Skocia: Nuk ikim nga BE. Bisedime me Brukselin për të qëndruar
Skocia nuk dëshiron të largohet nga Bashkimi Europian, tha në Bruksel ministrja e parë e saj, Nicola Sturgeon. Skocezët votuan në masë kundër largimit nga BE-ja dhe vet Sturgeon është rreshtuar me kohë në radhët e politikanëve më aktivë për qëndrimin në bllokun europian.
“Jemi në një fazë shumë të hershme të këtij procesi. Unë e kam bërë mëse të qartë dëshirën e Skocisë për të mbrojtur marrëdhënien e saj me Bashkimin Europian. Nuk dua t’i nënvlerësoj sfidat që shtrihen përpara nesh në gjetjen e kësaj rruge. Ky është vetëm fillimi i një serie takimesh në Bruksel, të cilat synojnë ta bëjnë të qartë se Skocia, ndryshe nga pjesë të tjera të Mbretërisë së Bashkuar, nuk do që të largohet nga BE-ja. I jam mirënjohëse presidentit Schulz që pranoi të më takonte këtë mëngjes”, tha Nicola Sturgeon, kryeministre e Skocisë.
Në një intervistë dhënë më parë për BBC-në, kryeministrja skoceze i denoncoi krerët politikë të Britanise si jo kompetentë. Pikërisht në kohën kur vendi, ndoshta më tepër se kurrë më parë në periudhën e pasluftës pati nevojë për udhëheqje, gjithë çfarë mori ishte kaosi e një mungesë e turpshme organizimi.
Partia Konservatore dhe ajo Laburiste, – tha Sturgeon, – heqin dorë plotësisht nga përgjegjësia, duke i zhgënjyer njerëzit në mbarë Anglinë. Sturgeon ka paralajmëruar se do të shqyrtojë çdo mundësi për ta mbajtur Skocinë në BE, duke përfshirë edhe një referendum të dytë për Pavarësinë nga Britania.