Lejet e ndërtimit, projektuesit pajisen me firma elektronike brenda korrikut
Në vijim të konsultimeve me grupet e interesit për sistemin online të lejeve të ndërtimit dhe për përmirësimin e procesit të kontrollit dhe disiplinimit të punimeve të ndërtimit, Ministrja e Zhvillimit Urban, Eglantina Gjermeni u takua sot me projektues dhe arkitektë. Këto takime, përtej rolit informues dhe prezantues janë konceptuar dhe si një platformë e mirë diskutimi, për të marrë mendimet dhe sugjerimet e grupeve të interesit.
Aplikimi online për lejet e ndërtimit do të bëhet i detyrueshëm pas 1 shtatorit 2016 dhe një element i rëndësishëm i tij është pajisja e projektuesve me firmën elektronike, brenda muajit korrik. Në mungesë të firmës elektronike, asnjë projektues nuk do të ketë mundësi të kryejë dorëzimin e projekteve për pajisje me leje ndërtimi.
Gjermeni u ndal edhe në punën që grupi i ekspertëve të MZHU-s po bën, për përmirësimin e procesit të kontrollit dhe disiplinimit të punimeve të ndërtimit, duke kërkuar që arkitektët, projektuesit apo ndërtuesit të shprehin mendimin e tyre, se ku apo si duhet ndërhyrë.
“Me këtë proces rishikimi, synohet ndarja e qartë e përgjegjësive ndërmjet bashkisë dhe inspektoriatit vendor nga njëra anë; dhe ndarja e qartë e përgjegjësive që do të ushtrojnë profesionistët e licencuar, të përfshirë në procesin e kontrollit nga ana tjetër si dhe vendosja e përgjegjësive të qarta dhe të zbatueshme në rast shkeljesh nga ana e këtyre profesionistëve, qofshin këto përgjegjësi financiare apo edhe disiplinore. Qëllimi dhe ambicia jonë si Ministri është që me këto ndryshime ligjore, të garantojmë një proces sa më efektiv të kontrollit të punimeve, i cili eviton që në fazat fillestare, ndërtimet pa leje”, bëri me dije Ministrja e Zhvillimit Urban, Eglantina Gjermeni.
Brenda 10 ditëve të ardhshme, projektuesit dhe arkiktektët mund të dërgojnë pranë Ministrisë së Zhvillimit Urban të gjitha mendimet dhe sugjerimet, për përmirësimin e ligjit për kontrollin dhe disiplinimin e punimeve. Bazuar në këto komente dhe në praktikat me të mira ndërkombëtare, do të punohet për hartimin e ndryshimeve ligjore të nevojshme.