dhe mund të emetojë para shtesë.
Nëse Skocia do të bëhej anëtare e BE-së kjo mund të lidhej me obligimin për të futur edhe euron. Kandidatët për anëtarësim duhet ta lidhin fillimisht monedhën e tyre me euron përpara se ta fusin atë si mjet pagese.
Por e mundur mund të ishte edhe një valutë skoceze. Që tani Skocia shtyp bankënotat e saj skoceze të stërlinave, të cilat megjithatë janë të lidhura në kurs me paundin. Një valutë kombëtare qeveria në rast nevoje mund ta zhvelrësonte dhe të ndikonte mbi normat e interesit. Në këtë mënyrë mund të mbylleshin boshllëqet në buxhetin e shtetit.
Çfarë ndodh me borxhet e përbashkëta?
Qeveria në Londër ka sinjalizuar ndërkohë se do të mbetet përgjegjëse për të gjitha borxhet shtetërore nëse Skocia do të shpallte pavarësinë. Pas fazës kalimtare Skocia sipas dëshirës së qeverisë britanike duhet të marrë një „pjesë të ndershme dhe të arsyeshme të detyrimeve të Britanisë së Madhe“. Me pikëpyetje është nëse borxhet do të ndahen sipas Produktit të Brendshëm Bruto apo sipas pjesëve të popullsisë. Opsioni i parë do të ishte më i favorshëm për Skocinë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button