Kosova

Smith: Specialja edhe disa muaj nuk fillon punën

Avokati ndërkombëtar, Gregor D.Guy Smith thotë se Gjykata Speciale që do të merret vetëm me krimet e luftës që pretendohet se janë kryer nga pjesëtarë të UÇK-së, nuk pritet që të aktivizohet edhe për disa muaj tjerë.

Kjo pasi që sipas tij pas vendimit të fundit të Gjykatës Speciale për rregullat që nuk janë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, procedurat do të marrin kohë disa muaj.

Smith në një intervistë për KosovaPress konfirmon se ka biseduar me një numër të personave që mund të gjykohen nga Gjykata Speciale, por që nuk ka treguar emrat e tyre.

“Unë kam punuar me Tomë Gashin, kemi qenë një ekip për një periudhë të gjatë kohore dhe nuk kemi punuar vetëm në Prishtinë, por edhe në Hagë dhe po ashtu kemi një zyre në San Francisko. Sa i përket pyetjes së nëse na kanë kontaktuar, po na kanë kontaktuar. Një çështje e drejtë e interesit është se kush do akuzohet, cilat do të jenë ato akuza dhe si do të vazhdojnë këto raste. Nuk mund të përmend se më kënd kemi biseduar specifikisht, por kemi biseduar me një numër të madh të palëve. Ne kemi qenë pjesë e çdo rasti në Kosovë që kanë pasur të bëjnë me ish-pjesëtarët e UÇK-së“, tha Smith.

Smith, i cili ka mbrojtur ish-komandantin e UÇK-së Ramush Haradinaj në Gjykatën Ndërkombëtare në Hagë, thotë se nëse Haradinaj do të ndiqet edhe nga Specialja, do të ishte shkelje absolute e sundimit të ligjit.

“Nëse një akuzë e tillë vjen nga Gjykata Speciale, kjo do të ishte jo vetëm shokuese, por jashtëzakonisht shqetësuese pasi që kjo do të ishte shkelje absolute e sundimit të ligjit në të gjitha aspektet. Z. Haradinaj është gjykuar tashmë dy herë në Hagë dhe është shpallur i pafajshëm, jo një herë, por dy herë në Hagë. Në propozimin e përgjithshëm ligjor, një individ nuk mund të gjykohet për akuzat e njëjta për të cilat është shpallur i pafajshëm dhe pasi që është liruar. Në dy gjykatat është vendosur se provat e paraqitura nga prokuroria sa i përket atyre akuzave kanë qenë të mangëta dhe dëshmitarët nuk kanë qenë te besueshëm sa i përket përfshirjes së z.Haradinaj në akuzat e ngritura ndaj tij. Pra, kjo duhet të jetë një episod e përfunduar në jetën e tij dhe shpresoj së në të vërtetë ashtu është“, tha Smith.

Avokati ndërkombëtar sqaron po ashtu ecurinë e procedurave pas vendimit të fundit të Gjykatës Speciale.

“Gjykata Kushtetuese ka rishikuar rregullat e miratuara nga gjykatësit e Plenares, ku ishin gjithsej 208 rregulla. Gjykata Kushtetuese ka vendosur që 10 nga ato rregulla duhet të konsiderohen sepse nuk ishin në përputhje me kërkesat e Kushtetutës së Kosovës. Si rezultat i kësaj, ajo çfarë do të ndodh tani është se këto rregulla do të dërgohen përsëri në Plenare, dhe duhet të punohet që këto rregulla të jenë kushtetuese e cila është kritike për këto procedura dhe do të ridërgohen prapë në Gjykatën Kushtetuese. Dhe pastaj gjykata do të shoh se nëse Plenarja ka bërë punën e duhur sa i përket këtyre rregullave. Nuk mendoj se do të kemi ndonjë vendim definitiv për së paku për disa muaj pasi që nuk dimë orarin e gjyqtarëve”, tha Smith.

Ai po ashtu ka treguar procedurat që duhet të ndiqen pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

“Pasi që Plenarja të rishikojë këto 10 rregulla, ato do të ridërgohen në Gjykatën Kushtetuese dhe ajo do të vendos nëse këto rregulla janë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës apo jo. Nëse Kushtetuesja vendos së këto rregulla janë në rregull atëherë besoj se këto rregulla do të hynë në fuqi 7 ditë pas marrjes së vendimit”, tha Smith.

Ndryshe, gjatë javës përmes një njoftimi të Gjykatës Speciale, është bërë e ditur se nëntë rregulla të rregullores së procedurës dhe provave të Dhomave të Specializuara të Gjykatës Speciale nuk janë në përputhje të plotë me Kushtetutën e Kosovës.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button